Pamje nga nisja e prishjes se vilave ne ansamblin Kont Urani

Një pjesë e vilës që qëndron ngjitur me ish-Radio Tiranën u shemb sot në mesdite. Kjo banesë e vendosur në rrugën Kont Urani nuk është e vetmja që pret shembjen, sipas Planit të Detajuar Vendor (PDV) , i miratuar së fundmi nga Bashkia e Tiranës kjo vilë së bashku me dy objekte të tjera të ndërtuara në vitet 1920, do t’i lënë vend një pallati shumëkatësh.

E vetmja godinë historike që pritet t’i shpëtojë thikës së ekskavatorit do të jetë ish-Radio Tirana.

Plani Detajuar Vendor i Bashkise Tirane

Ndërhyrjet e para me objekte të tipit pallat janë bërë përpara vitit 2002, ku një objekt shumëkatësh është ndërtuar në veri-lindje të zonës, me dalje në rrugën Mihal Duri.

Citizens Urban Stories ka raportuar mbi harresën e këtyre godinave që përpara publikimit të PDV-së që vulosi zhdukjen e tyre. Vilat për shkak të konflikteve të pronësisë të pazgjidhura ndër vite janë banuar pas komunizmit nga familje të pastreha të komunitetit romë.

Rruga Kont Urani mban një sërë banesash historike:

  • Vila 46, Monument kulture kategoria dytë, ose ndryshe ish-Radio Tirana, institucioni i parë mediatik shqiptar.
  • Vila 8,  e ndërtuar rreth vitit 1928, e njohur ndryshe si “Kuplaraja” apo “Hoteli i Italianëve” .
  • Vila Lezo, e njohur ndryshe si “Piccadilly Tirana”, e cila aktualisht është shembur.
  • Vila Hemingway, e cila ka gjetur një formë mbijetese duke u pëdorur si biznes privat.
  • Një prej godinave ka shërbyer edhe si shtëpia e parë publike në Tiranë, e arreduara dikur me orendi luksoze dhe me dalje nga pas.

Ndër vite banesat nuk janë mirëmbajtur dhe janë degraduar edhe pse një pjesë prej tyre ka marrë statusin “mbrojtje paraprake”.

Oborri dhe pjesa e jashtme e tyre përdorej për shitje të rrobave të përdorura duke u siguruar jetesën banorëve ekzistues.

Për shkak të shembjes së godinës në fjalë, një familje prej gjashtë personash mbeti sot në rrugë.

“Po fle në rrugë. Ne nuk duam të jetojmë sot për nesër, duam një ndihmë sociale”, u shpreh një nga banorët për Citizens Channel.

Një tjetër banore e familjes e cila ka përfunduar jashtë rrëfeu se urdhri për të dalë nga shtëpia i është dhënë nga pronari truallit të cilin nuk e kishte parë asnjëherë prej 30 vitesh dhe i ka kërkuar që për 30 minuta të lirojë hapësirën e banesës.

Edhe pse banorët pranojnë se nuk kanë asnjë të drejtë mbi banesën ata kërkojnë një zgjidhje ku të strehohen.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu