Prej mesditës së të mërkurës, minatori 60 vjeçar Muharrem Plaku ndodhet i bllokuar në një nga minierat në Bulqizë. Shkak është bërë shembja e një masivi shkëmbor gjatë kohës që ai punonte në galerinë e kompanisë “Kaduretex Sh.p.k”.
Sipas minatorëve të tjerë, Muharrem Plaku punonte në zonën 1 të minierës si zjarrmtar.
“Punonte në zonë të parë si minator zjarrmtar. Është minatori që bën vrimat në shkëmb, kurse zjarrmtari e mbush me lëndë plasëse”,-u shpreh Beqir Duriçi, minator në Bulqizë.
Edhe pse kanë kaluar 48 orë nga bllokimi brenda në minierë, ende vijojnë kërkimet për gjetjen e tij.
Për nxjerrjen e minatorit Plaku janë angazhuar një grup i avari-shpëtimit, kolegë të Muharremit dhe minatorë nga galeri të tjera, mirëpo situata mbetet e vështirë për shkak të pozicionit.
“Ata thjesht kanë ardh’ me shly veten e vet gjoja që erdhëm po këtu s’mbaj mend të nxjerrin minatorë, punëtorë. Këtu e kanë nxjerrë shokët e vet ose grupi i punës. Unë për vete që kam punuar 30 vjet aty, para se me u shkarku nga puna, unë i kam pa me sytë e mi se i kam pas nxjerrë vetë”,-shprehet skeptik Beqir Duriçi për angazhimin e grupit të avari-shpëtimit.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM) refuzoi të jepte detaje nga procesi i kërkim-shpëtimit, duke na orientuar për të marrë informacion në zyrën e shtypit të ministrisë.

“Atje vazhdon puna, ju lutem se unë e kuptoj dhe punën tuaj. Atje vazhdon puna për nxjerrjen e viktimës. Më gjatë informacionin do ta merrni në zyrën e ministrisë”,-u përgjigj Rrapush Tola, kreu i AKSEM.
Ndërsa në faqen zyrtare të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës nuk ka asnjë reagim apo informacion në lidhje me ngjarjen në Bulqizë.
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook ka kërkuar që shteti të kthejë sytë nga Bulqiza në këtë situatë.
“Shteti dhe mobilizimi i institucioneve shtetërore ka qenë qesharak, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy ditë. E gjithë vëmendja është përqëndruar te parlamenti i ri i padrejtësive të vjetra. Asnjë fjalë nuk kanë thënë për minatorin Muharrem Plaku”,-u shpreh SMBB
Kjo ngjarje vjen pas plagosjes së dy minatorëve të tjerë gjatë punës në minierë, të hënën e kësaj jave. Puna në minerë vijon të mbetet e rrezikshme si pasojë e mungesës së sigurisë dhe kushteve në galeri. Vetëm gjatë vitit 2021 janë plagosur 8 minatorë, ndërsa viti i shkuar për minatorët i ngjan një bilanci lufte, me 5 të vdekur dhe 28 të plagosur.