Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Viktimat e nëntokës në Bulqizë mbeten jashtë vëmendjes së politikës

Në orët e vona të së dielës, minatori Muharrem Plaku u nxor i pajetë nga galeria ku ishte bllokuar që prej së mërkurës.

Prej pesë ditësh kolegë të tij dhe punonjës të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM) punuan në heqjen e masivëve me gurë që kishin zënë  galerinë, duke bërë të mundur të nxirrnin trupin e pajetë të minatorit.

60-vjeçari punonte si teknik zjarrmëtar në minierën e kompanisë “Kaduretex” sh.p.k mbeti i bllokuar si pasojë e shembjes së një masivi gurësh në galeri.

Drejtoria vendore e Policisë Dibër pasditen e së hënës bëri me dije se është ndaluar nga policia drejtuesi teknik i minierës si dhe është proceduar në gjendje të lirë tekniku, të dy banues në Bulqizë.

“Shtetasit e lartëpërmendur kanë patur detyrimin ligjor për kontrollin e vazhdueshëm të gjendjes teknike të galerisë, ku si pasojë e neglizhencës së tyre, mesditën e datës 15.09.2021, në një nga nënkatet e një subjekti minerar, është shembur një masiv materiali dhe për pasojë ka humbur jetën 60 vjeçari (punëtor në minierë)”, –thuhet në deklaratën e policisë.

Institucionet heshtin për ngjarjen në Bulqizë

Ndërsa në Bulqizë ankthi kishte kapluar qytetin për lajmet më të fundit nga galeria ku ndodhej i bllokuar minatori Muharrem Plaku, në kryeqytet vëmendja ishte tjetërkund.

Kryeministri Rama nuk pati asnjë reagim për situatën, ndërsa faqja e tij zyrtare vërshonte nga të rejat e fundit nga Kuvendi ku mbahej fjala e deputetëve të rinj. Prezantimi i programit politik për mandatin e tretë ishte kryefjala e diskutimeve, dhe në asnjë moment, megjithëse u desh të gdhihej një natë e tërë, nuk u fol për minatorin dhe as për kushtet në miniera.

Iu deshën katër ditë për të reaguar edhe krye bashkiakut të Bulqizës teksa lutej që të nxirrej shëndoshë e mirë.

Lutem që ekipet e kërkimit të arrijnë sa më parë tek Muharremi dhe ta nxjerrin atë shëndoshë e mirë, ta bashkojnë me familjen e të afërmit e tij, dhe t’i japin fund shqetësimit dhe ankthit që ka pushtuar të gjithë bashkëqytetarët tanë, e jo vetë”,-shprehej Alla në postimin e tij në Facebook.

Nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera nuk pati asnjë reagim zyrtar, ndërsa në tentativë për të kontaktuar kreun e AKSEM Rrapush Tola, ai nuk preferoi të komentonte duke i drejtuar gazetarët drejt zyrës së shtypit të ministrisë përgjegjëse.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës nuk pati asnjë reagim apo informacion në lidhje me ngjarjen në Bulqizë.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar reagoi vazhdimisht për ngjarjen e ndodhur duke kërkuar që shteti të kthejë sytë nga Bulqiza në këtë situatë.

Faji i mbetet minatorëve viktima 

Ende pa dalë përfundimet e grupit hetimor për ngjarjen e ndodhur, zëvendës ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës Ilir Bejtja nxitoi të dilte në përfundimet e para. Sipas tij shkak për aksidentin është bërë ngacmimi i inerteve të sinjalizuara si të rrezikshme për tu prekur.

“Kanë vajtur dhe kanë gërmuar atje ku nuk duhej të gërmohej. Dhe prej aty kanë ngacmuar inertet që ato të bien poshtë që të kenë mundësi ti shfrytëzojnë. Vetë kompania e ka pasur markuar atë me kryq që këtu nuk punohet dhe duhet të punoni në ballin e galerisë atje ku kanë edhe protokollin dhe urdhrin e punës. Ndoshta për të rikuperuar material të lehtë, pa shumë vështirësi, kanë menduar që mund të rikuperohen edhe këto. Presupozohet që e ka marrë masa e inerteve me vete”,-u shpreh zëvendës ministri Bejtja në një intervistë në Top Channel.

Aksidentet në punë të larta 

Muharrem Plaku është minatori i tretë që humb jetën brenda në galeritë e Bulqizës për vitin 2021, ndërsa 8 të tjerë janë plagosur.

Bilanc tragjik shënon edhe viti 2020. Sipas raportit vjetor të Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore përgjatë vitit 2020 janë aksidentuar 28 persona, nga të cilët tre janë gra. Ndërsa pesë prej të aksidentuarve kanë humbur jetën.

Burimi: ISSHP

Në këto raste, Inspektoriati i Punës konfirmon raste e aksidenteve apo vrasjeve në punë, duke qenë kështu AKSEM-i institucioni i cili merret me verifikimin e kushteve të sigurisë dhe të shëndetit në nëntokë. Rastet e aksidenteve në miniera nuk janë në kontrollin e drejtpërdrejtë të inspektoratit të punës.

Statusi i minatorëve, e drejta e nevojshme 

Muharremi ishte 60 vjeç. Në këtë moshë ai duhet të gëzonte pensionin e tij, por për shkak të pensioneve qesharake që kanë minatorët edhe pse kanë punuar gjithë jetën nën tokë, detyrohen të shtyjnë afatin e pensionit, me qëllim që të fitojnë më shumë të ardhura duke punuar, pavarësisht moshës.

E drejta e pensioneve të dinjitetshme mbrohet përmes statusit të minatorit, status ky i cili mungon dhe kërkohet prej 30 vjetësh.

Përmes protestave, marshimeve dhe nismave konkrete me peticione minatorët e kanë kërkuar këtë të drejtë, por ende nga institucionet nuk ka një nismë konkrete për ta përmbushur.

Në nëntor të 2020 minatorët nënshkruan peticionin për miratimin e statusit të minatorit ku kërkonin:

-Rritje të pensioneve

-Sigurim të jetës

-Rritje e pagave dhe përfitimeve të tjera

-Garantim i kujdesit shëndetësor të veçantë për minatorët dhe ish-minatorët

Ndërsa humben jetë nën tokë ende nuk ka një zotim konkret nga përfaqësuesit politikë dhe as vëmendje ndaj situatës ku ndodhen minatorët sot.

Lexo edhe: 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *