Autore: Bardha Nergjoni | Citizens Channel | Elbasan

Katër shkolla u kyçën shtatorin e 2021 në rrethin e Elbasanit ndërkohë dy të janë drejt mbylljes për shkak të numrit të ulët të nxënësve. Situata paraqitet shqetësuese sidomos në zona të thella, ku braktisja është kthyer në një fenomen të zakonshëm. Veç mundësive të pakta për jetesë këto zona përballen edhe me një infrastrukturë të keqe të shkollave dhe mungesën e rrugëve, gjë që nxit edhe më shumë banorët për t’u larguar për një jetë më të mirë në qytete dhe në disa raste edhe në emigracion.

Në fshatin Lukaxhi në Labinot Mal, rreth 18 km nga qyteti i Elbasanit, emigracioni është fenomen i dukshëm sidomos për të rinjtë.

“Të rinjtë po ikin. Shkak nuk është vetëm se këtu nuk mundësi por mungon rruga. Jemi dy orë larg dhe rruga është shumë e keqe. Kalojmë edhe nga zalli se nuk ka urë ndërkohë që shkollën e kemi shumë larg”, tregon një banor i fshatit.

Një tjetër i moshuar thotë se fëmijët e vegjël nuk mund të ecin kaq shumë: “Ata më mirë të mbeten budallenj sa të vijnë tek kjo shkollë. Të vegjlit ngelin rrugëve. Vetëm ata mbi 10 vjeç mund të vijnë në shkollë”.

Shkolla e fshatit Lugaxhi

Një tjetër shkollë e mbyllur është ajo e Gracenit të Sipërm. Ish-drejtuesi i kësaj shkolle, Besnik Ceka tha se largimi i të rinjve në emigracion dhe të moshuarve drejt zonave urbane e zbrazi zonën, që dikur kishte mbi 100 nxënës. Edhe pse shkolla e Gracenit ndodhet buzë rrugës, ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan bëri që kjo zonë të humbë vëmendjen dhe mundësitë për të tregtuar ato pak prodhime që mund të nxirrte në treg. Banorët frikësohen se për pak vite të njëjtin fat do të kenë edhe dy shkolla të tjera të kësaj zone.

Situata duket e vështirë edhe në disa shkolla të tjera ku infrastruktura, mungesa e mundësive po bëjnë që numri i nxënësve të reduktohet. Arsimi i mesëm duket se po pëson të njëjtin fat. Kështu mbyllja e shkollës së mesme në fshatin Lugaxhi ishte e paralajmëruar për shkak të reduktimit të numrit të nxënësve. Braktisja nuk është i vetmi shkak. Një tjetër shkollë në një zonë me një popullsi të madhe siç është Labinoti Mal, ka njohur reduktim të vazhdueshëm të numrit të nxënësve.  Shkolla e mesme e bashkuar ‘’11 Dëshmorët’’ nuk ofron kushtet minimale për zhvillimin e mësimit. Një nxënëse e kësaj shkolle thotë se tualetet janë në gjendje të keqe, mungon uji dhe kushte të tjera që e bëjnë mësimin normal në një shkollë.

Mungesa e rrugëve çon drejt braktisjes së fshatrave

Një tjetër fshat që po braktiset është Qerreti. “Mungon asfaltimi dhe rrugët janë të pakalueshme. shkolla është në gjendje të mjerueshme prej vitesh”-u shpreh Halil Shyti, ish-nxënës.

Drejtori i gjimnazit, Agim Qoku thotë se emigracioni ka bërë punën e vet në këto zona por edhe infrastruktura është një tjetër faktor i rëndësishëm, që i bën shumë nga familjet të zbresin e të jetojnë në qytet si një mundësi më e mirë për shkollimin e fëmijëve. Ai thotë se duket të ketë një strategji për të shfrytëzuar resurset turistike të këtyre zonave duke investuar në infrastrukturë që edhe njerëzit të mos largohen.

Drejtuesja e Zyrës Vendore Arsimore, Anila Çota e pyetur mbi reduktimin e numrit të nxënësve dhe mbylljen e shkollave tha se shpërngulja e shumë familjeve ka bërë që automatikisht të mbyllen 4 shkolla. “Është e vërtete që një pjesë e familjeve janë shpërngulur nga fshatrat drejt qyteteve gjë që ka bërë që numri i nxënësve të reduktohet ndjeshëm. Ne si zyrë arsimore kemi detyrimin t’i ofrojmë arsimin e fëmijëve kudo që ata janë. I kemi kërkuar bashkisë mbështetje për mirëmbajtjen e infrastrukturës së godinave shkollore”, tha Çota për Citizens Channel. Në rastet e transferimit të nxënësve, prindërit përfitojnë paratë e transportit.

Një tjetër shkollë që ka kyçur dyert është ajo e Preçës në zonën e Funarit. Mungesa e infrastrukturës dhe rrugës ka bërë që të rinjtë të largohen, thonë banorët. Një pjesë e mirë kanë zbritur në qytetet më të afërta, një pjesë tjetër ka emigruar jashtë. Nxënësit e mbetur udhëtojnë me dhjetëra kilometra drejt Elbasanit për të marrë dije. Prindërit kanë kosto shtesë transporti duhet ti shoqërojnë çdo ditë sidomos më të vegjlit drejt shkollave të qytetit.

Shkolla e fshatit Preçë e sipërme e cila nuk i hapi dyert këtë vit shkollor.

Deri tani bashkia Elbasan nuk i është përgjigjur një kërkesë informacioni me shkrim mbi investimet aktuale dhe planin e investimeve në shkollat rurale dhe ato të dëmtuara nga tërmeti.

Gjithësesi, në një komunikim me median lokale nënkryetarja e bashkisë, Vesa Liço tha se fondet për ndërhyrje në shkolla nga buxheti i shtetit këtë vit thuajse kanë munguar. “Nga ana infrastrukturore kanë pësuar ndërhyrje çdo shkollë dhe në tërësi të gjitha shkollat janë prekur nga këto ndërhyrje. Për fat të keq të gjitha shkollat e Elbasanit nuk kanë pasur financimin e duhur, kjo dedikuar një rendi prioriteti vitin që kaloi nga ana e qeverisë për zonat e prekura nga tërmeti. Sigurisht që do kishte prioritet që fondet e investimit të shkonin në zonat e dëmtuara nga tërmeti. Sigurisht me përmbylljen e atij procesi në ato zona të dëmtuara, besoj se do kthehet vëmendja aty ku duhet në infrastrukturën e Elbasanit dhe më tutje”.

Vesa Liço – Nënkryetare e Bashkisë Elbasan

Liço ka theksuar se prioritet i bashkisë është eliminimi i shkollave me dy turne, por investimet në godina e kushtëzojnë situatën për shkak të mungesës së ambienteve.

Ndërkohë as shkolla e Treganit nuk i hapi dyert për nxënësit këtë vit, pasi u shpall e pafrekuentueshme pas tërmetit të 26 nëntorit dhe mungesës së investimeve.

“Shkollat e qytetit vuajnë të njëjtat probleme”

Infrastruktura e keqe nuk është vetëm problem i shkollave në zonat rurale të bashkisë Elbasan. Kushtet e shkollës “Hamit Mullisi” ka bërë që prindërit dhe fëmijët të nënshkruajnë një notë proteste duke kërkuar investime në këtë godinë në rrënim. Nisur nga ky shqetësim i vazhdueshëm bashkia Elbasan ka menduar t’i transferojë në një godinë provizore pranë Drejtorisë së Transportit Rrugor.  Enver Mustafaraj, një prej përfaqësuesve të komunitetit rom tha se kjo ka qenë një kërkesë e vazhdueshme për transferimin e shkollës në një godinë normale.

Shkolla 9-vjeçare Hamit Mulisi në Elbasan

Nënkryetarja e bashkisë Vesa Liço tha se kjo shkollë nuk vlen të rikonstruktohet për shkak të ambienteve të pamjaftueshme të godinës. “Besojmë se jemi në përfundim të një marrëveshjeje me DPTR dhe besojmë se nuk do të jetë larg data kur shkolla do të zhvendoset në këtë godinë. Besojmë se do të jetë një zgjidhje e mirë përsa i përket volumit, cilësisë dhe gjithë anekseve të tjera mbështetëse që ka nevojë një shkollë për të vazhduar procesin mësimor”.

Kjo mbetet një zgjidhje provizore derisa bashkia të mendojë ndërtimin e një godine të re në një hapësirë tjetër pranë komunitetit zonës ku banon minoriteti rom dhe egjiptian.

Disa shkolla dallojnë nga infrastruktura në qytetin e Elbasanit. Mungesa e investimeve në to bëri që këtë vit shkollor numri i nxënësve të përgjysmohej duke favorizuar shkollat me një infrastrukturë më të mirë, të cilat patën dyndje të regjistrimeve në klasën e parë.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu