Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Vaksinimi i detyruar për studentët pa sukses

Autor: Ergi Picaku | Citizens Channel | Tiranë

Pas më shumë se një viti, sot studentët do t’i drejtohen edhe një herë auditoreve të universiteve. Ndryshe nga sa pritej,  ky vit akademik do të nisë në një mënyrë aspak të zakontë.

Për të marrë pjesë në mësim, studentëve u është vendosur detyrimi të provojnë se janë imunë ndaj Covid 19, duke paraqitur certifikatën e vaksinimit ose testin PCR negativ. Një detyrim që u konfirmua nga vetë rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha që paralajmëroi studentët e pavaksinuar se nuk do lejohen të futen në auditore.

Universiteti i Tiranës do të pranojë studentë me test PCR, dokument që e kanë kaluar Covid-19 apo studentët që për gjendjen shëndetësore nuk mund ta bëjnë vaksinën”, deklaroi rektori Artan Hoxha në një komunikim me gazetarët.

“Ditën e hënën nuk do të hyjë askush pa vaksinë apo dokumentacion, ndaj duhet të ndërgjegjësojmë studentët”, shtoi ai.

Mungesë komunikimi mes studentëve dhe ISHP

Në një përgjigje për Citizens Channel, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) pohon se për të bindur të rinjtë të vaksinohen janë bërë fushata informuese me grupe studentesh ku janë përfshirë pedagogë dhe mjekë.

Mirëpo strategjia e ndjekur nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit me sa duket nuk i ka bindur studentët, të cilët mohojnë të kënë pasur komunikime mes tyre dhe institucioneve përkatëse. Ata nuk shprehen kundër vaksinimit por refuzojnë të pranojnë detyrimin që është vendosur për ta.

Paola Ymet , studente në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, shpjegon shqetësimin e saj në lidhje me politikën e ndjekur nga ana e qeverisë për vaksinimin e studentëve.

Unë jam pro vaksinës. Ajo ç’ka me shqetëson më tepër është retorika e përdorur nga qeveria duke na  imponuar që ta bëjmë. Ka studentë që gëzojnë shëndet të plotë dhe nuk e shohin të arsyeshme t’a bëjnë vaksinën. Ata shprehen se do të respektojnë të gjitha masat e tjera”, thotë ajo për Citizens Channel.

Paola Ymet, mohon që të ketë pastur seanca konsultuese nga ana e organeve përkatese për të sqaruar studentët në lidhje me vaksinimin e detyrueshëm, ndryshe nga sa pohon ISHP në përgjigjen për Citizens.

Studentja mohon të ketë dijeni për ndonjë fushatë konsultimi nga ISHP:

Deri më sot askush nuk na ka kërkuar një mendim që të dalim në një përfundim të përbashkët dhe asnjëra nga palët të mos ketë keqkuptime.”, tregon Paola.

“Gjithashtu kemi edhe urdhrin e ministres e cila shprehet njësoj. Informacioni tjetër që kemi nga ky urdhër është që ata të cilët nuk vaksinohen do të paraqiten çdo javë me një test PCR I cili kushton të paktën 35€”, përfundon ajo.

Në të njëjtin mendim është edhe Dragana Kurti, studente e Shkencave Politike e cila shpreh kundershtitë e saj në lidhje me vaksinimin e detyruar.

Une jam pro vaksines por kunder vaksinimit me detyrim. Jam pro pasi besoj në shkencë dhe vaksina është certifikuar dhe njihet në nivel ndërkombëtar dhe nga ËHO. Por jam kundër detyrimit pasi nuk e shoh aspak të logjikshme detyrimin tek një grupmoshë ku studimet vërtetojnë që nuk jemi të rrezikuar”, thekson ajo.

Gevio Tabaku, student në degën e informatikës e cilëson si të padrejtë vendimin për të hequr të drejtën e studimit atyre që nuk janë vaksinuar.

Nga autoritetet eshte komunikuar se vetem studentet e vaksinuar do mund te ndjekin mesimin ne auditor. Kjo eshte e padrejte pasi duhet te krijohen menyra per te bere te mundur qasjen e te gjithe studenteve dhe jo ndarjen e tyre. Nuk eshte bere asnje thirrje per konsultim me studentet”, thotë ai për Citizens Channel.

Sa studentë janë vaksinuar?

Pavarësisht paralajmërimeve  të vazhdueshme nga ana e institucioneve shëndetësore dhe arsimore,  numri i studentëve të cilët morën vaksinën nuk ndryshoi shumë. Interesi i studentëve vijoi i ulët edhe pasi Ministria e Shëndetësisë vendosi që të shtynte muajin e hapur nga Shtatori në Tetor.

Sipas anketës së Bordit Kombëtar studentor, të publikuar më 30 shtator 2021,   31% (701) e studentëve të pyetur janë vaksinuar, 13% (283) e tyre nuk janë vaksinuar aktualisht por kanë në plan të vaksinohen, ndërsa 56% (1278) nuk janë vaksinuar.

Edhe eksperti i shëndetit publik, Dritan Ulqinaku ka dalë në përfundimin se nuk ka rritje të numrit të të vaksinuarve.

Të dhënat tona flasin për të njëjtën përqindje sikurse është edhe popullata e pergjithshme, por shpresojmë për të mirën e të gjithëve që ky proces të intensifikohet në ditët në vijim. Për këtë arsye kemi shumfishuar përpjekjet tona por edhe stafin për të qenë sa më afer vendeve (universiteteve) per aplikimin e vaksinave”,  deklaron ai.

ISHP nuk iu përgjigj plotësisht pyetjes së Citizens Channel mbi numrin e personave që  është vaksinuar në grupmoshën nga 18-25 vjeç gjatë 2 muajve të hapur të vaksinimit, duke dhënë shifra që i përkisnin një target grupi tjetër.

Ekspertët: Strategjia e vaksinimit të studentëve e gabuar

Ekspertët e fushës e cilësojnë strategjine e ndjekur nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë shqiptare në lidhje me vaksinimin e studentëve si të gabuar.

“Fjala detyrim duhet të hiqet nga fjalori për vaksinimin e studentëve sepse çdo student, çdo individ ka të drejtë të vendosë mbi shëndetin e vet”, thekson Kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg.

Aurora Dollenberg

Ajo shton se vaksinimi është një proces që po bëhet në të gjithë botën dhe se auditorët nuk mund të vizitohen nga studentët dhe pedagogët pa pasur një vërtetim vaksinimi ose test PCR negativ.

Një tjetër arsye e strategjisë së gabuar, sipas mjekes Dollenberg lidhet edhe me situatën jo të mirë të ekonomisë shqiptare.

“Pagesa e dy testeve te PCR në jave kushton, gjë që për një student shqipar është e pamundur për tu paguar, sikundër ëdhe për të punësuarit e fakulteteve”, përfundon Dollenberg.

Eksperti i shëndetit publik Laidon Shapo i cili punon në Britaninë e Madhe sugjeron që vaksinimi i detyruar nuk duhet të përdoret për të gjithë studentët, por duhet të ndahet me kategori.

“Vaksinimi u do ofruar të gjithë studentëve, por do aplikuar së pari dhe me detyrim tek ata që kanë probleme shëndetësore (pre-ekzistuese), janë vulnerabël dhe më të prekshëm ndaj infeksioneve respiratore dhe në pergjithësi konsiderohen më në risk për tu prekur nga Covid-19 dhe një sëmundje e rëndë e me pasoja”, argumenton Shapo.

Ladion Shapo

Shapo thekson se institucionet shëndetësore duhet të kishin vepruar më shpejt për të ndërgjegjësuar studentët për të marrë vaksinën.

Mendoj që duhet të kishte një strategji dhe politikë të qartë dhe koherente (në kohë dhe jo në minuten e fundit) në lidhje me procesin e vaksinimit në përgjithësi dhe në këtë rast. Kjo fatkeqësisht ka munguar ose në më të miren nuk është bërë publike apo sqaruar ashtu siç duhet”.

Sipas tij ka një mungesë informacioni duke sjellë kaos te të rinjtë.

Promocioni shëndetësor dhe shëndeti publik së bashku me strukturat e MSH/ISHP/Mjekëve të familjes e më gjerë duhet të kishin investuar në një fushate të gjerë informimi mes personelit dhe publikut të gjerë dhe në grupe risku. Kjo i ka lënë shteg një kaosi informativ ku ka pasur plot raste kur jo-specialistë, ‘anti-vax’ dhe të tjere persona (natyrisht kunder vaksinimit) të bëjnë një punë ngaterruese dhe penguese për një proces të gjerë dhe pozitiv vaksinimi.”, deklaroi ai.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *