Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot vendimin e qeverisë për të kaluar në pronësi të Bashkisë Tiranë Teatrin Kombëtar, duke e konsideruar këtë vendim si të papajtueshëm me kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.

“Shfuqizimin e vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”,  si i papajtueshëm me Kushtetutën”,-thuhet në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.

Po ashtu Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë ligjin që i hapi rrugë ndërtimit të godinës së re të Teatrit Kombëtar, duke e konsideruar po ashtu të papajtueshëm me kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese vendosi: Shfuqizimin e ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën”.

Mes të tjerash Gjykata ka lënë në fuqi vendimin e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar më 17 maj 2020.

“Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën“,-u shpreh Gjykata.

Vendimet e sotme të Gjykatës vijnë pak ditë nga momenti kur kreu i Bashkisë Tiranë Veliaj bëri me dije miratimin e lejes nga Këshilli Kombëtar i Territorit për nisjen e punimeve për Teatrin e Ri Kombëtar.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu