Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tiranë: Një pallat në vend të parkut mes banesave

Gazetare: Elira Kadriu dhe Erisa Kryeziu 

Në hapësirën brenda një kompleksi banimi në zonën e Astirit është duke ngritur krye një tjetër pallat. E projektuar si një ndërtesë me tetë kate dhe një parkim nën tokë, pallati do të shërbejë për banim dhe shërbime.

Tabela shpjeguese para pallatit

Banorët apo personat që kanë bizneset aty pranë tregojnë për Citizens Channel se edhe pse kanë vite që jetojnë në këtë zonë nuk kishin informacion se çdo të bëhej me këtë shesh.

Ata shprehen se prej 14 vitesh hapësira mes pallateve të tyre ishte përdorur për të qëndruar fëmijët apo edhe për të lënë makinat e tyre.

“Po, diçka e tillë flitej që do bëhej park, lulishte për fëmijët, për pleqtë, këto gjëra që i nevojiten komunitetit për të jetuar çik më mirë, më me gjallëri, më me kulturë, më me njerzillëk”,-shprehet një nga banorët e zonës.

Banor në Astir

Sipas tyre, kjo hapësire duhet të ishte një shesh për fëmijët që banojnë aty pari, pasi që hapësirat e gjelbra dhe parqet janë të limituara në këtë zonë.

Më dhimbset, më dhimbset lagja që është bërë beton, në një kohë që duhet të ishte shesh, shesh, shesh për kalamajt, shatërvan, lulishte. Ky pallat është gangrenë për pallatet, për banorët”,-rrëfen një tjetër banor.

Banor në Astir

Banorët tregojnë se janë ngritur në protestë më herët kundër këtij ndërtimi.

Kam goxha vite që kur është bërë pallati tjetër andej, të tërë u ngritën dhe asnjë nuk i dëgjoi, të gjithë banorët u mblodhën. Kanë forcën, kanë lekun, s’mund të dalësh dot mbi ta”,-u shpreh një tjetër banore.

Banore në Astir

Ata shprehen të pafuqishëm përballë kësaj situate, ndërsa e shohin jetesën në qytet mjaft të vështirë duke mos pasur hapësira publike mjaftueshëm pranë qendrave të tyre të banimit.

Ekspertët: Rregulloret e Planit të Përgjithshëm Vendor lenë hapësirë për abuzime

Plani i Detajuar Vendor që përcakton zhvillimin e zonës mungon për publikun, duke mos e bërë transparente procesin e ndërtimit, në një kohë kur e gjithë zona e Astirit është e mbi ndërtuar.

Sipas ekspertëve procedurat e ndërtimit të saj janë të ligjshme, edhe pse abuzimi është i dukshëm, pasi ndërtesa po ngrihet në mes të nje kompleksi banimi, pak metra nga ballkonet.

Plani i përgjithshëm vendor i Bashkisë së Tiranës i jep mundësinë çdo zhvilluesi që ta thyejë kushtin e lartësisë në kate. Po themi, nëse në zonë është parashikuar 8 kate sipas rregullores së planit një zhvillues mund të shkojë edhe 11 kate, duke hequr dorë nga koeficienti i shfrytëzimit”,-sqaron arkitekti Arnel Çela.

Sipas tij, ajo ç’ka është problematike ka lidhje me përcaktimet ligjore për ndërtuesit, kryesisht me distancën dhe intensitetin e ndërtimeve.

Rregullorja e planit të përgjithshëm ka një kusht distance që këtë kusht e përcakton me VKM qeveria e Republikës sonë dhe në planin e përgjithshëm vendor, rregullorja thotë që 3 katet që unë ti jap bonus ti nuk ke detyrimin ti nënshtrohesh kushtit të distancës, domethënë ti mund të jesh edhe afër më shumë se ç’e lejon ligji”,-argumenton arkitekti Çela.

Arnel Çela, arkitekt

Ai shtjellon se e njëjta gjë ndodh edhe me intensitetin e godinave, ku sipas një neni të rregullores të planit të përgjithshëm vendor, ndërtuesi ka të drejtë të zhvillohet në një lartësi të madhe përmes intensitetit me kusht.

“Objektet e ndërtuara me këtë lloj mekanizmi, me intensitet me kusht janë të përjashtuar nga kushti i distancave, çka do të thotë që një objekt i ndërtuar me këtë mekanizëm mund ti ofrohet një objekti tjetër edhe një metër, edhe dy metër”,-vijon më tej Çela.

Sipas tij, ka nevojë për ndërhyrje në mënyrën si konceptohen rregulloret, pasi në këtë formë që janë i japin mundësi ndërtuesit të zhvillohet në mënyrë të papërcaktuar.

Ndërsa rishikimi i planit vendor të Tiranës duhet bërë sa më shpejt me qëllim që të shmanget kolapsi urban që sipas Çelës duket i afërt.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *