Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Elton Debreshi mes sindikalizmit, luftës politike e gjyqësore, gjobave e së fundmi sulmit me tritol

Makina e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB), Elton Debreshi, i cili njëkohësisht ishte dhe kandidat i pavarur për qarkun e Dibrës në zgjedhjet parlamentare te 25 prillit, u shpërthye sot nga një sasi lëndësh plasëse, të cilat sipas Policisë së Shtetit kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Nga shërbimet e Policisë janë shoqëruar në Komisariat disa persona që dyshohen se mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes”, – shkruhet në njoftimin e policisë mbi ngjarjen.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ka dalë me një deklaratë zyrtare fill pas sulmit të  kryer, ku u shprehën se prej themelimit të sindikatës, Debreshi dhe personat e tjerë të angazhuar, janë ndeshur me kërcënime të vazhdueshme.

Mafiozët, oligarkët dhe pushtetarët që na marrin kromin duan të na marrin edhe jetën nëse themi të vërtetën dhe mbrojmë të drejtat tona”, – thuhet në deklaratën e shpërndarë në rrjete sociale.

Kush është Elton Debreshi?

Eltoni ishte një emër i panjohur deri në nëntor të vitit 2019. Në atë muaj, Bulqiza u përfshi nga ngjarje disi të pazakonta e të njëpasnjëshme, fill pasi Debreshi shpalli formimin e një sindikate të re ne sheshin e qytetit, duke parashtruar disa kërkesa për përmirësim të kushteve për punonjësit në minierat e AlbChrome.

Foto: Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës

Pesë ditë më pas, me 22 nëntor të 2019-tës, Debreshi u pushua nga puna në kompaninë AlbChrome me arsyetimin se ai kishte munguar pesë ditë në mënyrë të pajustifikuar. Asokohe, Debreshi akuzoi AlbChrome se pushimi i tij erdhi si pasojë e angazhimit sindikal.

Largimi i kryetarit të sindikatës revoltoi kolegët e tij minatorë, të cilët zhvilluan në mes te acarit një protestë disa ditore duke bojkotuar punën në minierë. Ata kërkonin kthimin e Debreshit.

Gjatë protestës, minatorët e tjerë pohuan se u përballën me presion të vazhdueshëm nga përfaqësues të kompanisë për t’u rikthyer në punë, ndërsa disa prej protestuesve u shoqëruan në polici. Një muaj më pas, Prokuroria e Dibrës pushoi hetimet për sindikalistët, duke e quajtur të ligjshme protestën e minatorëve.

Pas Debreshit, ishte radha e Beqir Duriçit, Behar Gjimit dhe Ali Gjetës për t’u pushuar nga puna. Në harkun kohor prej 32 ditësh, nëntor – dhjetor 2020, katër minatorët që u angazhuan në krijimin e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës u pushuan nga kompania AlbChrome me arsyetime që nuk lidheshin me angazhim sindikal, por me vendin e punës, sipas shkresave zyrtare.

Megjithatë, kjo nuk e ndaloi organizimin sindikal dhe dukshmëria e Elton Debreshit në media u bë edhe më e madhe, çka mundësoi dhe artikulimin e tij për kushtet e punës së minatorëve në Bulqizë.

Në janar të vitit 2020, minatorët e Bulqizës marshuan në Tiranë, ku përsëritën kërkesat për kushte më të mira pune. Policia tentoi ta ndalonte tubimin, duke e konsideruar të paligjshme, por protesta vijoi, duke u ndalur përballë Kryeministrisë, Inspektoratit të Punës dhe zyrave të AlbChrome.

Katër minatorët kërkuan të kthehen në punë, duke e konsideruar pushimin e tyre të padrejtë. Dy vite më pas, në të njëjtin përfundim doli dhe Gjykata e Shkallës së Parë, duke e konsideruar të pajustifikueshëm pushimin e minatorit Beqir Duriç nga kompania AlbChrome dhe urdhëruan këtë të fundit t’i paguajë 12 muaj pagë.

Edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, një vit pas pushimit të katër minatorëve që u angazhuan në krijimin e sindikatës, ka dalë në përfundimin se Beqir Duriçi dhe Behar Gjimi janë pushuar nga puna për shkak të përkatësisë në një organizatë sindikale.

Para zgjedhjeve të 25 prillit, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, e lodhur nga premtimet e vazhdueshme për miratimin e statusit të minatorit, mori nismën për nënshkrimin e një peticioni.

Në dhjetor të 2020-tës, një peticion prej 10,680 firmash u dorëzua pranë Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministrisë, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës për miratimin e statusit të minatorit.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës kërkon përmes këtij statusi sigurimin e jetës së minatorëve, rritjen e pagave dhe përfitimeve të tjera për minatorët, rritjen e pensioneve si dhe garantimin e kujdesit shëndetësor të veçantë për minatorët.

Nga miniera në garë për një vend në parlament

Pas angazhimit sindikal, minatori Elton Debreshi, shpalli kandidaturën e tij të pavarur në zgjedhjet e 25 prilli. Ai kreu takime të njëpasnjëshme në zona të ndryshme të Dibrës, ku dhe shpalosi programin e tij, në rast se ai do të hynte në Parlamentin e Shqipërisë.

Programi i tij bazohej ne katër shtylla kryesore, që lidheshin me statusin e minatori, problemet lokale, të drejtat e punëtorëve dhe të drejtat shoqërore.

Teksa ai vijonte takimin me qytetarët e Dibrës, si shumë kandidatë të tjerë gjatë takimeve elektorale, u gjobit nga Policia e Shtetit me gjobë 5 milion lekë të reja për shkelje të aktit normative që ndalonte zhvillimin e tubimeve, grumbullimeve gjatë periudhës së pandemisë. Elton Debreshi e ka ankimuar këtë gjobë, por ajo u la në fuqi nga Drejtoria e Qarkut të Dibrës.

Debreshi gjithashtu çoi në Gjykatë Kushtetuese pragun kombëtar prej 1% të sistemit zgjedhor.Sipas tij, ky prag diskriminon kandidatët e pavarur, të cilëve në ndryshim nga partitë politike, u kërkohen më shumë vota për të marrë një mandat.

Sipas nenit 162, pika 1 të Kodit Zgjedhor, kandidatët apo subjektet zgjedhore të cilët kanë marrë në zgjedhje më pak se 1% të votave të vlefshme në shkallë vendi nuk kanë mundësinë të hyjnë në Kuvendin e Shqipërisë.

Elton Debreshi nuk mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur deputet. Angazhimi i tij sindikal dhe politik, pohon ai, ia ka vështirësuar gjetjen e një punë në një qytezë të vogël si Bulqiza, ku jeta është e lidhur ngushtë me minierën dhe nxjerrjen e kromit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *