Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kuçovë: Gurorja ngjitur me shtëpitë e banimit shqetëson banorët

Pesëmbëdhjetë familje në lagjen “Postbllok”, Kuçovë prej shumë muajsh kanë ngritur shqetësimin e ndotjes akustike shkaktuar nga një biznes që përpunon gurë, vetëm pak metra larg banesave të tyre.

Me objektin “Nxjerrja, përpunimi, tregtimi i gurit dhe materialeve të tjera të ndërtimit”, firma “TERRASTON Berat” vijon aktivitetin, duke shkaktuar ndotje dhe nivel të lartë zhurme.

Ndërsa të tjerët kanë për fqinj një biznes ose një shtëpi tjetër, unë kam për komshi ato sharrat e gurit që ulërijnë aty”, – thotë Sajmira, teksa kujton rrugën e gjatë institucionale që ata si komunitet kanë ndjekur për t’ju rikthyer jetës së dikurshme.

Hapi i parë i tyre ishte mbledhja e firmave dhe dorëzimi i një ankese pranë Bashkisë Kuçovë.

E pamë që ishte e pamundur të banoje më në këtë zonë, u detyruam bëmë një peticion, ia çuam Bashkisë”, – rrëfen Esat Koxhaj për Citizens Channel, teksa sqaron se shqetësimi i komunitetit rreth zhurmave është i përbashkët.

Peticioni i banorëve të Kuçovës

Ankesa e qytetarëve ka ardhur me datën 16.05.2020. Janë një grup qytetarësh të shqetësuar për ndotjen mjedisore, ndotjen akustike”, – pohon për Citizens Channel Bardhyl Sula, drejtori i Drejtorisë së Mjedisit, Kontrollit Ushqimor dhe Veterinar.

Pas marrjes së informacionit, ata kanë dalë në terren për të verifikuar situatën. Pas tre verifikimeve të bëra në terren në maj dhe qershor të vitit 2020, ata konstatuan se situata nuk kishte përmirësim, pavarësisht paralajmërimeve ndaj firmës private për të marrë masa reduktuese ndaj zhurmës.

Detyra jonë si strukturë mjedisi është që të koordinojmë veprimet me inspektoratin e mjedisit dhe i dërgojmë një shkresë”, – pohon Bardhyl Sula, “i kërkuam një bashkëpunim që ta zgjidhnim këtë situatë”.

Bardhyl Sula, Drejtoria e Mjedisit, Kontrollit Ushqimor dhe Veterinar

Përgjigja e këtij institucioni ishte delegim i rastit pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) me arsyetimin se struktura e tyre po reformohet.

Institucionet shpjeguan se biznesi në fjalë nuk ka leje mjedisore pasi që të ketë një të tillë, duhet të përpunojë një minimum prej 5 metrash kub gur ose mermer në ditë.

Për të zgjidhur këtë problem, sa metër kub prodhon, i drejtohem Drejtorisë së Kontrollit Tatimor Berat. Edhe ata më kthejnë një përgjigje, më thonë: nuk kemi regjistra për këtë subjekt”, shpjegon Sula.

Bashkia Kuçovë ndërmerr hapin tjetër, kryen matjet për nivelin e zhurmave 

Duke parë situatën, Bashkia Kuçovë vendos të marrë një tjetër nismë për t’i dhënë drejtim situatës.

Ata kontraktojë një studio private për të kryer matjet e nivelit të ndotjes akustike. Pas matjeve të kryera nga “VIELF studio”, të dhënat e mbledhura nga koordinata të ndryshme, tregojnë një nivel të lartë ndotjeje, jashtë normave të lejuara në zonat e banuara.

Norma e lejuar në zonat urbane është 55 decibel (dB) ndërsa matjet tregojnë se mesatarja e zhurmave ishte 84 dB, me pikun që shkon deri në 108 dB.

Të rrish, si brenda edhe jashtë, këtu te shtëpia ime, nuk dëgjon dot as gruan, as fëmijët. As televizorin nuk e hap dot. Të dëgjosh një lajm nuk e dëgjon dot”, – ankohet Roko Kallmi.

Roko Kallmi, banor Posto-Bllok, Kuçovë

Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Elbasan bëri sërish një matje të zhurmës në mënyrë të pavarur, pas lajmërimeve të Bashkisë Kuçovë dhe verifikuan që ndotja ishte tej normave të lejuara në zonat e banuara.

Bëjnë një raport dhe nxjerrin 65-66 decibel, jashtë normave dhe na rekomandojnë që të marrim masa për mbylljen e subjektit”, – shpjegon Bardhyl Sula.

Kësisoj, Bashkia Kuçovë merr vendimin për ta mbyllur biznesin dhe i vendos gjobë prej 10.000 lekësh, sipas parashikimit ligjor.

Çfarë ndodh më pas?

Pas vendimit të Bashkisë Kuçovë, firma “TERRASTON Berat” i drejtohet Shëndetit Publik Berat për të bërë matje. Pas monitorimit të bërë, ky institucion del në përfundimin se zona ku po punohet listohet si zonë industriale dhe zhurmat nuk paraqesin problem për banorët.

Lagjja “Post-Bllok” mban fraksionin 4/140 dhe listohet sipas ndarjes administrative zonë urbane e jo industriale. Në këto zona, ndër të tjera ndalohen industritë e rënda, kimike dhe të tjera ndotëse për mjedisin. Hapi i fundit i firmës “TERRASTON Berat” ishte drejt Gjykatës së Vlorës ku ankimoi vendimin e Bashkisë Kuçovë.

Gjykata e Vlorës rrëzoi vendimin e Bashkisë Kuçovë dhe momentalisht firma po vijon punimet. Tashmë, Bashkia Kuçovë ka apeluar vendimin e Gjykatës së Vlorës.

Bashkia është duke ndjekur apelimin me qëllim”, – shpjegon për Citizens Channel nënkryetari i Bashkisë Kuçovë Sybi Shehu.

Sybi Shehu, Nënkryetar i Bashkisë Kuçovë

Ka fakte të forta që ai biznes në atë territor nuk duhet të ketë këtë aktivitet, i cili është aktivitet i palejueshëm sipas matjeve reale të zhurmave”, – përfundon ai.

I kontaktuar nga Citizens Channel, administratori i firmës “TERRASTON Berat”, Taulant Metohu u shpreh se nuk mund të komentojë për shkak të procesit gjyqësor i cili ende vijon dhe se do të respektojë vendimin e gjykatës.

Banorët: “Po s’u larguan ata, do të largohemi ne”

Firma “TERRASTON Berat” nuk është e pajisur me leje mjedisore pasi listohet si biznes i vogël i kategorisë C. Të njëjtin status mban edhe ofiçina në pronësi të Novruz Koxhaj, të cilën e ndan vetëm një mur nga gurorja.

Norvruzi tregon se zhurmat e vazhdueshme i kanë prishur planet që ai kishte për t’u zhvendosur nga qyteti në lagjen “Post-bllok”. Ai kishte planifikuar që katin sipër ofiçinës ta përshtaste në banesë dhe të zhvendosej bashkë me bashkëshorten e tij.

Zhurmat i ka kanë ndikuar dhe në rimtin e punës, shtjellon ai. “Nga kjo gurore kam një rënie të madhe në punë nga zhurma. Duhet të kontrolloj makinat për zhurma për kushineta, nuk dëgjoj asnjë gjë”, – thotë Novruzi për Citizens Channel.

Novruz Koxhaj, banor, Kuçovë

Bashkëshortja e tij, Liri Koxhaj, tregon se i druhet falimentit të ofiçinës, i cili është i vetmi subjekt të ardhurash për ata, me të cilën kanë shkolluar dy fëmijë në Tiranë.

Liri Koxhaj, banor, Kuçovë

Zhurmat mbi normën e lejuar më zonë të banuar duhet të ishte shkas për të pasur vendim në favor të komunitetit, shpreh Sajmira.

Po ç’na duhet ne se ça biznesi është? I madh apo i vogël? I tipit A apo i tipit B kur ne e dëgjojmë zhurmën për 12 orë rresht?”.

Sajmira Koxhaj, banore, Posto-Bllok, Kuçovë

Jemi detyruar t’i vë shtëpinë në shitje të iki që këtu fare, edhe do ta bëj dhe do ik”, – shprehet një tjetër banor, Arben Kallmi.

Po të gjithë jemi për t’u larguar ne, po s’u larguan ata do largohemi ne, se s’kemi rrugë tjetër”, – përsërit Esat Koxhaj.

Të tjerë banorë tregojnë se zhurmat kanë ndikuar edhe tek fëmijët, pasi i shpërqendron ata në bërjen e detyrave dhe u ka çrregulluar orarin e gjumit. Jo vetëm zhurmat, edhe pluhuri i ka detyruar banorët të “kyçen” në shtëpi.

E gjithë kjo situatë u ka shkaktuar edhe dëme emocionale. “Të tërë jemi me depresion, vëmë në shtëpi, bërtasim kot, nuk dëgjojmë njëri-tjetrin në familje fillojmë e ngremë zërin. Ça do bëjnë këto, nuk do venë drejt përplasjes, ku do venë?”, – përfundon Esat Koxhaj.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *