Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Fier: “Vija e Ngjalës”- kanali mes banesave që sjell sëmundje dhe mjerim

Autore: Blerina Goce | Citizens Channel | Fier

Shpëtim Kazanxhiu, banor i fshatit Baltëz të Fierit vuan nga astma bronkiale. Bashkë me banorë të tjerë të fshatit, të vendosur në afërsi të lumit të Gjanicës ata janë të ekspozuar prej vitesh ndaj ndotjes.

“Kam problem nga ajri, se lumin e Gjanicë e kam afër dhe në mëngjes dhe në darkë më mbyt. Më mbyt, se unë dua ajër të pastër, por nuk kam”,-rrëfen Kazanxhiu.

Ndotja është vlerësuar vitet e fundit si shkaktare për sëmundje të ndryshme në këtë zonë. Edhe pse shpesh është folur për rritje të numrit të vdekjeve të shkaktuara nga ndotja, ngjan se asgjë nuk ka ndryshuar për këta banorë, të cilët i përkasin së shumti komunitetit rom dhe egjiptian.

“Siç i shikoni të gjithë kanalet janë të pa pastruar, më mbysin se nuk kam frymëmarrje të pastër. Pas ca ditësh do të bëj një koronare, se kështu më tha doktoresha e zemrës. Ajo më tha se gjithçka lidhet me ndotjen e ajrit. Sidomos në mëngjes dhe në darkë është vërtet e padurueshme.”, – shprehet ai për Citizens Channel.

Shpëtim Kazanxhiu

“Lumi vjen erë e keqe shumë. Doktori më ka thënë që të ruhem nga këto ambiente. Kam qenë edhe në Sanatorium dhe kam bërë sonda, i kam të gjitha dosjet mjekësore që tregojnë për këtë problem”, – vijon Kazanxhiu.

Të njëjtin problem me të ndan edhe Isa Veizi, një tjetër banor i Baltëzës.

“Vija e Ngjalës kalon afër familjeve rome këtu në Baltëz. Jam rreth 80 vjeç dhe kam që në kohën e monizmit në këtë vend. Lumi është bërë që në ’60-ën dhe ka ndotje të madhe. Ne po vuajmë prej vitesh dhe asnjë nuk ka vënë dorë dhe nuk e ka marrë përsipër këtë ndotje të këtij kanali të madh që është bërë këtu e që ne i themi vija e Ngjalës. Ne pleqtë nuk rezistojmë dot në darkë dhe në mëngjes herët. Megjithatë po rrimë nga e keqja se nuk kemi ç’të bëjmë.”,- thotë ai për Citizens Channel.

Isa Veizi

Isai thekson se çështjen e kanë bërë problem disa herë në Bashki dhe në organet kompetente, por asnjë nuk e ka marrë në shqyrtim.

 Dikur vend peshkimi, sot vend i ujërave të zeza

“Në kohën e Enverit, çdo 10-15 ditë vinte helikopteri dhe na e pastronte dhe dezinfektonte lumin. Tani ngelëm në mëshirë të Zotit. Këtu më përpara zinim dhe peshk. Tani nuk është më vend i gjuetisë. Këtu del vetëm kashtë dhe atje ka insekte të egra, të forta, nuk ka më gjë që të jetë e përshtatshme për njeriun.”, – rrëfen Isa Veizi, ndërsa shton se nga Vija e Ngjalës vjen erë shumë e keqe.

“Këtu derdhet tërë uji i thertoreve, ujërat e zeza, çdo kanalizim. Fëmijët e mi janë bërë të gjithë astmatikë dhe alergjikë. E kam shumë të sëmurë djalin, por edhe rreth 25 përqind të të gjithë familjarëve tanë preken nga gripi i parë që zbret dhe gjëra të tjera. Edhe gratë shtatzëna kanë shumë vështirësi. Sidomos në darkë nuk dalin dot përjashta. Nuk dimë çfarë të bëjmë dhe nuk dimë ku të ankohemi.”

Valbona Saçma jeton vetëm disa metra larg vijës së Ngjalës dhe pohon se dhe ajo është me astmë, pikërisht nga ndikimi që kanali ka në shëndetin e banorëve.

“Të them të drejtën shtëpinë e kemi 15 metra larg. Këtu të dalësh jashtë nuk del dot, sidomos mbasdite apo në darkë se mban erë shumë. U bënë njerëzit me astmë. Unë vetë personalisht jam me astmë. Plus mushkonjat që janë shumë. Jemi me fëmijë të vegjël dhe nuk i nxjerrim dot jashtë se iu infektohet trupi nga mushkonjat që vijnë nga lumi.

Valbona Saçma

Ajo mban shpresën se bashkia do të vihet në dijeni të situatës dhe do të zgjidhë problemin.

Probleme edhe me lindjet dhe shëndetin e bebeve

Studime të ndryshme kanë vënë në pah se ndotja e lumit Gjanica lidhet drejtpërdrejt me peshën e ulët të lindjes së bebeve në zonë.

Cilësia e ajrit dhe ndotja industriale lidhet edhe me shqetësime të tjera shëndetësore në këtë zonë, si: me probleme të frymëmarrjes, çrregullime të mëlçisë dhe ndikim në gjak, ndërsa ndikojnë drejtpërdrejt edhe në lindshmëri dhe në shëndetin e bebeve të porsalindura në Shqipëri.

Kjo është ajo çfarë theksohet në raportin e monitorimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ku sillen edhe shembuj konkretë të studimit të këtij ndikimi.

14 përqind e familjeve të intervistuara në këtë zonë kanë regjistruar peshë të ulët të lindjes të fëmijëve.

Vija e Ngjalës Gjanica

Duke pasur parasysh shqetësimet e bëra publike në media, KSHH ka ndjekur dhe verifikuar për më shumë se tre vjet ankesat e banorëve, banesat e të cilëve gjenden përgjatë shtratit të lumit Gjanica.

“Një burim shqetësues i ndotjes së mjedisit nga nxjerrja dhe përpunimi i hidrokarbureve nga subjekte private, urbane, mbetje të ngurta dhe të lëngshme të shkarkuara mbi rrjedhën e këtij lumi nga sektori industrial, bizneset, qytetarët, por edhe nga ndërmarrjet e grumbullimit të mbetjeve dhe përpunimit të komunave përkatëse”,- thuhet në raport.

Përballë mungesës së informacionit, dështimi për të marrë masa konkrete për të identifikuar operatorët ndotës dhe rehabilitimin e mjedisit në përputhje me parimin “ndotësi paguan”, vërehet se KSHH, si përfaqësues i tre banorëve të qytetit të Fierit dhe interesit publik, ka ndjekur këtë çështje që nga janari 2019 përmes mjeteve ligjore.

Ndikim edhe në gjak; Gratë më të prekura se burrat

Sipas studimeve, ndotja e ajrit rrit ndjeshëm rrezikun e peshës së ulët të lindjes tek foshnjat.

Të dhënat Rajonale të Shëndetit Publik në Fier, për 9 muaj të vitit 2017, flisnin gjithashtu për një numër të konsiderueshëm të grave dhe vajzave me çrregullime të gjakut (nga 14 pacientë, 10 prej tyre janë gra).

Organizata TIRC (Together for Roma Integration) e cila operon në bashkinë e Fierit ngre problemin e ndotjes së ujit së lumit Gjanica nga hidrokarburet dhe mbetjet inerte, të cilat derdhen në gjithë gjatësinë e rrjedhës së lumit, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore.

Eduart Koçi duke folur me banorët

Eduart Koçi, drejtues i TIRC bën me dije se sipas një anketimi të bërë me banorët e fshatrave të vendosur në dy anët e lumit, Baltëz dhe Drizë, banorët shfaqin probleme në semundje që kanë të bëjnë me mushkëritë, sëmundje kancerogjene, irritime në sy, hundë, grykë, si dhe probleme me lëkurën.

Ai shton se përveç ndikimit në shëndetin e banorëve që jetojnë në këtë zonë edhe flora dhe fauna e lumit Gjanica është e shkatërruar dhe në rrezik zhdukje përfundimtare.

Koçi tregon se e kanë adresuar problemin në bashkinë e Fierit, duke kërkuar marrjen e masave dhe reduktimin e ndotjes.

“Bashkia Fier ka gjobitur disa nga kompanitë të cilat ndotin lumin, por kjo nuk është e mjaftueshme pasi subjektet do të vazhdojnë të ndotin nëse nuk merren masa konkrete për reduktimin e ndotjes dhe përmirësimin e situatës,”-vëren Koçi për Citizens Channel.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *