Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Djegia e mbetjeve në Fier prej katër ditësh, rrezikon shëndetin e banorëve

Prej katër ditësh, qyteti i Fierit dhe zonat përreth tij janë mbështjellë nga tymi i dendur i shkaktuar nga djegia e mbetjeve në landfillin e qytetit.

Zjarri nisi të martën paradite në fushën e mbetjeve që ndodhet në fshatin Sheq, një hapësirë prej gjashtë hektarësh, ku për 30 vite grumbullohen mbetjet e qytetit dhe nëntë njësive administrative.

Banorët shprehen se prej ditësh tanimë e kanë të pamundur daljen jashtë shtëpive.

Jemi, të rrezikuar jemi. U bllokuam brenda në shtëpi. Ça do bëjmë”,- rrëfen njëra nga banoret.

Disa të tjerë, shtëpitë e të cilëve ndodhen poshtë hekurudhës ku edhe ra zjarri, u detyruan të largohen nga banesat e tyre.

Banore e lagjes së hekurudhës

Erdhi sot në mëngjes. Po ja shtëpia ku është”.

Ndërsa të tjerë banorë u përpoqën të ndihmojnë në fikjen e zjarrit për të ndaluar përhapjen e tij.

“Morën traversat kshtu lart se kishte barëra këtu. Mirëpo kur merr traversi këtu u fut nga poshtë zjarri. I fikëm me bidona, mbush tek ajo zjarrfikësja”.

Përfaqësues të bashkisë u shprehën se në procesin e fikjes së zjarrit janë përfshirë të gjitha mjetet e nevojshme, ndërsa po veprohet më shumë me mbulimin e vatrave të zjarrit me dhé.

“Të tërë mjetet e Bashkisë së Fierit, por edhe të firmave private që na janë gjendur në këtë situatë të vështirë janë të tërë të angazhuar për fikjen e zjarrit, të vatrave të zjarrit dhe për të menaxhuar situatën. Po e bëjmë me mbulimin me dhé të vatrave të zjarrit si e vetmja mundësi pasi vetë mbetjet gjenerojnë gazra metani që janë shumë të rrezikshme dhe marrin flakë vetvetiu dhe është e pa menaxhueshme situata në këto kushte”,- u shpreh Arjan Ndreu, Drejtor i Ndërmarrjes së Pastrim Gjelbërimit pranë Bashkisë Fier.

Arjan Ndreu, Drejtor i Ndërmarrjes së Pastrim Gjelbërimit pranë Bashkisë Fier

Ndotja mjedisore e shkaktuar nga fusha e mbetjeve nuk është për herë të parë në Fier. 10 vite më herët, Bashkia Fier shpalli gjendjen e emergjencës, pasi djegia e mbetjeve nga ky landfill ishte e vazhdueshëm.

Qyteti i Fierit, bashkë me Tiranën dhe Elbasanin kanë përfituar së fundmi nga investimet e qeverisë përmes ndërtimit të incineratorëve.

Mirëpo edhe pse qeveria shqiptare ka paguar 28 milionë euro përmes një kontrate partneriteti publik-privat, incineratori ende nuk është vënë në punë.

Incineratori duhet të kishte përfunduar brenda dhjetorit të 2020, por sipas kontratës së rinovuar mes Agjencisë kombëtare të Ujësjellës kanalizimeve dhe Insfrastrukturës dhe kompanisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier sh.p.k” afati u shty për në fund të marsit të vitit 2021.

E me gjithë këtë, ai ende nuk është vënë në punë. Koncesionet e dhëna për inceneratorët janë duke u hetuar nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, (SPAK).

Në ditën e tretë të djegies së mbetjeve në fushën e mbetjeve, kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi u shpreh se deri më tani pengesë për dërgimin e mbetjeve në incinerator ka qenë mungesa e infrastrukturës rrugore dhe mjeteve specifike të transportit.

“Ajo ç’ka ka ngelur dhe kanë mbetur pothuajse ditët e fundit të punës tonë është rehabilitimi i rrugëve që do na çojnë tek incineratori, pasi vendi ku është sigurisht nuk i ka pasur rrugët e bëra, ndaj duhet që të sistemojmë rrugët për të shkuar deri atje. Së dyti jemi duke përfunduar një stacion për transferimin e mbetjeve, sepse distanca nga qyteti i Fierit deri te incineratori është një distancë e konsiderueshme”,- u shpreh kryetari i Bashkisë Fier.

Armando Subashi, kryetar i Bashkisë Fier

Ekspertët: Çlirimet nga djegia e mbetjeve, të rrezikshme për shëndetin e banorëve

Në ditën e katërt nga djegia e mbetjeve në Fier, niveli i dioksidit të karbonit shënoi shifrën 720, afër dyfish më lart se standardi i përqendrimit të CO2 në rang global.

Foto: Rodion Gjoka

Sipas Rodion Gjoka, ekspertit të mjedisit dhe energjisë pranë Institutit për Zhvillimin e Habitatit “Co-Plan”,  nga djegia e mbetjeve çlirohen në ajër shumë elementë si dioksina, furane, polikarbonate, okside të squfurit dhe okside të azotit.

Këto janë komponentë kimikë të cilët njihen në shkencë si më të rrezikshmit ndaj gjallesave dhe organizmave biotikë. Kjo për dy arsye kryesore, e para lidhet me qëndrueshmërinë e tyre ndaj faktorëve të jashtëm, e cila për rrjedhojë lejon përçimin e tyre në të gjithë zinxhirin ushqimor. Së dyti, në aspektin shëndetësor efektet janë të menjëhershme duke nisur me djegie dhe irritim te shqisave e traktit respirator, për të vijuar me çrregullime hormonale, sëmundje të lëkurës, reduktim të aftësisë imunitare, degradim te mëlçisë, reduktim të fertilitetit karshi të dy gjinive”,- shprehet Gjoka për Citizens Channel.

Sipas tij tanimë në Fier duhet të ishte shpallur emergjenca mjedisore.

Autoritetet kombëtare dhe lokale në Fier, jo më vonë se datat 27-28 korrik duhet të kishte shpallur gjendjen e emergjencës dhe të merrte masa të rrepta për evakuim të përkohshëm e të gjithë grupeve të riskut nga zona ekspozimit“,-sqaron Gjoka.

Rodion Gjoka, Instituti për Zhvillimin e Habitatit

Pasojat e kësaj ngarjeje do të jenë edhe të mëvonshme, rrëfen eksperti mjedisor.

“Gjurma ndotëse që po përhapet nëpërmjet mjegullës dhe kushteve klimatike do të kontaminoje tokën dhe ujërat në zonë për t’u futur më tutje në zinxhirin ushqimor nëpërmjet të mbjellave që do të prodhohen në atë zonë në të ardhmen”.

Gjoka dhe Instituti për Zhvillimin e Habitatit “Co-Plan”, janë duke kryer matje ditore në afërsi të zonës së Sheqit për një sërë komponentësh sikurse: PM25, PM10, CO2, CO, SO2, NO2.

Matjet e fundit tregojnë shifra të larta të përqëndrimit të këtyre komponentëve.

“Paraprakisht mund të them se kemi rregjistruar për komponentët e PM, SO2 dhe CO2 vlerat më të larta në 4 vitet e fundit në një zonë urbane. Të dhënat specifike do të jenë pjesë e një publikimi dhe qëndrimi institucional që Co-PLAN do të ketë në raport me këtë çështje në momentin kur përqëndrimi i këtyre komponentëve në ajër t’i kthehet normalitetit”, –përfundon eksperti Gjoka.

Ndihmoi në raportim nga terreni: Fatmira Bajrami|Gazetare në Fier 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *