Rrapi i Tabakëve, një nga monumentet natyrore më të vjetra në Tiranë, nuk çeli më këtë pranverë, duke e mbyllur ciklin e tij jetësor. Fotoja e parë e kësaj “peme të shenjtë“ daton në 1848 nga piktori anglez Edward Lear.

Piktura nga Edward Lear

I vendosur në “Lulishten 1 Maji”, ky rrap shërbente dikur si vendi ku mblidhej pleqësia e qytetit për të marrë vendime të rëndësishme.

Urbanisti Andi Papastefani tregon se ka forma për të ruajtur monumente të tilla natyrore.

“Kur arrin fundin e ekzistencës së tyre, ruhet një filiz nga kjo pemë, e rrisin me kujdes në një vend tjetër dhe në momentin natyral që pema mbaron ekzistencën e saj, si kjo këtë vit, zëvendësohet me filizin e po të njëjtës pemë, me të njëjtën ADN”,- shprehet Papastefani.

Tirana ka monumente të tjerë natyrorë të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në memorien e qytetit, përmendim Selvinë apo një pemë ulliri 200 metra larg Rrapit të Tabakëve.

Ka një përmirësim ambienti rrotull Selvisë nga më përpara, janë prishur disa ndërtime parazite rrotull, por ka akoma punë për tu shndërruar në një landmark”, – vijon ai.

Papastefani thotë për Citizens Channel se nëse do të vendoseshin tabela informuese apo edhe ndonjë rrethim plasmasi përreth këtyre pemëve shekullore, mund të rritej ndërgjegjja qytetare, jo vetëm për t’i ruajtur por edhe për mos t’i dëmtuar ato.

“Le të shërbejë kjo sakrificë (referuar tharjes së rrapit) për t’i trajtuar monumentet e tjera natyrale më me respekt edhe më me largpamësi”, – përfundon Papastefani.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu