Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shqipëri: Pasojat mjedisore të zjarreve ndër vite, 400 mijë hektarë tokë e djegur dhe 6.2% më pak pemë

Për më shumë se dy javë, Shqipëria u përfshi nga zjarret që dëmtuan sipërfaqe të mëdha toke. Ministria e Mbrojtjes raportoi sot se janë fikur pothuajse të gjitha vatrat e zjarreve aktive, përfshirë Mirditën, Kukësin dhe Vlorën, të cilat ishin zonat më të prekura nga zjarri.

Temperaturat shumë të larta kanë bërë që zjarret të përhapen në bashki të ndryshme të Shqipërisë si Vlora, Lezha, Mirdita, Kukësi, Pogradeci, Fushë-Kruja, Skrapari, Gjirokastra Vora dhe Tropoja.

Shqipëria ka rreth 30 vite që është në emergjencë kombëtare sa i përket situatës mjedisore dhe veçanërisht asaj në pyje”, – thotë eksperti pyjor Abdulla Diku, duke iu rikthyer zjarreve masive që janë lajm prej vitesh në stinën e verës.

Sipas të dhënave të publikuara nga Sistemi Europian i Zjarreve në Pyje (EFFIS), Shqipëria prej vitit 2007 deri në vitin 2020, ka humbur rreth 400,000 hektarë tokë nga zjarret e vazhdueshme.

Të dhënat e Global Forest Watch tregojnë të njëjtën gjë. Përkthyer në përqindje, në 20 vjet, Shqipëria ka humbur 6.2% të sipërfaqes së pemëve nga zjarret dhe faktorë të tjerë.

Duke e pjesëtuar shifrën totale me periudhën 14-vjeçare (2007-2021), rezulton se demi në një vit të vetëm është rreth 180 milionë euro”, – shpjegon eksperti Diku.

Përveç dëmit ekonomik, eksperti pyjor Abdulla Diku shpjegon se zjarret e shumta që kanë përfshirë shumë shtete të botës, përfshirë dhe Shqipërinë do të kenë ndikim në ngrohjen globale.

Çlirimi i dyoksidit të karbonit në natyrë jo vetëm që është shumë i dëmshëm për shëndetin, por ka edhe efekt në ngrohjen globale”, – thotë ai, “duke kontribuar kështu negativisht si në potencialin që ekosistemet pyjore kanë në përthithjen e këtij gazi, por edhe duke shtuar prezencën e tij në atmosferë”.

Risjellja e pyllit në jetë do të dojë shumë kohë dhe mënyra më e mirë për ta bërë atë është ripyllëzimi me fara, shpjegon eksperti Diku, por si praktikë është shumë e kushtueshme, veçanërisht kur sipërfaqe të mëdha pyjore janë dëmtuar.

Cikli jetësor i pyllit është shume i gjatë, ndaj dhe restaurimi kërkon shumë kohë. Zakonisht periudha e rigjenerimit natyror shkon 100-200 vjet, në varësi të moshës së pyllit të djegur”.

Një tjetër rrezik që shoqëron zjarret masive është fenomeni i erozionit.

Degradimi i tokës nga erozioni shkakton humbje të mëdha ekonomike nga rrëshqitja e tokës, varfërim të saj, përmbytje si dhe kosto të shtuara për mirëmbajtjen e veprave te infrastrukturës, qendrave te banuara etj.”, – përmbyll Abdulla Diku.

Abdulla Diku, ekspert pyjor

Eksperti Abdulla Diku sugjeron rikthimin në punë të specialistëve, pajisjen me aparaturat për të shuar zjarret si dhe edukim të vazhdueshëm të nxënësve, fermerëve, barinjve rreth pasojave që sjell shpyllëzimi.

Duhej që të ishin bërë planet e masave për mbrojtje nga zjarri nga çdo bashki apo Administratë e Zonave të Mbrojtura. Ato plane duhej të ishin të miratuara nga këshillat bashkiake dhe të ishin edhe të buxhetuara. Sistemi i informacionit për zjarret duhej të ishte funksional”.

Situata e zjarreve në Shqipëri

Prej muajit korrik, zjarret që kanë përfshirë Shqipërinë kanë qenë në qendër të vëmendjes. Kohëzgjatja e zjarreve si pasojë e një vere shumë të nxehtë ka bërë që hapësira si Parku Kombëtar i Llogarasë të jetë në rrezik, ndërkohë që fshatra në Mirëdita si Thirra apo Munella kanë qenë nën flakë prej ditësh.

Sot dhe dje u lajmërua se parku i Llogarasë ka shpëtuar dhe zjarret në Thirrë, Munellë dhe Domgjon janë shuar. Në Kukës po punohet për shuarjen përfundmitare të zjarreve në majën e Rrunës, lajmëroi sot Ministria e Mbrojtjes. Një vatër zjarri është raportuar sot në malin e Tërbunit në Pukë.

Sipas Global Forest Watch prej datës 12 korrik deri në datë 12 gusht kemi pasur 161 vatra zjarri. Në ndihmë kanë ardhur shtete si Kosova, Çekia dhe Holanda të cilët kanë ndihmuar në stabilizimin e situatës.

Kosova në datë 9 gusht dërgoi trupa nga Forca e Sigurisë së Kosovës të cilët dhanë kontribut në menaxhimin e zjarreve në malin e Shemrisë, në zonën e tunelit të Kalimashit. Çekia dhe Holanda kanë sjellë 3 aeroplanë për shuarjen e zjarrit, ndihmë nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile nga Bashkimi Evropian.

Policia e Shtetit njofton se ka proceduar penalisht 14 autorë të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme dhe ka shpallur 6 persona në kërkim për të njëjtën vepër.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *