Pamje nga mbledhja e Komitetit Teknik te henen

Varianti Delta u konfirmua zyrtarisht në Shqipëri më 25 korrik, nga prezenca e këtij virusi në kampionet e dërguara në Institutin e Virologjisë – Charite në Berlin të Gjermanisë.

Ilir Alimehmeti

“Varianti delta i SARS-CoV-2 paraqet transmetueshmëri më të lartë, rreth 40% më të lartë se sa varianti alfa, që përkthehet në një numër më të lartë personash që mund të infektohen”, – u shpreh për Citizens Channel epidemiologu Ilir Alimehmeti.

Komiteti Teknik deklaroi në mbledhjen e së hënës se rastet e të infektuarve me variantin Delta u identifikuan në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Kavajë, Gjirokastër, Korçë, Peqin, Mat dhe Vlorë.

“Janë gjashtë raste që kanë qenë të vaksinuar, dy raste janë raste të cilët kanë lidhje me udhëtimin në Mbretërinë e Bashkuar dhe kanë qenë të vaksinuar me Astra Zeneca, dy raste të tjera kanë qenë me Pfizer, vetëm me një dozë, por brenda 10 ditëve të periudhës së inkubimit, dmth që nuk kanë krijuar mbrojtje dhe dy raste të tjera kanë qenë të vaksinuar me coronavac”, – tha shefja e departamentit të epidemiologjisë në Insitutin e Shëndetit Publik Silva Bino.

Sipas Alimehmetit vaksina ka efektivitet të lartë për të mbrojtur nga format e rënda të sëmundjes dhe efektivitet mesatar për mbrojtjen nga infektimi.

Vaksinim, Vaksinim, Vaksinim, si arma më e fuqishme për të frenuar përhapjen e virusit dhe për të shpëtuar jetë!”, – shkruan Ministria e Shëndetëisë Ogerta Manastirliu në statusin e saj në Facebook.

A ndikoi në sjelljen e variantit të ri Delta hyrja e patestuar e turistëve ?

Për të hyrë në Shqipëri ndryshe nga vendet e tjera të rajonit nuk kërkohet test negativ i Covid-19.

“Është e pamundur të bllokosh lëvizjen e virusit përmes kufijve”, – pohoi eksperti Alimehemeti.

Ai përmend rastin e shtetit të Australisë i cili edhe pse vendosi dënim me burg për personat që udhëtonin nga India drejt Australisë, sërish varianti Delta e gjeti rrugën pa problem.

INSTAT raportoi se hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin qershor 2021, janë 939.872. Krahasuar me qershor 2020, ky tregues rezulton me një rritje 2,6 herë.

Ky rikuperim ka ardhur tërësisht nga turistët nga Kosova. Shtetasit nga Kosova po mbajnë peshën kryesore të turizmit në vend, duke përbërë 55% të hyrjeve totale në qershor të këtij viti, nga 34% në të njëjtën periudhë të 2019-s.

Burimi: Instat

Alimehmeti shpjegon se në rastin e një vendi si Shqipëria që varet gjerësisht nga turizmi por edhe që ka krijuar tashmë një përqindje të rëndësishme personash të imunizuar natyralisht apo përmes vaksinimit, është krejtësisht e natyrshme të shkojë drejt hapjes së kufijve.

“Në vjeshtë do të ketë patjetër një rritje fiziologjike të rasteve, por nuk do të jetë absolutisht e krahasueshme me valët e sezonit të kaluar, sidomos për sa i përket numrit të formave të rënda dhe humbjeve të jetës”, – përfundon ai.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu