Momente gjate ekspozites Foto nga Europe House

Dje, në ambientet e “Europe House” u çel ekspozita fotografike #999 Portretizime Shqiptare nga fotoreporteri David Hardy.

Projekti fotografik është një nismë që synon të realizojë një seri gjithëpërfshirëse portretesh të personave me kombësi shqiptare, e cila ka nisur që në Gusht të vitit  2019 e deri më tani ka realizuar 540 portrete.

“Kam punuar jo vetëm me pjesën e portreteve, por edhe pjesën e arkitekturës, ngjyrave, që mund të jetë një miks ndërmjet portretit dhe Tiranës”, shprehet Hardy për Citizens Channel.

Sipas fotoreporterit fokusi i punës së tij është përqendruar më shumë te stereotipet, duke dashur të tregojë dhe ndikimin e rrjeteve sociale tek secili nga ne.

“Ne jemi të bukur në këtë formë që ne jemi, nuk ka rëndësi nëse do të përdorim foto shop apo çfarëdolloj filtri”, thekson fotoreporteri.

E gjithë puna voluminoze e Hardyt por edhe pjesëmarrësve në projekt është tërësisht vullnetare, pavarësisht kësaj të pranishmit në ekspozitë e kanë vlerësuar me nota maksimale produktin e arrirë deri në këtë pikë të projektit.

Sergi Melaj

“Ishte një eksperiencë që duhej provuar patjetër për mua, më pëlqen diversiteti, shumë fytyra të veçanta nëpër foto, shumë ngjyra…”, tha Sergi Melaj,një nga pjesëmarrësit në projekt.

Egzon Avdiaj, një fotograf i pranishëm në ekspozitë ndau me Citizens Channel konceptin e tij për fotografinë duke e cilësuar atë një formë ndarje emocionesh që i përkasin jetës së përditshme.

‘Kam marr pjesë shumë rastësisht në projekt. Këto portrete do të mbeten, është një kujtim shumë interesant dhe për moshën që jam”, tha Gjyljana Bakalli.

Qëllimi final i Hardyt është finalizimi i punës në tre vëllime librash ku secili të përmbaj 333 portrete.

David Hrady

“Pjesa e librit mendoj që është shumë e rëndësishme jo vetëm për personat që kam fotografuar por gjithashtu që të mbetet një dokumentim real i kësaj kohe që ne jetojmë” pohon ai.

Ekspozita do të qëndroj e hapur gjatë gjithë javës për të pasionuarit e fotografisë dhe jo vetëm.

“Kam dashur të tregoj sesi e shikoj unë Shqipërinë përmes imazhit. Ndonjëherë është e vuajtur, ndonjëherë është e bukur, ndonjëherë është shumë e shpejtë”, përfundon Hardy.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu