Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Teatri si fund i alibisë se drejtësia në këtë vend nuk do të vendoset kurrë”

Nga: Gjyljana Bakalli

Drejtësia për Teatrin po vendoset. Godinën e shembën, por nuk ia dolën dot që ta fshehin paligjshëmërinë që bënë duke miratuar akte antiligjore. Këtë e vulosi vendimi nr. 29, datë 02.07.2021 të dhënë nga Gjykata Kushtetuese, tashmë plotësisht i zbardhur.

Historia e paligjshëmërive mbi truallin dhe godinën e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental ka nisur shumë vite më parë, por u konkretizua me miratimin e ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””, i pari ligj fillimisht i miratuar me emrin e një kompanie private që ishte vendosur në mënyrë të dyshimtë si fituese e projektit të paraqitur nga “Bjarke Ingels Group”. Gjithashtu transferimi i truallit të Teatrove nga Ministria e Kulturës te Bashkia Tiranë me VKM nr. 377, datë 08.05.2020 “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr. 1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar” në zonën kadastrale 8150, Tiranë” solli si pasojë veprimet antiligjore të shkatërrimit të godinave me anë të Vendimit të Këshillit Bashkiak Tiranë të Bashkisë Tiranë nr. 50, datë 14.05.2020 “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë së Tiranës, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së “Teatrit Kombëtar”.

Vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese mban këto qëndrime lidhur me aktet ligjore të sipërmendura.

  • Lidhur me antikushtetueshmërinë e ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””

Gjykata Kushtetuese ka konkluduar se ligji ka qenë në fuqi, pasi nuk ka dalë një ligj tjetër që ta ketë shfuqizuar atë. Edhe pse ka parashikuar disa afate, ato nuk shterojnë ose pushojnë fuqinë juridike të tij, sepse ligji nuk ka parashikuar se veprimet kryhen vetëm një herë apo se e drejta për të kryer veprimet shuhet për shkak të tejkalimit të afatit. Gjithashtu ligji ka cënuar lirinë e veprimtarisë ekonomike, pasi mungesa e fondeve financiare nuk përligj interesin publik të miratimit të ligjit. Sidomos kur kjo mungesë nuk ka qenë shkaku i miratimit të ligjit, sepse autoritetet publike, pasi procedura fillestare u shpall e pasuksesshme, tentuan realizimin e projektit pikërisht rregullave tё përgjithshme të prokurimit publik me fonde buxhetore. Ligji ka favorizuar një kompani të veçantë, e cila edhe pse nuk përmendet nominalisht, është pronare e pasurisë së paluajtshme, pjesë e sipërfaqes së përgjithshme ku do të ndërtohet teatri i ri kombëtar, vendoset në një situatë më të favorshme. Gjithashtu duke parashikuar kriterin e marrëveshjeve të arritura dhe të nënshkruara me pronarët privatë që posedojnë pasuritë në zonën e zhvillimit të projektit, vendosin kufizim të lirisë së veprimtarisë ekonomike. Gjithashtu prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj, ku të dyja kategoritë e pronave gëzojnë mbrojtje kushtetuese dhe së dyti, se mbrojtja e pronës private edhe asaj publike, duhet të udhëhiqen nga parime të njëjta. Prandaj ligjvënësi, duhet që në miratimin e ligjeve përkatëse për këto kategori pronash, të jetë i arsyeshëm dhe racional jo vetëm në lidhje me procedurat që duhet të ndiqen, por edhe me përmbajtjen e rregullave me qëllim ruajtjen dhe menaxhimin e pronës për interes publik. Nga ana tjetër, ligji nr. 37/2018 është në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës, lidhur me procesin e vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare nga institucionet përkatëse, sepse procesi i kryer nga institucionet kompetente ka dhënë rezultate tërësisht të ndryshme në funksion të vlerës kulturore të Teatrit Kombëtar, në një kohë shumë të shkurtër dhe organet shtetërore nuk janë sjellë në mënyrë koherente, kanë krijuar mosbesim te shteti i së drejtës, si dhe kanë dështuar në kryerjen e procesit të duhur ligjor për procesin e vlerësimit të godinave të Teatrit Kombëtar. Gjithashtu ligji ka shkelur parimet e decentralizimit, qeverisjes vendore dhe ndarjes e balancimit të pushteteve, sepse në momentin e miratimit të ligjit nr. 37/2018 vënia në dispozicion e sipërfaqes prej 2.100 m2 në pronësi të Bashkisë së Tiranës, nuk është nënshtruar për diskutim paraprak në Këshillin Bashkiak Tiranë, edhe pse Kuvendi ka qenë në dijeni se një pjesë e pronës shtetërore ka qenë në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

  • Lidhur me antikushtetueshmërinë e VKM nr. 377, datë 08.05.2020 “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr. 1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar” në zonën kadastrale 8150, Tiranë”

Gjykata Kushtetuese ka konkluduar se miratimi i VKM ka cënuar parimin e hierarkisë së akteve ligjore dhe krijon, gjithashtu, pasiguri dhe paqartësi në zbatimin e këtyre normave juridike, duke miratuar të njëjtat përcaktime juridike me dy akte me vlerë të ndryshme ligjore ligj dhe VKM, pa asnjë referencë te njëri – tjetri, jo në kuptimin formal, por në substancë, nga dy organe të ndryshme, pavarësisht faktit se organet kushtetuese kanë hapësirën e tyre të vlerësimit për rregullimin e çështjeve ligjore në kompetencë të tyre, por në zgjedhjen e instrumentit ligjor ato duhet të respektojnë shtetin e së drejtës, të garantojnë koherencën e rendit juridik dhe hierarkinë e normave të tij.

  • Lidhur me antikushtetueshmërinë e Vendimit të Këshillit Bashkiak Tiranë të Bashkisë Tiranë nr. 50, datë 14.05.2020 “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë së Tiranës, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së “Teatrit Kombëtar”

Gjykata Kushtetuese shprehet se nuk u arrit kuorumi i nevojshëm ligjor[1], pasi qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë, për sa i takon juridiksionit të Gjykatës në lidhje me këtë akt, kur nuk formohet shumica prej 5 gjyqtarësh, kërkesa konsiderohet e rrëzuar pa u shqyrtuar bazueshmëria e tij. Fillimisht nuk ka qenë e përfshirë në objektin e ankimit kushtetues antikushtetutshmëria e VKB nr. 50, datë 14.5.2020, por është shtuar gjatë seancës së datës 15 qershor 2021. Ndërkohë ky akt nënligjor është ankimuar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e cila pezulloi gjykimin deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.

  • Lidhur me pezullimin e zbatimit të akteve

Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 dhe të VKM-së nr. 377/2020 deri në hyrjen në fuqi të vendimit të saj bashkë me vendimin përfundimtar, sepse zbatimi i ligjit nr. 37/2018 dhe VKM-së nr. 377/2020 mund të sjellë pasoja të menjëhershme dhe të pariparueshme.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese sipas objektit të ankimit të paraqitur nga Presidenti është shterrues dhe i mbushur me detaje me rëndësi për zbardhjen e dinamikës së ndodhjes së ngjarjeve për Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Kombëtar Eksperimental. Një pikë e paqartë mbetet kalimi nga tokë publike e patjetërsueshme në pronësi të Ministrisë së Kulturës në tokë shtetërore. Ndërkohë, Gjykata konstaton se për sa i përket statusit të pronës ku gjendeshin godinat e Teatrit Kombëtar, gjatë seancës plenare të datës 15.06.2021 përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave është përgjigjur se ajo pronë ka pasur statusin e pronës publike të patjetërsueshme dhe në bazë të funksionit dhe destinacionit të saj, ajo ka ndryshuar status nga pronë publike në pronë shtetërore. Me urdhrin e ministrit nr. 612, datë 07.09.2018, është ndryshuar funksioni i institucionit të kulturës dhe i vendit ku ai ushtron aktivitetin kulturor duke pasur parasysh gjendjen e rrënuar të identifikuar nga Instituti i Ndërtimit.

VKM-ja nr. 377/2020 është miratuar në kundërshtim me nenet 112 dhe 118 të Kushtetutës pa autorizim ose referencë ligjore, pasi ligjet nr. 8743, datë 22.02.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar dhe nr. 8744, datë 22.02.2001 “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, për pasuri të kësaj natyre me karakter kombëtar nuk parashikojnë në asnjë dispozitë të tyre transferimin e pronës me VKM. Baza ligjore e kësaj VKM-je nuk autorizon kalimin e pronësisë nga Këshilli i Ministrave te njësitë e qeverisjes vendore, por vetëm kalimin në përgjegjësi administrimi. Kjo pasuri duhej të transferohej me ligj dhe jo me VKM.

Gjithashtu fakti që nuk u mor në shqyrtim VKB nr. 50 date 14.05.2020, nxit debate juridike, pasi Gjykata Kushtetuese VKM nr. 377 datë 08.05.2020 e ka konsideruar akte normativ, por për mungesë të kuorumit nuk u mor fare në shqyrtim antikushtetutshmëria e aktit nënligjor të nxjerrë nga Bashkia Tiranë. Duke qenë se aktet e nxjerra më parë në kohë nuk referonin te njëri-tjetri, gjithashtu dhe VKB referohet te ligji nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. Për të konkluduar se ky akt është nxjerrë në kundërshtim me ligjin duhet pritur vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Gjykata Kushtetuese vuri një gur themeli në vendosjen e drejtësisë lidhur me çështjen e Teatrove, duke shfuqizuar ligjin dhe VKM, por pa shqyrtuar dot VKB, duke shërbyer si një precedent i rëndësishëm për respektimin e parimeve bazë të shtetit të së drejtës e që ruan memorien historike si një mjet identitar për shtetin shqiptar. Tashmë duhet pritur që drejtësia të kujdeset për përgjegjësit e shkatërrimit të Teatrove sa më shpejt.

[1] Votuan se Gjykata ka juridiksion gjyqtarët: Marsida Xhaferllari, Përparim Kalo dhe Sonila Bejtja.

[2] Votuan se Gjykata nuk ka juridiksion gjyqtarët: Vitore Tusha, Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Altin Binaj.

*Gjyljana Bakalli është juriste në profesion dhe qytetare e angazhuar në kauza me interes publik

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *