Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt përcjellin përmes një letre shqetësimin për lirinë e medias në Shqipëri

Gjashtë organizata të gazetarisë në Ballkanin Perëndimor kanë adresuar përmes një letre shqetësimin për lirinë e medias në Shqipëri.

Më 28 shtator 2021, nën umbrellën e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalist) organizatat iu drejtuan Federatës Evropiane të Gazetarëve, Unionit Evropian të Transmetuesve dhe Oliver Varhelyu, Komisioner për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, për situatën në të cilën ndodhen gazetarët në Shqipëri si pasojë e centralizimit të informacionit.

Së pari, Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalist) u shpreh me shqetesim në letër për procesin e vonuar në zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Transmetuesit të Shërbimit Publik në Shqipëri (Radio Televizioni Shqiptar) duke e zgjatur këtë procedurë më shumë se 7 muaj tanimë.

“Ne shprehim shqetësimin tonë se nuk ka një justifikim thelbësor për vonesën në zgjedhjen e një Drejtori të ri të Përgjithshëm, roli i të cilit është vendimtar për performancën e RTSH si media e vetme e shërbimit publik në Shqipëri. Ne jemi të shqetësuar edhe për propozimet e drejtorit të ngarkuar në detyrë të institucionit për ndryshimin e strukturës organizative të RTSH të cilat janë në kundërshtim me mandatin e tij si ushtrues i kësaj detyre”,-thuhet në letër.

Ndërsa vijohet  më tej se “kjo periudhë tranzicioni mund të çojë në abuzim të mundshëm të pushtetit dhe shtrembërim në funksionimin e RTSH e cila mund të ndikojë potencialisht në lirinë e përgjithshme të mediave në Shqipëri”.

Vendimi i Këshillit të Ministrave për krijimin e Agjencisë për Median dhe Informimin ishte mes të tjerave një tjetër pikë që përmbante shqetësimi i shprehur në letër i Safe Journalists.

Sipas letrës, krijimi i kësaj Agjencie do të krijojë centralizim të komunikimit publik qeveritar, do të monitorojë mediat si dhe do të udhëhiqet nga zëdhënësi i qeverisë, pozicion ky i cili do të jetë në të njëjtin nivel me atë të ministrit të shtetit, duke e kryer raportimin direkt në zyrën e kryeministrit.

Përmes letrës, organizatat kërkuan mbështetjen e aktorëve përgjegjës përmes reagimeve, me qëllim respektimin e standardeve evropiane të lirisë së shprehjes dhe medias.

Letra u nënshkrua nga Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës, Sindikata e Mediave në Mal të Zi, Shoqata e Gazetarëve Kroatë, Shoqata e Gazetarëve të Kosovës, Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë si dhe Shoqata e Gazetarëve ë Maqedonisë së Veriut.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists), mbledh më shumë se 8,200 anëtarë në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe gazetarë nga Shqipëria, dhe vepron në rastet e shkeljeve e të drejtave të gazetarëve, kur rrezikohet siguria e tyre dhe kufizimi i lirive të medias.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *