Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Muzeu i Luftës së Ftohtë tërheq turistët në Gjirokastër

Autor: Blerim Kore | Citizens Channel | Gjirokastër

Përgjatë sezonit turistik të verës, Muzeu i Luftës së Ftohtë në Gjirokastër tërhoqi vëmendjen e turistëve, ndërsa janë rreth 2 mijë vizitorë vendas dhe të huaj, të cilët kanë vizituar mjediset e tij. Muzeu gjendet në brendësi të një ish-vendstrehim luftarak të ndërtuar prej betoni, gjatë periudhës së komunizmit. Duke qenë se ndodhet pranë Pazarit karakteristik, i cili është edhe zona me e vizituar nga turistët, Muzeu i Luftës së Ftohtë ka pasuruar dhe e ka bërë më tërheqës udhëtimin e vizitorëve në Gjirokastër.

Tuneli nëntokëso i Muzeut të Luftës së Ftohtë

“Qyteti nëntokësor si strehë ndaj armikut imagjinar”

Ndërsa hap portën kryesore prej betoni, të tunelit të Luftës së Ftohtë, ciceroni i muzeut Bruno Pjetri pohon se ky është një ndër ndërtimet më interesante të asaj periudhe, jo vetëm në Gjirokastër por edhe më gjerë. “Vendstrehimi luftarak prej betoni, u ndërtua në fillim të viteve 1970. Tuneli, i cili përshkon pjesën e poshtme të shkëmbinjve, mbi të cilët ngrihet kalaja e qytetit, është i gjatë rreth 800 metra”, pohon Bruno ndërsa ecim në korridoret e nëndheshme të tunelit, të cilat janë ndërtuar me shtresa të dyfishta betoni të rëndë.

Në mjediset e brendshme të tij të zë syri gjithfarë aksesorësh, që do të shërbenin për akomodimin e ish- udhëheqjes komuniste lokale të atyre viteve, në rast të një sulmi eventual nga jashtë.

“Vendstrehimi përbëhet nga salla mbledhje, ambiente pune, pushimi, madje pjesë e tij është edhe një depo për furnizimin me ujë të pijshëm, centrali elektrik, etj.”, shpjegon ciceroni historikun e këtij tuneli të veçantë, përsa i përket edhe tërheqjes së turistëve.

Duke parë interesimin në rritje të turistëve, për këtë vendstrehim të Luftës së Ftohtë, Bashkia Gjirokastër i ka rikthyer atij një pjesë të fizionomisë së mëparshme, duke e bërë tashmë një pikë të vizitueshme dhe tërheqëse për vizitorët, që mbërrijnë në qytetin e gurtë.

“Për t’i bërë të vizitueshme nga turistët këto ambiente është bërë i mundur pastrimi dhe sistemimi i gjithë gjatësisë së vendstrehimit, riparimi i rrjetit të ndriçimit të brendshëm, aredimi i dhomave me objekte të atyre viteve, etj.”, tregon një prej pjesëtareve të stafit që përkujdesen për këtë muze.

“Tashmë në të gjithë Europën Lindore, mjedise të tilla janë mjaft atraktive dhe të kërkuar nga turistët, ndërsa ky vendstrehim i Luftës së Ftohtë është vendosur në shërbim të zhvillimit të turizmit në qytet”, pohon ciceroni Bruno Pjetri. Krahas vlerave të saj të pasura historike dhe arkitektonike, Gjirokastra po ofron për grupet turistike edhe elementë të tillë të veçantë, përsa i takon kërshërisë dhe kuriozitetit të vizitorëve për periudhën e Luftës së Ftohtë.

“Një atraksion për turistët e huaj”

Grupet turistike të huaja që mbërrijnë në Gjirokastër, porsa marrin informacionin e nevojshëm për Muzeun e Luftës së Ftohtë, preferojnë të nxitojnë për ta parë nga afër. Duket se vizitorët e huaj vazhdon t’i tërheqë kurioziteti dhe kërshëria për të parë këtë “qytezë” nëntokësore, e gjitha me beton, e ndërtuar për të përballuar kontradiktat e Luftës së Ftohtë.

Tashmë këto mjedise, po  tërheqin grupet turistike që vizitojnë qytetin e gurtë. Turistët dëshirojnë ta përshkojnë me këmbë këtë tunel i ndërtuar i gjithi me beton. Grupe turistësh ngjiten shkallëve të gurta që të çojnë në hyrje të tunelit, ndërsa disa të tjerë përshkojnë mjediset e brendshme të tij.

Eraldo Breshani, i cili punon si guidë turistike, shprehet se ka shoqëruar me dhjetëra turistë në mjediset e këtij muzeu. “Tuneli është një pjesës e së kaluarës, që përbën kërshëri dhe kuriozitet për turistët e huaj”, shprehet ai, ndërsa iu shpjegon disa vizitorëve historikun e ish vendstrehimit luftarak.

Vizitorët e huaj ndalen kudo: në mjediset që do të shërbenin si vendqëndrim për komandën, sallën e mbledhjeve, depon e ujit dhe hapësirat që shërbenin për mbajtjen e ushqimeve.

“Me thënë të drejtën vizitën në këtë vend na i sugjeroi shoqëruesi ynë turistik”, thotë Sara një vizitore nga Gjermania. Ndërsa ngjit shkallët e gurta që të çojnë në Muzeun  e Luftës së Ftohtë , ajo flet me kuriozitet dhe kërshëri për objekte të tilla. “Mendoj se njohja nga afër e këtyre objekteve, është diçka interesante, jo vetëm për të shuar disi kuriozitetin, por edhe për të parë nga afër efektet që shkaktoi Lufta e Ftohtë”, pohon Sara.

Ndërkohë pasi ka arritur në krye të shkallareve të gurta që të çojnë në vendstrehimin e dikurshëm luftarak, vizitorja e huaj fillon të shkrepë blicin e aparatit fotografik, për të fiksuar në celuloid konturet e betonta në hyrje të tunelit.

Falë sistemit të ndriçimit bashkëkohor që funksionon në muze ,turistët përshkojnë koridorin prej betoni, i cili të çon në “zemër” të ish vendstrehimit luftarak. “Me të vërtetë interesante diçka tërheqëse”, pohojnë turistët, ndërkohë që nuk pushojnë së shkrepuri aparatet fotografike.

Duket se historiku i këtij ish- vendstrehimi luftarak ,i gërshetuar me gjithë historinë e Luftës së Ftohtë krahas informacionit historik shërben edhe si një element atraktiv turistik. Ndërkohë që përshkojnë tunelin prej betoni, vizitorët e huaj kundrojnë me kërshëri çdo element të vendstrehimit. Tërheqëse për turistët janë objektet dhe reliket e vendosura në dhomat e brendshme. Vizita  në këto mjedise i përngjason një copëz kohe të ndalur në të shkuarën. Dhomat prej betoni janë areduar me objektet e asaj periudhe duke nisur nga mobiliet e zakonshme, tavolinat, karriget por edhe pajisje të tilla si telefona, pajisje ushtarake, etj.

Gjithçka është e veçantë duke tërhequr kuriozitetin e grupeve turistike. Dhe gjatë bisedave me njeri-tjetrin, ata nuk harrojnë të sjellin shembuj të tjerë, kur objekte të tilla kanë tërhequr interesimin e vizitorëve, duke shërbyer si qendra të rëndësishme për nxitjen e turizmit në zonat ku ishin ndërtuar.

Hermani, pjesë e një grupi turistik nga Gjermania përmend rastin e një vendstrehimi të tillë luftarak në ish Gjermaninë Lindore, për të cilin pas zbulimit u vendos që të mbahej hapur për vizitorët, për tri muaj rresht dhe më pas të mbulohet përgjithmonë me beton. “Mund t’iu them me bindje se ai u kthye në një vend vërtet tërheqës i cili krahas personave të interesuar për historinë e Luftës së Ftohtë, tërhoqi edhe vëmendjen dhe kërshërinë e vizitorëve të tjerë”, thotë turisti gjerman ndërkohë që thekson me bindje se raste të tilla, duhet të vihen në funksion të zhvillimit të turizmit.

“Në kërkim të relikeve për pasurimin e muzeut”

Hyrja kryesore e muzeut

Ky muze është një atraksion më shumë për turistët ,të cilët vizitojnë qytetin e Gjirokastrës. Ciceroni i muzeut, Bruno Pjetri shprehet se vizitorët kryesisht ata të huaj i tërheq historia e ish vendstrehimit të ndërtuar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. “Turistët nga shtetet e ndryshme janë të interesuar për mënyrën e ndërtimit të muzeut si dhe historikun e tij në vite”, shprehet ai. Bashkia e Gjirokastrës synon pasurimin e muzeu me objekte dhe relike të rinj, autentike të periudhës së Luftës së Ftohtë.

“Në vazhdimisht jemi në kërkim të relikeve historike të asaj periudhe, duke bërë të mundur pasurimin e fondit të muzeut dhe rritjen e interesit të turistëve për ta vizituar atë”, shprehet ciceroni Bruno Pjetri. Gjithashtu synohet sistemimi i disa prej pjesëve të shembura të tunelit, riparimin e rrjetit të ndriçimit të energjisë elektrike, sistemit të ajrimit, pasurimin e sinjalistikës orientuese përgjatë gjithë gjatësisë së tunelit etj. Tashmë vlerave arkitektonike të Gjirokastrës, aq të vizituara nga turistët, i shtohen edhe elementet historike siç është periudha e Luftës së Ftohtë.

Një fakt i tillë zgjeron hartën e vizitueshmërisë së qytetit të gurtë, duke pasuruar guidat e udhëtimeve për turistët.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *