Foto: Ronald Qema

Gjykata Administrative e Apelit Tiranë ka lajmëruar se do të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar padinë e nëntë banorëve të Zall-Gjoçajt, ndaj Entit Rregullator të Energjisë (ERE) dhe firmës private “Seka Hydropower”, që aktualisht vijon punimet për ndërtimin e hidrocentraleve “Sekë” dhe “Zais” në zonën e Matit.

Në padinë e ngritur kërkohet shfuqizimi i vendimit nr.146, i datës 10.09.2020 që licencon këto dy HEC-et, që prekin lumin Flim, i cili rrjedh brenda Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj dhe lumin Urakë. Gjykata njoftoi se do të dalë me një vendim brenda periudhës shtator – tetor 2021.

Avokatja Dorina Ndreka, që përfaqëson ligjërisht komunitetin e Zall-Gjoçaj, u shpreh për Citizens Channel se vendimi i Gjykatës së Apelit është një lajm i mirë për banorët që janë organizuar prej tre vitesh në mbrojtje të natyrës.

Ne e vlerësojmë, se në këtë rast gjyqtari jo vetëm që e ka pranuar si kërkesë, në raste të tjera dhe na i kanë refuzuar, por ka lënë dhe një afat se kur mund të jetë”, – tha Ndreka.

Dorina Ndreka, avokate

Është një periudhë gjykimi shumë e mirë, duke qenë se kjo çështje në janar është mbyllur në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe ka çështje që kanë katër ose pesë vite që po presin në Gjykatën e Apelit. Jemi shumë mirë nga pikëpamja e kohës”, – vijon më tej ajo.

Edhe aktivistët e angazhuar në këtë kauzë u shprehën pozitivë.

Lajm i mirë po shpresojmë që të marrin vendimin e duhur, pa u ndikuar nga mafia e HEC-eve”, – u shpreh Alta Koleci.

Alta Koleci, aktiviste

Lajmi i sotshëm për pranimin e kërkesës për shqyrtim të përshpejtuar është i mirë, për shkak se kjo na jep siguri që çështja nuk do të lihet pas dore por do të shqyrtohet”, – citon aktivistja e grupit ATA, Diana Malaj.

“Këmborët ranë në veshin e Gjykatës së Apelit”

Vendimi i Gjykatës së Apelit për shqyrtim të padisë me procedurë të përshpejtuar erdhi nëntë ditë pasi aktivistë dhe banorë të Matit protestuan përballë këtij institucioni me këmbore në duar.

Aktivistët kërkuan pikërisht marrjen në shqyrtim të kësaj padie, pasi punimet në terren vijojnë me ritme të shpejta.

Fill pas protestës, Gjykata e Apelit doli me një deklaratë për shtyp, ku u shpreh se çështja do të shqyrtohet me paanësi, ndërkohë që kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve, pasi kanë një volum të lartë pune.

Deklarata e Gjykatës që doli brenda ditës së protestës “Për kë bien këmborët” ishte e rëndësishme pasi na dha sinjalin që “këmborët” ranë për veshin e Gjykatës dhe i dëgjuan”, – thotë Diana Malaj për Citizens Channel.

Diana Malaj, aktiviste e grupit ATA

Paditë e njëpasnjëshme nuk i ndaluan punimet në terren, tashmë sytë drejt Gjykatës së Apelit

Kjo është arritja e dytë e komunitetit të Zall-Gjoçaj sa i përket rrugës së gjatë ligjore që ata ndjekin prej dy vitesh. Pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, banorët kanë ngritur tre padi, por asnjëra prej tyre nuk ka urdhëruar ndalimin e punimeve.

Megjithatë, në janar të këtij viti, Gjykata e Shkallës së Parë, pasi shqyrtoi padinë e bërë sërish ndaj ERE-s dhe “Seka Hydropower” vendosi t’i heqë licencën hidrocentralit “Zais” duke mos e lejuar të prodhojë energji por nuk urdhëroi ndalimin e punimeve, me arsyetimin se nuk ishte çështje urgjente.

Vendimi për moslejimin e prodhimit të energjisë nga shoqëria “Seka Hydropower” për HEC-in “Zais” dhënë nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka qenë ndër lajmet më të gëzuara për banorët dhe aktivistët”, – kujton Malaj.

Ajo shpreson që do të ketë një vendim përfundimtar nga Gjykata e Apelit, që do të ndalojë vënien në punë të hidrocentralit brenda zonës së mbrojtur.

Kjo do të shënonte fitore të madhe jo vetëm për kauzën e Zall-Gjoçajt, por edhe për të gjitha përpjekjet ligjore për lumenjtë e Shqipërisë, dhe do të rikthente besimin në drejtësi”, – përfundon Malaj.

Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj është bashkuar me Lurën në vitin 2018, duke formuar parkun “Lurë-Mali i Dejës”, zonën me sipërfaqen më të madhe të mbrojtur në Shqipëri.

Sipas ligjit 81/2017 në zonat e mbrojtura të shpallura “Park Kombëtar” nuk mund të ndërtosh hidrocentrale.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu