Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Transporti urban i Tiranës – “Premtime të reja, probleme të vjetra”

Tirana është i vetmi qytet në Shqipëri që shënon vazhdimisht rritje të popullsisë. Sipas INSTAT, 31,8% e popullsisë së vendit jeton në kryeqytetin që po i afrohet shifrës prej 1 milion banorësh.

Të dhënat e Bashkisë Tiranë tregojnë se transporti publik i kryeqytetit kryhet përmes një flote pre 314 autobusësh, çka nëse i referohemi të dhënave zyrtare të popullsisë përkthehet në një autobus për 2885 banorë.

Në muajt korrik-gusht 2021, mbi 120 qytetarë ndanë me Citizens Channel shqetësimet e tyre për cilësinë e shërbimit në autobusët e kryeqytetit, përmes shërbimit ECR (Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar).

Problematikat kryesore lidhen me vonesat e shumta dhe oraret “misterioze” të autobusëve të secilës linjë; mbi 50% e qytetarëve pohuan se ju duhet të presin më shumë se 10 minuta në stacion çdo ditë, e thuajse i njëjte ishte numri i atyre që u përgjigjën se autobusët bëhen shkak i vonesave për në punë, shkollë apo takime të rëndësishme mbi 10 herë çdo muaj.

Bashkia Tiranë nuk iu përgjigj plotësisht pyetjeve të Citizens Channel rreth orareve zyrtare të autobusëve për secilën linjë, por u shpreh se ky aspekt është duke e studiuar në mënyrë që të përshtaten frekuencat  e lëvizshmërisë së autobusëve me kushtet aktuale të përdoruesve.

I pyetur nga Citizens Channel, Klevi Miti, Shef i Sektorit të Transportit Publik në Bashkinë Tiranë, u shpreh se ata i kontrollojnë ofruesit e shërbimit të transportit publik nëse e respektojnë orarin përmes inspektorëve në terren, edhe pse institucioni deklaronte që përpara 5 vitesh po vendoste një sistem gjurmim GPS funksional.

Sistemi i GPS-it, deklaronte Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj në vitin 2017, është shërbim i shtuar, i instaluar për të parë në kohë reale nëse autobuset po e respektojnë orarin zyrtar dhe si e ofrojnë shërbimin.

Ka një sistem GPS por nuk e di se si funksionon për momentin, se si kontrollohet”, – u shpreh pak ditë më parë Klevi Miti, teksa u pyet më tej për këtë sistem kontrolli.

Kushtet higjienike, ndezja e kondicionerëve, sjellja joetike e punonjësve të transportit publik si dhe tejmbushja me pasagjerë janë ndër problematikat më shpesh të hasura tek frekuentuesit e linjave të autobusëve

Fatorino të paedukuar! Kur ankohesh për vonesa apo mos ndezjen e kondicionerëve ose tejmbushjen e autobusit, të tregojnë derën, thonë zbrit merr taksi. Skandal!”, shkruan një qytetar i cili ka plotësuar formularin e publikuar nga Citizens Channel.

Problem është prania e shumë personave në një autobus. Ndonjëherë aq sa plasin gomat e autobusit nga pesha. Kjo bën që të krijohet ajër i rëndë, vapë dhe parehati të shumta gjatë udhëtimit”, – raportin një tjetër i ri nga Tirana.

Ersida Teliti, nga “Konsumatori Shqiptar” u shpreh se këto problematika duhet të parashtrohen në kontratën që lidhin operatorët private me Bashkinë Tiranë, ku duhet të jenë të përcaktuara qartë disa fusha si: stacionet e autobusëve, harta ku përcaktohet linja, distanca nga njëri autobus te tjetri, numri i autobusëve dhe frekuenca e tyre.

“314 autobusë për 1 milion banorë”

Flota e urbanëve të kryeqytetit është e shpërndarë në 16 linja, ku numrin me të lartë e ka ajo Kombinat – Kinostudio (38) ndërsa më të ulëtin linja e Tufinës me vetëm 9 mjete.

Linja e Tufinës është bërë me keq se linja e dikurshme që vonohet shumë. Shpesh herë jena penalizu në pune për shkak të vonesave”, – konfirmon një qytetar i Tiranës përmes formularit të ECR-së, i cili e frekuenton linjën Tufinë – Qendër në bazë ditore.

Xhekson Çela, një tjetër përdorues i transportit publik, konkretisht i linjës Institut Bujqësor-Qendër, tregon se është ankuar disa herë të Agjencia Shtetërore e Konsumatorit  në faqen e tyre të Facebook-ut.

Janë të gatshëm, bashkëpunues, të kthejnë përgjigje dhe përgjigjet që marr janë po e ndjekim si rast, e kemi adresuar, por faktikisht nuk shoh të jenë marrë masa administrative”- shprehet Çela.

Ndër të tjera, ai pohon se është i detyruar të udhëtojë duke paguar biletë ditore dhe harxhon mbi 2000 lekë në muaj, pasi si pasojë e vonesave, parregullsive dhe mungesës totale të kondicionerit dhe higjienës në linjën Institut – Qendër,  Çela shpesh herë përdor transportin e Kamzës, ku nuk pranohet aboneja e përgjithshme për Bashkinë Tiranë.

Problematikat e mësipërme që vijnë edhe si pasojë e vjetërsisë së flotës së autobusëve, ndikojnë jo vetëm në cilësinë e jetës së qytetarëve por edhe në cilësinë e ajrit.

Studimi “Raporti Vjetor i Qeverisjes Lokale në Ballkanin Perëndimor” i kryer në vitin 2020 nga Co-Plan nxorri në pah se flota e autobusëve në Tiranë është shumë e vjetëruar dhe është një ndër ndotësit kryesor të ajrit.

Një vit më parë, vetëm 65 prej 305 autobusësh përmbushnin standardet evropiane në mbrojtje të mjedisit, ndërkohë që përllogaritej që shkarkohen në masë vjetor 22.000 ton (PM, HC, CO2, Nox).

Më shumë abone se përdorues, a kemi inflacion?

Të nderuar qytetarë, për të mundësuar lëvizjen e qytetarëve në këto temperatura të nxehta të motit Bashkia e Tiranës dhe kompania Shega Trans SHA, do t’u ofrojë qytetarëve abonenë e pajtimit mujor me çmimin 600 lekë copa”.

Ky ishte një lajmërim i ngjitur në brendësi të autobusit Kombinat – Kinostudio – Qendër para një muaji, në një ditë të nxehtë vere. Vapa shkoi më gushtin, megjithatë Shega Trans por edhe kompanitë e tjera kanë vendosur që edhe këtë muaj ta shesin abonenë nën kosto, 600 lekë.

Në kartonin mujor, i cili mund të blihet nga kushdo që është përdorues i transportit publik, në pika të çfarëdoshme të Tiranës, shënohet vlera e pajtimin mujor prej 1600 lekësh.

Rixhin Qoshja nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas u shpreh se operatorët privatë janë detyruar ta ulin koston pasi sasia e aboneve dhënë nga Bashkia Tiranë çdo fillim muaji është e njejtë si para pandemisë.

Numri i aboneve ka mbetur i pandryshuar siç ishte para pandemisë, pas rihapjes numri i pasagjerëve nuk është më i njëjti, është reduktuar me 60 %”, – informon ai.

Numri i aboneve në treg është shumë herë më i madh se çështë kërkesa reale e tregut. Duke qënë e tillë, operatorët në mungesë të likuidimeve, detyrohen që të ulin çmimin, ta sheshin nën kosto”, – shpjegon Qoshja.

Formula me të cilën shpërndahet aboneja e përgjithshme është e paqartë edhe për operatorët”, – thotë ai, “pse dikush ka më shumë, dikush më pak, pra aboneja sot nuk shpërndahet në bazë të fluksit të transportuar të pasagjerëve por me një formulë fikse”.

Si organizohet shitja e abonesë?

“Secili nga operatorët merr një sasi të caktuar abonesh dhe secili operatorë bën organizmin e vetë të shitjes së aboneve. Dikush ka pika shitje aboneshë, dikush nuk ka mundësi që të ketë pika shitjesh dhe detyrohet t’i shesë ndërmjet fatorinëve, ndërmjet njerëzve që nxjerr në rrugë.

Pra, nuk ekziston një rrjet i mirëfilltë për shitjen e aboneve, ose më saktë, Bashkia Tiranë nuk është se ka përcaktuar disa pika që do të jenë pikat për shitjen e aboneve. Kjo është në dorën e secilit prej operatorëve, ku të kenë mundësi që tëi shesin”.

Rixhin Qoshja, Shoqata Kombëtare e Tranportit Qytetas

Heqja e abonesë – Shumë zhurmë për asgjë

Me anë të një vendimi, Bashkia Tiranë vendosi që të pezullojë abonetë për muajt qershor-korrik-gusht sipas tyre, me qëllim për të ristrukturuar linjat dhe për të bërë një studim mbi transportin publik, të cilat u goditën nga pandemia.

Klevi Miti nga Sektori i Transportit Publik në Bashkinë Tiranë shprehet se ky ishte një vendim i përbashkët mes operatorëve dhe Bashkisë, ndërsa Rixhin Qoshja nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas thotë se ata ishin të fundit që morën vesh se do të hiqej aboneja dhe se ishte vendim i Bashkisë Tiranë.

Fill pas lajmit se Bashkia Tiranë do të hiqte abonetë, Organizata Politike u angazhua në nënshkrimin e një peticioni i cili kërkonte risjelljen e abonesë në treg. Një grup aktivistësh protestuan përpara Bashkisë Tiranë për kthimin e saj.

Në 21 qershor u dorëzua peticioni i nënshkruar nga 11 mijë qytetarë pranë Bashkisë. Në korrik, aboneja e përgjithshme u kthye në treg.

Ndryshe nga deklaratat e mëhershme, në 25 korrik, Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se pezullimi një mujor u bë për të parë se cilat nga linjat abuzonin me falsifikimin e biletës ditore apo abonenë.

Janë kapur linja që falsifikojnë bileta, që falsifikojnë abonenë, janë kapur linja që i shesin ato në treg të zi dhe spekulojnë me mënyrën se si funksionon aboneja e përgjithshme“, – theksoi Veliaj, teksa u shpreh se do t’u hiqet licenca atyre linjave që abuzojnë.

Thuajse dy muaj pas kësaj deklarate dhe rikthimit të abonesë, ende nuk ka një vendim ose deklaratë që tregon se cilat nga këto linja kryenin shkelje. Në treg, aboneja vijon të shitet nën kosto, 600 lekë.

Abone e muajit korrik e blerë për 600 lekë

Rixhin Qoshja shprehet se vlera e dikurshme prej 1600 lekësh, që ende sot shkruhet e tillë në kartonin mujor, në fakt nuk u mjafton për të mbuluar kostot që transporti publik ka aktualisht dhe se ata dëshirojnë një sistem më të modernizuar.

Ai parashikon një të ardhme aspak të mirë për operatorët e transportit publik, nëse situata vijon të jetë e njëjtë. Rixhin Qoshja shpjegon se kushtet aktuale mund të kenë përmirësim nëse do të ketë biletë dhe abone digjitale, si në shtetet e Bashkimit Evropian.

Kjo kërkon vullnet politik, kërkon ndryshimin e bazës ligjore mbi të cilën funksionon gjithë ky aktivitet“, – përfundon Qoshja.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *