Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Safe Journalists” të shqetësuar për pavarësinë dhe profesionalizmin e kandidatëve për kreun e AMA-s

“Ne jemi të shqetësuar për pavarësinë dhe profesionalizmin e dy kandidaturave për Kryetarin e AMA, të dy kriteret janë thelbësore për lirinë e medias dhe për proceset demokratike në Shqipëri”,-u shpreh Rrjeti i gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists) përmes një letre drejtuar ditën e sotme kreut të Kuvendit Gramoz Ruci.

Ky shqetësim vjen në kohën kur Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik vendosi të dërgojë në Kuvend dy emra si Armela Krasniqi dhe Alketa Dibra si kandidate për në krye të Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA).

Armela Krasniqi drejton aktualisht Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe është drejtoreshë komunikimi pranë Kryeministrit Rama, ndërsa Alketa Dibra punon në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave në Shkodër.

Sipas “Safe Journalists” zgjedhja e kryetarit dhe anëtarëve mund të pengojë lirinë e medias në Shqipëri nëse kryhen sikurse kanë nisur.

Ne shprehim shqetësimin tonë në lidhje me mangësitë në procedurën e përzgjedhjes së tyre, duke marrë parasysh që procesi është formal pa konkurrencë kuptimplotë dhe i kryer me nxitim brenda Parlamentit aktual, mandati i të cilit skadon së shpejti, njëkohësisht pa prezencën një opozite të mirëfilltë”, -thuhet më tej në reagimin e Rrjetit.

Ndër të tjera Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt përmend nevojën për anëtarë dhe kryetarë të AMA-s jo partiakë.

“Ju kujtojmë që Kryetari i AMA-s dhe anëtarët e bordit duhet të jenë juridikisht jopartiak dhe politikisht të pavarur, ndërsa formulat ligjore për zgjedhjen e tyre u kanë dhënë shumicës dhe opozitës parlamentare të drejtën për të propozuar ose refuzuar kandidatin i cili garanton këtë pavarësi dhe diversitetin në përbërjen e Bordit të AMA-s me përfaqësues të partive të ndryshme parlamentare. Me Parlamentin aktual, pa prezencën e opozitës së mirëfilltë, kjo nuk mund të garantohet”.

Grupimi i gazetarëve bën thirrje edhe për ndryshime në Ligjin e Mediave Audiovizive, ku i kërkon parlamentit të respektojë standardet evropiane dhe ta hartojë atë në përputhje me opinionin dhe standardet e Komisionit të Venecias.

Ne jemi të shqetësuar për ndryshimet në Ligjin e Mediave Audiovizive (referuar si ‘ligji i mediave online) të cilat u kundërshtuan nga shoqëria civile, organizatat e medias dhe rrjetet dhe shoqatat rajonale dhe ndërkombëtare të mediave, njëkohësisht u refuzuan nga Presidenti i Shqipërisë dhe Komisioni i Venecias në qershor të vitit 2020”.  

Letra i është dërguar edhe prezencës së OSCE në Shqipëri, Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri si dhe Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists), mbledh më shumë se 8,200 anëtarë në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe gazetarë nga Shqipëria, dhe vepron në rastet e shkeljeve e të drejtave të gazetarëve, kur rrezikohet siguria e tyre dhe kufizimi i lirive të medias.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *