Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Durrës: Gërmimet arkeologjike dëshmojnë edhe njëherë për nëntokën e pasur me trashëgimi

Nga gërmimet arkeologjike tek ish markata e vjetër e Durrësit janë zbuluar disa varre mesjetare dhe shtresa e parë e dyshemesë së një ndërtimi, i cili mbetet ende i panjohur.

“Deri tani kemi zbuluar shtatë varre, me gjasa të periudhës së mesjetës së hershme, pra fundi shekullit 7 deri fillimi shekullit 9”, thotë për Citizens Channel Brikena Shkodra, arkeologia e cila drejton projektin.

Ekspedita po zhvillohet në lulishten në krah të Postës Shqiptare, fare pranë murit rrethues të qytetit bizantin.

Arkeologia Shkodra tregon se aktualisht këto varre janë dërguar në muze për studime dhe analiza të mëtejshme.

“Jo vetëm për të rikuperuar detajet por materiali i gjetur depozitohet edhe për të çliruar hapësirën, për të vazhduar gërmimin më poshtë”, shton Shkodra.

Studiuesi Dorian Hatibi shpjegon për Citizens Channel se skeletet që janë gjetur i përkasin një moshe të re 16-25 vjeçare dhe janë të varrosur të gjithë me fytyrë nga lindja.

Dorian Hatibi

“Tregohet një qasje fetare e krishterë por ka edhe element paganë në brendësi”, thotë Hatibi.

Sipas Hatibit pritshmëritë janë të larta nëse gërmimi avancon në nivele më të thella, pasi mund të gjenden edhe struktura të periudhës romake.

“Dyshimi është që duke shkuar më për nga jugu, pra më brenda qytetit, edhe intensiteti dhe bukuria e strukturave do të jetë akoma dhe më e madhe sepse afrohesh nga qendra”, përfundon Hatibi.

Edhe pse projekti supozohet të zgjasë një muaj, deri më tani janë ezauruar më shumë se dy javë gërmime. Gjatë punës kanë dhënë kontributin e e tyre jo vetëm specialist të fushës por edhe vullnetarë dhe studentë të Universitetit të Tiranës.

“ Nëse ka mbështetje ekonomike mund të kemi zgjatje të projektit deri në daljen  e ujërave nëntokësore ku është e vështire më pas  të vazhdohet me gërmimin.  Shpresoj të shkojmë deri në atë pikë”, shprehet arkeologia Shkodra.

Këto gërmime kanë sjellë edhe një konflikt me pronarët e tokës, përfaqësues të Komunitetit Mysliman në Durrës,  të cilët pretendojnë se nuk i është kërkuar leje për nisjen e punimeve.

“I jemi drejtuar institucioneve përkatëse pasi aty po realizohen punime të paligjshme, por ende nuk kemi marrë një përgjigje”, ka shpjeguar Myftiu i Komuniteit Mysliman për Citizens Channel.

Derisa çështja të marr trajtë ligjore përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman kërkojnë ndërprerje të punimeve edhe pse deri tashmë prona në fjalë ka shërbyer si lulishte dhe hapësirë publike.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *