“Ky është abuzim, është shesh publik, këtu rrinin kalamajtë gjithë ditën”, tregon Ylli Abazi, banor në një bllok banesash pranë shkollës Kongresi i Lushnjes në Tiranë.
Banesa e tij dhe e shtatë familjeve të tjera u bllokua pak javë më parë nga rrethimet metalike të kantierit ku do të ndërtohet një pallat 9-katësh. Banorët tregojnë se ju ka mbetur një hapësirë e gjerë vetëm një metër për të hyrë në shtëpitë e tyre.

Mbështetur në një pirg drurësh, pranë vendit që për mbi 40 vite shërbente pjesërisht si shesh i përbashkët, gjendet tabela informuese e projektit, ku shfaqet emri i kompanisë ndërtuese, leja e projektit dhënë më 25 mars 2021, por mungon çdo datë për nisjen apo përfundimin e punimeve.

“Jemi përpara një situate shumë absurde”, tregon Silva Kadia, banore e zonës me profesion inxhiniere. Duke mbajtur në duar dokumentat, ajo tregon se në Planin e Detajuar Vendor miratuar nga Bashkia e Tiranës, parashikohet ky shesh ndërtimi me një sipërfaqe prej 1681 metrash katrorë.

“Ndërsa në lejen e ndërtimit ky shesh ka ndryshuar konfigurim, pavarësisht se sipërfaqja ka mbetur e njëjtë”, tregon Kadia, duke hedhur dyshime mbi ligjshmërinë e sheshit, i cili shfaqet ndryshe në dy dokumentat, pavarësisht se sipërfaqja nuk ndryshon.
Ndërtimet pengojnë hyrjen e mjeteve të ndihmës së shpejtë
Distanca një metër është e pamjaftueshme që mjetet e ndihmës së shpejtë si ambulanca apo zjarrfikësja të kalojnë për t’i dhënë ndihmën e parë banorëve “të bllokuar”.
“Si mund të futet ambulancë këtu me barrelë? Këtu ka dhe të sëmurë ” thotë e moshuara Irma Abazi.
Banorët shprehen se nuk është kryer asnjë konsultim publik me ata dhe janë njoftuar për nisjen e punimeve vetëm nga zhurma e pajisjeve të ndërtimit.
“Derisa na vënë llamarinat para derës me këtë lloj force, na duket e çuditshme dhe mbijetesa”, thotë inxhinjieria Kadia.
Arbër Kubeci, rrëfen se ambientet e shtëpisë së tij i ka dhënë me qira për shfrytëzim nga një shtypshkronjë, e cila automatikisht shndërrohet në jofunksionale pasi punonjësit nuk lëvizin dot pajisjet.
“Kam lejen e legalizimit, akt dalje, po ta shohim hyrja në objekt është nga rruga që është bllokuar. Këtë skicë nuk e kam bërë unë, e kanë bërë njerëzit e hipotekës”, tregon Kubeci.
Banorët tregojnë se kanë përdorur çdo formë të mundshme për të referuar ankesat e tyre, qoftë duke i dërguar letër kryetarit të bashkisë Tiranë, Kryeministrit, por edhe duke iu drejtuar policisë. Megjithatë deri tani kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët.
“Në Bashki na kanë përcjellë, në Polici na kanë përcjellë… Ne duhet të heqim bukën e gojës që të japim lekë nëpër gjykata”, përfundon Arbër Kubeci.
Banorët e rrugës “Qemal Stafa” presin një reagim nga instancat shtetërore ndërkohë që punimet vazhdojnë për ngritjen e nëntë katëshit. Ata konfirmojnë se nëse nuk gjejnë mbështetje nuk mbetet zgjidhje tjetër veçse ti drejtohen organizmave të huaja.