Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kafja e Madhe e Shkodrës – “Restaurim apo shkatërrim?”

Në datën 24 maj, e gjithë pjesa e pasme e Kafes së Madhe të Shkodrës u shemb, ndërsa të vetmet pjesë që mbetën në këmbë janë fasada e disa mure rrethuese. Kjo pasi projekti i restaurimit, që qëndronte në sirtar prej vitit 2016, nisi të zbatohet.

Rikonstruksioni me shembje i kësaj godine ikonike të qytetit, zgjoi reagime të shumta mes qytetarëve të Shkodrës dhe personave të interesuar mbi trashëgiminë.

“Shkodra simbolizohet nga Kafja e Madhe, Kisha e Madhe, Arra e Madhe”, shprehet një nga banorët e qytetit për Citizens Channel.

Restaurim apo shkatërrim?

Pamje nga pjesa e jashtme e punimeve ne Kafen e Madhe

Shembja e shpejtë e godinës së Kafes së Madhe, solli një përplasje midis institucioneve qendrore dhe atyre vendore, çka çoi në ndërprerje të punimeve. Inspektorati Ndërtimor i Shkodrës iu drejtua Ministrisë së Kulturës dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, duke i kujtuar se projekti shkel ligjin Nr. 27 2018, për shkak të tejkalimit të afateve të zbatimit.

“ Në këto kushte për të zbatuar punimet në këtë objekt ju duhet t’i drejtoheni Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (institucioni përgjegjës) për shtyrjen e afatit të punimeve në mënyrë që të realizohet zbatimi i këtij projekti” thuhet në shkresën e firmosur nga Laçaj.

Megjithëse afati i projektit kishte kaluar, Kafja e Madhe u shemb thuajse plotësisht, ndërsa institucionet duken tashmë të vendosura, që veç pengesave administrative, të vijojnë me projektin e vitit 2016.

Sipas arkitektit Arbër Sadiku së fundmi fokusi i trashëgimisë kulturore është i orientuar  tek ruajtja fasadave duke mohuar vlerat tërësore që çdo ndërtesë i ka.

“Këtu vetëm shihet një tendencë paraprake që monumentet të arrijnë në atë stad, që të shkatërrohen, e pastaj të mbajmë një copë të murit dhe të themi kjo është trashëgimia jonë”, tha Sadiku.

Sipas tij rindërtimi ka disa rregulla që njihen shumë qartë nga profesionistët, por që për shkak të disa tendencave të fshehura këto standarde nuk zbatohen.

Arber Sadiku

Eksperti Sadiku pohon se shpesh arkitektura i ngjason filozofisë së jetesës së një shoqërie, ashtu si na intereson vetëm sesi dukemi dhe shumë pak se çfarë jemi nga brenda ashtu e trajtojmë dhe arkitekturën.

Kafja e Madhe, monument i identitetit shpirtëror

Kafja e Madhe është ideuar nga arkitekti Kolë Idromeno, ndërsa ndërtimi i filloi nga familja Ashik në vitin 1920.

Para se të quhej “Kafja e Madhe”, godina pati tre emra: Fillimisht quhej Kafe “Adriatik”. Më pas u quajt Kafe – Hotel “Park” dhe në fund, me ardhjen e malazezëve “Grand Hotel Savoia”.

Kafja e Madhe shërbente si vendtakimi i shkrimtarëve, artistëve por edhe qytetarëve nën tingujt e muzikës së lehtë klasike.

Citizens Channel takoi rastësisht qytetarë që ende mbanin me vete në portofol foto të vjetra të këtij monumenti historik.

“Nga e djathta ime është kur godina ka qenë një katëshe në pronësi të Ndoc Ashikut, më pas ai e shndërroi në dy katëshe” na shpjegon foton qytetari.

Fasada e objektit është e stilit austro hungarez. Ndërtesa ndahej në dy kate ku i pari kishte kapacitet deri në 200 persona dhe 50 tavolina, ndërsa në  katin e dytë ishin 9 dhoma gjumi për turistët apo vizitorët.

“Ka qenë gjëja më e mirë. Ku po shkon? Në Kafe të Madhe”, shprehet një qytetare tjetër e cila kujton me nostalgji periudhën kur frekuentonte Kafen.

“Edhe nëse rregullohet nuk do të ketë karakteristikat që ka pasur kur ka qenë në lulëzim, por ka për të përfaqësuar kohën e re që vjen”, tregon një i moshuar.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *