Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Aktivistët e Zall-Gjoçaj kërkojnë nga gjykata të merret në shqyrtim ankimimi i vendit pro HEC-eve

“Për kë bien këmborët?” ishte pyetja që ju drejtua Gjykatës së Apelit sot nga dhjetëra banorë të Zall-Gjoçaj. Nën tingullin e kërcitjes së tyre, ata kërkuan drejtësi për kauzën e ngritur prej tre vitesh nga komuniteti, i cili kërkon anulimin e hidrocentraleve brenda Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj, Mat.

Protesta pikërisht përballë këtij institucioni vjen si kërkesë për të marrë në shqyrtim ankimimin e vendimit të marrë nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në qershor të vitit 2020, ku u rrëzua padia e nëntë banorëve dhe u lejua vijimi i punimeve për të ngritur digë brenda zonës së mbrojtur.

Kudo ku kemi qenë, fajtor është viktima”, – tha Sali Koleci, i angazhuar në mbrojtje të parkut. “Ne jemi viktima se të pasurit janë këta, bashkë me ata që marrin ujin dhe këta që u japin të drejtën”.

Sot kemi ardhur me kambanat e alarmit që të zgjohen dhe të nxjerrin dosjet”, – u shpreh më tej aktivisti Dhimitër Koleci, teksa në kor u brohorit “Drejtësi, drejtësi, asgjë më shumë”.

“Për kë bien këmborët?”, protestë përballë Gjykatës së Apelit, Tiranë

Ata i mëshuan rëndësisë së funksionimit të drejtësisë së re, pasi koha për ta nuk prek. Teksa dosja e tyre rreshtohet mes qindra rasteve të tjera që pritet të shqyrtohen, punimet në terren për të përfunduar hidrocentralet vijojnë me ritme të shpejta.

U bë tashmë një vit që kur ne kemi dorëzuar ankimet dhe nuk kemi ende asnjë lajm. Kompania ndërtuese vijon punimet brenda në Park Kombëtar, aty ku me ligj nuk lejohen as bagëtitë të kullosin”, lexon para Gjykatës së Apelit Aurora Leka.

Të njëjtën gjë pohon edhe Adem Xhokola, banor i fshatit Gjoçaj. Punimet për HEC-in “Sekë” në lumin Urakë, kanë sjellë pasoja, përcjell ai.

Të shkosh sot dhe të shohësh rrjedhën e lumit Urakë që vjen nga Kurbneshi… asht qelb e gjithë rrjedha e lumit sepse kanë ngordhur peshqit, trofta”, – citon 70-vjeçari Xhokola.

Ai, së bashku me Hasan Pashën dhe Abdi Toçin janë nisur për të ardhur në Tiranë para agimit. Rrugëtimi i vështirë u kushton atyre dy orë në këmbë dhe katër orë me makinë.

Jemi zgjuar që në orën katër të mëngjesit, për t’i thanë drejtësisë shqiptare: zbatoni ligjet”.

Të pranishëm në këtë protestë ishin dhe qytetarë të zonave të tjera të prekura nga ndërtimi i hidrocentraleve në zonën e Dibrës.

Në qoftë se hidrocentralin do të bëjë, ashtu si janë bërë hidrocentralet e mëparshme, të Komanit, të Fierzës apo Ulzës, unë pronën time që kam, falë atdheut ia kam dhanë”, – rrëfen një protestues.

Por nuk bahet për popullin, po për xhepat e oligarkëve. Asht privatizue gjithçka”, – tha ai.

Të tjerë aktivistë e konsideruan këtë kauze me rëndësi publike dhe kërkuan prioritet në trajtimin e saj.

Gjykata e Apelit reagon: Kemi ngarkesë, kërkojmë mirëkuptim  

Fill pas protestës, Gjykata Administrative e Apelit u shpreh se ata po përballen me një volum pune të lartë, ku trupa gjyqësore prej shtatë gjyqtarësh ka përafërsisht një ngarkesë prej rreth 16.850 dosjesh gjyqësore në gjykim.

Nga ana e trupës gjyqësore janë ende duke u gjykuar çështjet e regjistruara pranë kësaj gjykate në vitin 2016, ndërkohë që çështjet e përmendura më sipër janë regjistruar për gjykim në vitet 2020 e 2021”, shkruajnë në reagimin e tyre.

Duke e konsideruar të vështirë situatën në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë, ata kërkuan mirëkuptimin e të gjithë aktorëve, teksa garantuan opinionin publik se kanë angazhimin maksimal në trajtimin e çështjeve me paanshmëri.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *