Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Laknas: Lufta e komunitetit kundër dhënies me qira të tokës pyjore që bashkia e konsideron zallishte lumi

Shtatori nisi jo i zakontë për banorët e fshatit Laknas në bashkinë Kamëz. Hapësira e gjelbërt e ndodhur pranë banesave të tyre, e njohur si “Plepat e Brukës” u tentua të rrethohej nga ana e firmës private “Bioproducts” shpk.

Firma, me lejen që ka marrë pranë Bashkisë Kamëz, kur në krye të saj ishte ish-kryetari Xhelal Mziu, do të ndërtojë në këtë zonë një sërë ambientesh për agroturizëm që përvec argëtimit dhe ushqimit do të kenë edhe një thertore.

Plani i vendosjes së strukturës

Prej shkurtit të 2019 banorët e kundërshtojnë këtë ndërtim, që sipas tyre dëmton të vetmen hapësirë të gjelbër që ata kanë. Ata e kanë mbjellë dhe janë kujdesur për të prej 30 vitesh, duke e mbrojtur tokën nga erozioni dhe era e keqe që sjell lumi përbri.

Sa u bo demokracia, 30 vjet që kujdesena për të. I kena mbjell vetë, i kena ble fidanët, i kena marrë nga jashtë fidanët, se s’ka pas fidanë rrapi këtu, edhe i kena ble, fidanët na i kanë pru prej jashtë i kena mbjellë, i kena vadit, i kena gatit. Edhe ato sot janë bo nga 20 metra, edhe ai vjen qorrazi. Po me i shku në tokë të vet atij atje ai nuk të lë me vu këmbët, jo që të bëjë punime. Ku e paska gjet këtë vend ai këtu?”,-shprehet Fatime Gjokmeli, një nga banoret më të vjetra të Laknasit.

Fatime Gjokmeli, banore e Laknasi

Sipas Fatimes, nëse ndërtohet thertorja në atë zonë, e vetmja zgjidhje është të largohet i gjithë fshati.

“Jena 200-300 familje të na japë lejen edhe ta lejmë, të ikim jashtë vendit familjarisht t’gjithë. Se ne nuk e lëshojmë, ne gjallë këtë nuk kena për ta lëshu, o ne o ata. Në do të luftojmë me shpirt për ambientin, me rrit fëmijët”,-shprehet ajo me indinjatë.

Kjo zonë shërben edhe si një hapësirë dëfrimi për fëmijët që jetojnë aty apo edhe për ata që kthehen gjatë pushimeve të verës të gjyshërit e tyre.

Unë vij këtu për të ndenjur te gjyshi për të marrë pak ajër të pastër dhe për të lozur aty me kalamajtë”,-rrëfen një prej fëmijëve.

“Plepat e Brukës” është e vetmja hapësirë e gjelbër që ofron kushtet për aktivitete sociale e sportive të banorëve.

“Këtu kanë pas shku fëmijët. Edhe unë vetë bashk me fëmijët e fëmijëve kemi pas dalë aty. Rrijshmin në ajër të pastër. Kemi pas bërë aktivitete shoqërore, kemi fushën e sportit, kemi ca kena pas mundësi që mudn ti bëjë cdo njeri. Një komunitet që i bën të gjitha veprimet siç i do jeta njerëzore. Tashi ne jena….fusha na ka ik, na u ka blloku me ferra, tjetra prapë, ne tani nuk e dimë nga të vemi, si të flasim“,-rrëfen Hamit Gjokmeli, banor i fshatit Laknas.

Hamit Gjokmeli, banor i Laknasit

Dëshira Tatoshi, banore e Laknasit rrëfen se kundërshtimi i tyre lidhet fillimisht me vendimin e bashkisë që e konsideron hapësirën e gjelbërt zallishte dhe jo pyll.

E kundërshtojmë, pika e parë fillon nga mashtrimi i Bashkisë Kamëz që nuk është pyll, por është zallishte. Siç e shikoni dhe vetë është pyll dhe ekspertët e mjedisit e kanë vendos që është pyll. E dyta, nga Bashkia Kamëz ne kërkojmë që të vijë dhe të marrë ekspertizën dhe ta vërtetojë, sikur e ka vërtetuar shumë herë po nuk e di pse nuk del haptazi që leja e bashkisë i ka skaduar. Leja e vlerësimit mbi mjedisin, e VNM-së, që është Agjencia Kombëtare e Mjedisit na e ka thënë vetë, është e skaduar”,-sqaron Dëshira.

Dëshira Tatoshi, banore e Laknasit

Sipas saj, dhënia e lejes për thertoren është kryer shumë lehtë nga bashkia, ndërkohë që vetë banorët nuk janë legalizuar vetëm për shkak të afërsisë me lumin.

“Ne kemi shkuar në Bashki, kemi 50 vite në harresë, ujë të pijshëm s’kemi, uji jonë është i ndotur, plus që ne nuk na është bërë legalizimi sepse jemi vetëm 50 metra afër lumit. Unë nuk e di si mund të ndërtohet një thertore mbi lumë, apo mbi pyll kur ne kemi 50 vite këtu dhe akoma nuk njihemi që jemi banorë të kësaj zone. Se përderisa nuk legalizohen shtëpitë do të thotë që nuk ekziston asnjë këtu”,-përfundon Dëshira.

Në gjykatë për pezullimin e punimeve

Bashkia Kamëz nuk zhvilloi asnjë takim konsultues me banorët e Laknasit para se të jepte lejen për kompaninë private ““Bioproducts” shpk.

Banorët u njohën me këtë vendim vetëm pasi në lagje e tyre u vendos tabela që lajmëronte nisjen e punimeve. Përpos kërkesave dhe tentativave për të marrë informacion nga bashkia, kjo gjë nuk u mundësua në atë kohë.

“Te bashkia nuk kemi lene veprim pa shku. Kur kemi shkuar biles ish-kryetari, i kemi shku si komunitet, i kërkuam për të hyrë brenda, deshëm me hy me forcë, na ka dalë nga kati i dytë, nga dritarja na ka ik, u ka fsheh”,-rrëfen Hamik Gjokmeli.

Pas kësaj banorët i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Tiranës ku kërkuan pezullimin e punimeve.

“Banorët i janë drejtuar gjykatës administrative të shkallës së parë Tiranë, me një kërkesë padi dhe kërkesë për pezullimin e punimeve, kërkesë për masë siguri9mi sic quhet në gjuhën teknike. Fillimisht gjykata e pranoi, pra Gjykata e Shkallës së Parë e pranoi këtë kërkesë të banorëve duke pezulluar punimet dhe duke ju dhënë goxha ndihmë në fakt pasi që prej asaj periudhe shoqëria e ka pasur të pamundur të vijojë punimet”,- sqaron Dorina Asllani, avokatja që përfaqëson banorët në gjykatë.

Dorina Asllani, avokate

Sipas Asllanit, për shkak të ankimimit në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit e konsideroi të gabuar pretendimin e Gjykatës së Shkallës së parë dhe e rrëzoi masën e sigurisë. Për këtë arsye kompania private ka nisur sërish procedurat për ndërtimin.

Megjithatë, tanimë firma private është në kushte të reja. Sipas avokates ajo nuk ka më një leje ndërtimi dhe afati i vlerësimit të ndikimit në mjedis ka përfunduar.

Leja ndërtimore dhënë nga Bashkia Kamëz

Vlerësimi i ndikimit në mjedis

Vlerësimi i ndikimit në mjedis

“Leja e ndërtimit e cila në bazë të ligjit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit ka një afat një vjeçar nëse nuk fillon ndërtimi. Në fakt ka kaluar ky afat. Për më tepër dhe vlerësimi i ndikimit në mjedis është një akt i domosdoshëm për realizimin e një projekti të tillë që lëshohet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit e ka kaluar afatin e tij 2 vjeçar që prej shkurtit të vitit 2021”,-vijon më tej Asllani.

Më 20 shtator banorët do të jenë sërish në dyert e Gjykatës Administrative, ku presin inspektimin në terren për përcaktimin e statusit të tokës. Shqetësimi i banorëve lidhet drejtpërdrejt me prerjen e pemëve, gjë e cila pritet të inspektohet në terren nga ekspertët sipas kërkesës së gjykatës.

“Kjo është kërkesa që u ka dhënë gjykata, të numërtojnë çdo pemë që ndodhet aty dhe të përcaktojnë sa prej këtyrë pemëve do të preken. Sepse pretendimi i shoqërisë është në fakt që këto pemë do të shkulen dhe do të rimbillen”. Sipas avokates “Pretendimi  i banorëve është që është e pamundur sepse përveç tokës që do të zihet nga ana e godinave të qëndrueshme do të ketë edhe shërbime ndihëmse siç është parkimi apo ambiente të tjera, të cilat edhe pse nuk janë me ndërtime, nuk janë me pemë”.

Kur një hapësirë e gjelbërt konsiderohet pyll?

Hapësira e gjelbër të cilën mbrojnë banorët e Laknasit është regjistruar nga Bashkia Kamëz si zallishte. Ky fakt është një nga arsyet dhe hapësirat që lejon që bashkia ta japë më qira, sëaron avokatja Dorina Asllani.

Megjithatë, ligji 57/2020, e përcakton qartë se kur një territor quhet pyll. Sipas pikës 48 të nenit 3 të këtij ligji, “Pyll është sipërfaqja e tokës më e madhe se 0.5 ha, e mbuluar me drurë më të lartë se 5 metra dhe me shkallë mbulimi mbi 10 për qind, ose me drurë të aftë për të arritur këto pragje”. 

Eksperti i mjedisit, Abdulla Diku sqaron për Citizens Channel se “mund të jenë edhe fidanë 10 cem apo 20 cem por nëse janë lloje pyjorë të cilët kanë potencialin për tu rritur më shumë se 5 metra, automatikisht është sipërfaqe pyjore”.

Sipas tij, Bashkia Kamëz duhet ta kadastrojë si një pyll, qoftë të krijuar natyralisht apo artificialisht.

“Bashkia duhet ta përfshijë në fondin pyjor të bashkisë dhe pastaj të merret me detajime, pastaj të merret me projekte për dhënie për përdorim apo për qira. Duke qenë se është sipërfaqe pyjore në fakt dhe po të ishte e regjistruar, është e vështirë që të bëhen manovra për dhënie me qira sepse në asnjë rast nuk lejohet ndryshimi i destinacionit të pyllit, pra nuk lejohet që ta presësh, ta bësh ndërtim, biznes, apo restorante”,-përfundon Abdulla Diku.

Abdulla Diku, ekspert mjedisi

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *