Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Mungesa e akt ekspertimit shtyn dhe njëherë gjyqin për pyllin e Laknasit

Mungesa e vlerësimit në terren nga ekspertët mjedisorë bëri që të shtyhet seanca gjyqësore e banorëve të Laknasit në Gjykatën Administrative të Tiranës.

Seanca e sotme, do të shqyrtonte të dhënat e ekspertëve të marra në terren duke numëruar çdo pemë për përcaktimin e statusit të tokës. Por ekspertët e ngarkuar me këtë detyrë nga gjykata edhe pse duhet të dorëzonin aktin e ekspertimit në datë 26 gusht, nuk e kanë paraqitur atë as sot.

Ata nuk e sollën edhe sot aktin e ekspertimit për arsye se vëzhgimi ne terren është bërë vetëm para pak ditësh, një javë deri në 10 ditë që na kanë njoftuar kur kemi qenë dhe ne prezent kështu që gjykata e konstatoi këtë një sjellje shumë të rendë në shkelje të kodit të procedurës”,-u shpreh avokatja e banorëve të Laknasit, Dorina Asllani.

Dorina Asllani, avokate

Duke pasur parasysh sjelljen e përsëritur të ekspertëve, të cilët nuk kanë shkuar në terren për të kryer ekspertizën, avokatët e banorëve kanë kërkuar përjashtimin e tyre, por kjo kërkesë është refuzuar nga gjykata.

Megjithatë, në seancën e sotme gjykata gjobiti ekspertët për herë të dytë për mos veprim.

“Duke konstatuar sjelljen edhe të përsëritur në fakt të ekspertëve, këta janë dënuar edhe njëherë me gjobë nga gjykata për mos respektim të detyrave, sot i dënoi me një gjobë prej 100 mijë lekësh secilin dhe ju la një afat të shkurtër prej 10 ditësh për të dorëzuar aktin”,-u shpreh avokatja Asllani.

Më herët ata u gjobitën me vlerën prej 20 mijë lekësh për secilin.

Të pranishëm për seancën, jashtë ambienteve të gjykatës ishin edhe banorë të Laknasit, të interesuar për vijimësinë e procesit.

Banorët e Laknasit jashtë ambienteve të Gjykatës Administrative

Sot u vendos se seanca tjetër do të jetë më datën 20 tetor 2021.

“Banorët kundër dhënies me qira të pyllit”

Pylli i Laknasit, i njohur nga banorët si “Plepat e Brukës” është dhënë nga Bashkia Kamëz për ndërtimin e një hapësire agroturizmi nga kompania private “Bioproducts” shpk.

Dhënia e lejes nga bashkia u krye pa konsultim me banorët edhe pse ata kanë 30 vite që e mbjellin dhe kujdesen për të si e vetmja hapësirë e gjelbër pranë banesave të tyre.

Në shtator kompania “Bioproducts” sh.p.k pavarësisht rezistencës së banorëve tentoi të niste punimet për ndërtimin e agroturizmit që përfshin mes tij edhe një thertore.

Banorët i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Tiranës ku kërkuan pezullimin e punimeve. Gjykata e Shkallës së Parë e pranoi këtë kërkesë të banorëve. Por për shkak të ankimimit në Gjykatën e Apelit, ajo e konsideroi të gabuar pretendimin e Gjykatës së Shkallës së parë dhe e rrëzoi masën e sigurisë.

Nisur nga kjo situatë kompania private ka nisur sërish procedurat për ndërtimin. Sipas avokates Dorina Asllani tanimë firma është në kushte të reja. Ajo nuk ka më një leje ndërtimi dhe afati i vlerësimit të ndikimit në mjedis ka përfunduar.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *