Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Ardhja, shtëpia, varri”, një prespektivë antropologjike rreth procesit të zhvendosjes në Tiranë

Në Bathore, familja Keçi nga Fushë-Arrëzi tregon se lëvizja drejt Kamzës erdhi si domosdoshmëri, pasi shumë prej shërbimeve bazë si arsimi, shëndetësia ishin tepër të vështira për t’u aksesuar. Prej vitit 1998, ata zotërojnë një shtëpi në Bathore, me një oborr të vogël të mbjellë me pemë frutore dhe lule.

Historia e kësaj familjeje, si dhe e shumë te tjerave në zona perferike si Bathorja, Laknasi, Çerkeza dhe Paskuqani, ishin pjesë e punishtes së Laboratorit të Antropologjisë Urbane “Ardhja, shtëpia, varri” që u bashkëdrejtua nga Diana Malaj, aktiviste e grupit ATA në Kamëz dhe antropologu Nebi Bardhoshi nga Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit (IAKSA).

“Ardhja” – historitë e familjeve të zhvendosura në periferi të Tiranës

Zhvendosja e tyre, tregojnë anëtarë të familjes Keçi, nuk u ndryshoi stilin e jetesës, ata vazhdonin të mbanin kafshë shtëpiake dhe të kujdeseshin për tokën bujqësore, sikurse në fshat.

Se ndërrum vend, nuk ndërrum mend”, – thotë Prendusha Keçi me shaka. Nga ana tjetër, pas shumë vitesh punë dhe mund për të ndërtuar shtëpinë, Nikoll Keçi rrëfen se ndjen përkatësi në Bathore, megjithatë, në rast se në Fushë-Arrëz do  të kishte shërbime dhe do të ishte vend i populluar, do të rikthehej sërish në vendlindje.

Prendusha dhe Nikoll Keçi nga Fushë-Arrëzi

Ardhja e banorëve në një vend të panjohur, që është edhe akti i parë i kësaj punishteje, ka si qëllim në vetvete marrjen e përjetimeve të një grupi njerëzish të cilët lënë pas vendin e lindjes për të rendur drejt një mjedisi të ri, shpjegon për Citizens Channel antropologu Nebi Bardhoshi.

Thelbi ka qenë me pas përjetime të banorëve, si kanë ardh në një territor të ri dhe si jetojnë mes këtyre dy botëve; një bote që e kanë lanë mbrapa, që është vendlindja dhe lidhjet e njeriut që është sot me atë vend atje”.

Bardhoshi tregon se zonat periferike të zgjedhura janë të qëllimshme, pasi aty lëvrohen më së shumti histori njerëzore.

Një njeri që është shndërru në të ardhur, i duhet një proces ardhjeje. Ai, prej një jete në fshat, ka hyrë në një jetë në periferi të qytetit, me idenë për të hyrë në qytet”.

Akti i dytë është ndërtimi i shtëpisë dhe ritet zakonore që shoqërojnë ngritjen e ndërtesës.

Atë ditë që kemi hap themelet, jemi mbledh shumë njerëz. Kena pre dashin, edhe kokat e dashit janë fut në themel. Kemi hedh ujë të bekum”, – rrëfen një tjetër anëtare e familjes Keçi, Mariana, teksa të rinjtë, pjesëmarrës në këtë punishte rrëmonin në përjetimet emocionale të tyre gjatë atij procesi.

Ndërtimi i shtëpisë është akti më kulmor, ma i rëndësishëm sepse është streha ku ndërtohet jeta, bëhet shtëpia, rritet fëmija”, – cilëson antropologu Bardhoshi.

Nga Bathorja në Çerkez, ritet kulturore të vendasve dhe bashkëjetesa mes tyre dhe të ardhurve

Pas Bathores, një prej grupeve të punishtes vizitoi Çerkezën, ku zhvilluan dhe një bisedë me të moshuarën Bihane Kodra, vendase e zonës. Ajo tregon se të ardhurit nga malësia e veriut janë disi më të egër se tiranasit, megjithatë ruan marrëdhënie të mira me ta.

Kodra rrëfen se është martuar 17 vjeç, me mblesëri dhe se do dëshironte të kishte lindur në këtë kohë, ku zgjedhjet nuk do të ishin të diktuara nga doket dhe zakonet e dikurshme.

A do kishe dasht me e pa burrin?”, – e pyet Bihanen antropologu Nebi Bardhoshi.

Po edhe dojsha me e pa, ta dija për shembull kush është”, – i gjegjet ajo.

Sot është më mirë se për shembull gocat ose çunat e njohin, dalin e shohin ça mendje ka goca ose çuni. Atëherë s’kishte, si të binte rrije, s’të linin baballarët, ishin të egër”.

Nebi Bardhoshi, antropolog dhe Bihane Kodra, banore e Çerkezës

Pas martesës, pyetjet shkojnë për ritet në mort. Bihane Kodra shpjegon se në familjet tiranase rregulli është që burri duhet të lërë një shumë parash më të lartë sesa gruaja, kur kryhen vizita në familje. Kur e pyesin nëse mund të ndryshohen këto role, ajo i përgjigjet me jo.

“Po s’mund të dalësh para burrit”, – shprehet Bihane Kodra. Gratë, tregon më tej Bihanja, varrosen disa metra më thellë sesa burrat, pasi, siç besohet “gruaja ka fut shejtanin në shishe”.

Ritualet e mësipërme mortore, janë dhe pjesa mbyllëse e punishtes së Laboratorit të Antropologjisë Urbane.

Varrimi është rithemelimi i një adrese të re, cilëson Nebi Bardhoshi, çka ndeshet me pikëpytje të shumta për të ardhurit; a duhet bërë në vendlindje, ku ndodhen të parët e tyre apo në qytetin ku janë zhvendosur, ku familjarët jetojnë?

Përjetimet e marra nga banorët e periferisë së Kamzës do të arkivohen pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Artit.

Unë kam mendu që është mirë me kriju një arkivë që shndërrohet në një vend kujtese të këtyre njerëzve që kanë ardhur sepse në një plan antropologjik është dhuratë të kesh mundësi të flasësh me njerëzit që të japin këto eksperienca”, – përmbyll Nebi Bardhoshi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *