Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Aksion simbolik përballë Kryeministrisë; Në tetë vite, 59 minatorë kanë humbur jetën në miniera

Organizata Politike mbajti sot një aksion simbolik përballë Kryeministrisë për vdekjen e minatorit 60-vjeçar, Muharrem Plakut.

Emri i tij u shënua në banderolën që aktivistët mbanin në duar. Krah emrit të Plakut qëndronin edhe 58 emra të minatorëve që kanë vdekur tetë vitet e fundit në minierat e Shqipërisë.

Komunikata e Organizatës Politike përballë Kryeministrisë

Muharrem Plaku vdiq i asfiksuar në një prej galerive të minierës që menaxhohet nga kompania “Kaduretex Sh.p.k”, ku mbeti i bllokuar prej pesë ditësh.

Faji për vdekjen e çdo minatori gjendet në një zinxhir keqbërësish. I pari është pronari i galerive, zakonisht një oligark nga Tirana ose mafioz lokaliteti”, – thotë Mirela Ruko gjatë mbajtjes së komunikatës përballë Kryeministrisë.

Të dytat janë institucionet shtetërore përgjegjëse për inspektimin e kushteve në sigurisë në miniera”, – cilëson më tej Ruko.

Fajin së fundmi, citon Ruko, e ka qeveria. “Në ortakëri me pronarët e galerive, qeveria nxit shfrytëzimin deri në vdekje të punëtorëve të nëntokës”.

Në mbyllje të aksionit simbolik, aktivistët lanë në shkallët e kryeministrisë banderolën që mbante të shkruar 59 minatorë të vdekur në miniera tetë viteve të fundit si dhe një kaskën e minatorit, të lyer me bojë të kuqe.

Ne sot iu drejtuam Kryeministrisë sepse e shikojmë që edhe institucionet, qeveria Rama është duke ia lehtësuar pronarëve që t’i shfrytëzojnë edhe më tej minatorët apo burimet nëntokësore”, – tha për Citizens Channel aktivistja Flavia Osmani.

Flavia Osmani, aktiviste e Organizatës Politike

Një aksion i tillë, vazhdon Osmani, nuk shkon vetëm për kushtet e punëtorëve në miniera, por për të gjithë punëtorët në sektorë si ndërtimi, fasoneria apo punë të tjera të vështira, që shpesh u kushtojnë atyre vetë jetën.

Ne jemi këtu që të zgjojmë ndërgjegjen e bashkëqytetarëve tanë, jo vetëm atyre që jetojnë në miniera, që tashmë janë boll të ndërgjegjësuar, por e miliona tjerëve që rrojnë ndershmërisht prej punës tyre”, – shprehet aktivisti Arlind Qori.

Fati i minatorëve nuk është vetëm i minatorëve, është fati i miliona njerëzve të punës dhe të nderit, të cilët duhet të rropaten në punë ose papunë, në një sistem ekonomik i cili privilegjon gjithmonë e më pak njerëz”, – artikulon Qori.

Aktivistja Flavia Osmani sjell në vëmendje rëndësinë e organizimit sindikal, të cilat do të luanin një rol në përmirësim të kushteve të punës së minatorëve. Po ashtu, aktivistët e konsiderojnë me shumë rëndësi miratimin e statusit të minatorit, çka do u mundësonte minatorëve të dalë në pension, sikurse ishte rasti i 60-vjeçarit që gjeti vdekjen, Muharrem Plakut, një jetë më dinjitoze.

Osmani shton se heshtja e institucioneve apo te vetë ministrave për vdekjen e radhës në minierat e Bulqizës, është e qëllimshme.

Kjo harresë e qëllimshme vjen sepse njerëzve si Kryeministri ynë, njerëzve si ministrat tanë nuk u leverdis aspak që fytyra e vërtetë e shoqërisë sonë, të shfaqet, të dihet, të ndjehet në popullin e gjallë”.

Apatia është një tjetër komponent që e bën më të lehtë “harresën” e vdekjeve të njëpasnjëshme në nëntokë.

Flasin fëmijët në shkolla. Është bërë temë dite. Është bërë një temë kaq e zakontë, saqë është e frikshme, si asfiksimi, vrasja e një njeriu në vendin e punës, të jetë kthyer në lajm të njëjtë si rritja e bukës”- përfundon aktivistja Flavia Osmani.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *