Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Projekti i bypass-it në zonën historike rrezikon statusin e Gjirokastrës në UNESCO

Në 26 korrik të këtij viti, UNESCO kërkoi zyrtarisht ndalimin e menjëhershëm të punimeve për ndërtimin e bypass-it “Ura e Nanxës – Ura e madhe e Dunavatit” në zonën historike të Gjirokastrës.

Komiteti i Trashëgimisë Botërore gjithashtu kërkoi nga shteti shqiptar një ftesë zyrtare për të kryer monitorimet rreth ndikimin që këto punime kanë sjellë në pjesën historike.

Komiteti Botëror i Trashëgimisë i kërkon urgjentisht shtetit palë të ndalojë ndërtimin e Bypass-it derisa misioni i monitorimit ta vizitojë për të vlerësuar nëse projekti ka shkaktuar ose do të shkaktojë dëme”, – shkruan raporti i miratuar në korrik, pas sesionin të 44-t të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, i mbajtur në Kinë.

Dy muaj më vonë, pavarësisht kërkesës së UNESCO, punimet vijojnë. Gjatë mesit të muajit gusht dhe shtator, makineri të mëdha shikohen tek hyjnë dhe dalin, papushim.

Ministria e Kulturës pohon se ka marrë një shkresë zyrtare nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore më 31 gusht të këtij viti.

Rekomandimet për ndalimin e punimeve të Bypass-it, pohon Ministria e Kulturës, janë përcjellë pranë Bashkisë Berat, Gjirokastër si dhe pranë Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat dhe Gjirokastër.

Me anë të kësaj shkrese Ministria e Kulturës i ka kërkuar administruesve vendor dhe drejtorive rajonale të paraqesin pranë MK-së dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) një plan veprimi për zbatimin e rekomandimeve”, – u shpreh përmes një shkrese zyrtare Ministria e Kulturës.

Më 3.09.2021, institucioni i Ministrisë së Kulturës po ashtu ka dërguar një ftesë zyrtare ndaj UNESCO-s për kryerjen e monitorim të ndikimeve të punimeve në zonën historike të Gjirokastrës, që është bërë pjesë e UNESCO-s në vitin 2005.

Misioni i monitorimit pritet të kryhen në datat 27 shtator – 1 tetor 2021.

Kur vjen Misioni Reaktiv i Monitorimit?

Është e specifikuar shumë qartë që një mision reaktiv monitorimi dërgohet në ato raste kur vlerat që e kanë shpallur një vendndodhje si trashëgimi botërore vihen në pikëpyetje serioze”, – thotë arkitekti Kreshnik Merxhani për Citizens Channel.

Kreshnik Merxhani, arkitekt

Kërkesa e UNESCO-s për të kryer misionin reaktiv të monitorimit erdhi pasi qeveria vijoi me planet për ndërtimin e Bypass-it në zonën historike të Gjirokastrës, pa marrë rekomandime nga UNESCO.

Komunikimi mes dy palëve, sa i përket rrugës së Bypass-it, është ndërprerë në muajin mars të këtij viti. Qeveria shqiptare ka njoftuar Qendrën Botërore të Trashëgimisë të UNESCO-s për Bypass-in vetëm në janar të vitit 2021, duke kërkuar rekomandime nga ata.

Me datë 16 mars, UNESCO kërkoi prej tyre informacione shtesë rreth projektit, por nuk mori asnjë përgjigje. Informacionet se në fakt ky projekt ka filluar punë, UNESCO pohon se i ka marrë nga palë të treta.

Nga ana tjetër, Ministria e Kulturës pohon se ndërtimi i Bypass-it vjen si një rekomandim i vetë UNESCO-s.

Ndërkohë, risjellim në vëmendje se ndërtimi i Bypass-it vjen edhe  si një kërkesë e vazhdueshme e UNESCO-s lidhur me minimizimin  e trafikut në qendrën historike të Gjirokastrës”, – shkruhen në përgjigjen e Ministrisë.

Në raportin e miratuar, UNESCO pohon të kundërtën, duke cituar se pamjet e punimeve në terren në fakt janë mjaft shqetësuese.

Informimi nga palë të treta të dërguara në Qendrën Botërore të Trashëgimisë përfshijnë dokumentime që tregojnë një situatë shumë shqetësuese të këtij projekti, i cili duket se është tashmë në ndërtim e sipër”– shkruante raporti i UNESCO-ja në muajin gusht të këtij viti.

Shpërfillja e UNESCO-s, pohojnë ekspertët, mund t’i kushtojë statusin Gjirokastrës.

Mesa duket Shqipëria thjesht nuk do t’ia dijë për atë që thotë UNESCO, plus që kjo nuk është hera e parë. Shqipëria ka një histori që thjesht injoron çfarëdo që UNESCO thotë apo bën”, – thotë për Citizens Channel Stephan Dömpke, kryetar i organizatës së pavarur World Heritage Watch.

Stephan Dompke, World Heritage Watch

Dompke shpjegon se zbatimi i këtij projekti po kryhet në errësirë të plotë, pa pasur transparencë rreth një studimi mobiliteti, apo të dhëna konkrete.

Kjo është e tmerrshme dhe kjo është arsyeja që ne e ndjejmë se qeveria ka me gjasë motivacion tjetër. Dikush me shumë mundësi po fiton para nga kjo gjë, para që nuk i takojnë në xhepin e tij”, – vijon më tej Dompke, i cili ka jetuar nga viti 2010-2014 në Gjirokastër.

Ai pohon se gjatë atyre viteve ka parë neglizhencë totale të Bashkisë së Gjirokastrës në ruajtjen e pjesës historike të Gjirokastrës dhe shprehet se ka ardhur koha që qyteti të listohet në sitet e trashëgimisë së rrezikuar.

Sjellja e vazhdueshme e qeverisë shqiptare përfundimisht nuk të jep asnjë arsye për të qenë i duruar me Shqipërinë. Unë mendoj se UNESCO duhet të mbajë qëndrime shumë më të forta”, – cilëson Stephan Dömpke.

Çfarë humbasim nëse Gjirokastrës i hiqet statusi?

Arkitekti Kreshnik Merxhani pohon se Shqipëria humbet shumë nëse asaj i hiqet statusi nga UNESCO. Ai tregon se e gjithë përpjekja e tij dhe e profesionistëve të tjerë të cilët kanë ngritur zërin kundër ndërtimit të Bypass-it ka vetëm një qëllim; ruajtjen e statusit që Gjirokastra ka në trashëgiminë botërore.

Gjirokastra ka disa kritere që e kanë shpallur, unë mund të citoj dy. Karakteristikat e saj urbano-arkitektonike, pra lagjet dhe morfologjia e tyre që lidhet drejtpërdrejt me peizazhin historik”, – shpjegon Merxhani.

Punimet për ndërtimin e Bypass-it po kryhen në qendrën historike të Gjirokastrës, rrugë e cila do të kalojë në luginën e përroit të Nanxës.

Mënyra si i kanë konceptuar mjeshtrat e vjetër ka qenë e tillë për t’i lënë këto përrenj, janë disa përrenj që kalojnë në Gjirokastër dhe ndajnë lagjet. Këtu ndërhyhet dhe ky komponent shkatërrohet”, – thotë ai.

Së dyti, ai shpjegon se Shqipëria, përveçse do të përjashtohet nga projektet dhe fondet e BE-së sa i përket trashëgimisë kulturore, heqja e statusit nga UNESCO do të jetë një “njollë e zezë” për Shqipërinë.

Rrjetet kryesore të turizmit në botë funksionojnë duke marrë në konsideratë listën e UNESCO-s. E kanë si një busull”, – pohon Merxhani.

Më mirë në UNESCO apo me Bypass?

Qytetarët që jetojnë në zonën historike të Gjirokastrës shprehen të dyzuar rreth heqjes se statusit në UNESCO krahas nevojës për zgjidhjen e transportit. Ata besojnë se një rrugë e tillë do t’u lehtësojë lëvizshmërinë.

Për mendimin tim ajo është e mbyllur, në aspekti që ai të bëhet, i duhet qytetit dhe nuk ka rrugëzgjidhje tjetër për rrugë, për të liruar trafikun”, – thotë një shitës në Pazarin e Gjirokastrës.

Ai e konsideron luks protestën kundër Bypass-it.

Nuk ngrihet njeri as për taksat, as për dritat, as për ujin, as për gjë, ti më tregon mua muret dhe gurët e UNESCO-s”, – vijon më tej ai, teksa pohon se nuk dëshiron të përzihet në këtë debat.

Unë jam rehat, ç’më duhet mua të flas? Gjërat funksionojnë ndryshe, duhet të rrimë me këmbë në tokë”, – përmbyll ai, teksa sigurisht refuzon të identifikohet.

Por të tjerë qytetarë nuk shprehen kaq të prerë si më sipas. Ata e duan statusin, por duan edhe një zgjidhje për transportin.

Them se do të gjejnë një gjuhë të përbashkët, se sipas të thënave të të mëdhenjve nuk është se ka ndonjë dëmtim andeja, ose ka ndonjë vlerë historike, ai një përrua është”, – thotë për Citizens Channel Diana Kuçuku, e cila ka një dyqan të vogël në hyrje të pazarit në Gjirokastër.

“Ne thjesht diskutojmë me njëri-tjetrin, jo se kemi marrë pjesë në ndonjë aktivitet, në ndonjë mbledhje…”, – përfundon Kuçuku.

Diana Kuçuku

Një tjetër banor tregon se i dëshiron të dyja, edhe rrugën, edhe statusin në UNESCO.

Për mendimin tim, rruga ndihmon qytetin, kuptove? Për sa i përket makinave që venë e vinë, këtu janë rrugë të ngushta. Ja këteja po ta shohësh, vjen makina, janë një kalimeshe. Duhet t’i ruajë dhe vlerat muzeale të qytetit”, – thotë një banor i moshuar për Citizens Channel.

Banor, Gjirokastër

Ministria e Kulturës, pohon se kjo rrugë do të zgjidhë problemin e trafikut të automjeteve në Qendrën Historike dhe kryesisht në zonën e Pazarit Gjirokastër.

Gjithashtu i jep zgjidhje përfundimtare lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve nga rruga Nacionale dhe Lagja Punëtori në drejtim të zonës Historike dhe kryesisht zgjidh problemin për lagjet e sipërme të qytetit, Dunavat i pare dhe Dunavat i dytë, si dhe do të lehtësojë trafikun dhe aksesimin për lagjet Cfakë dhe Manalat”, – shpjegon në përgjigjen zyrtare Ministria e Kulturës.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *