Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Raport i ri, probleme të vjetra për lirinë e medias dhe të drejtat e njeriut”

Progres Raporti i Komisionit Evropian, publikuar më 19 tetor theksoi se Shqipëria nuk ka shënuar përparim në fushën e lirisë së shprehjes.

Sulmet verbale, fushatat e shpifjes dhe aktet e frikësimit ndaj gazetarëve nuk janë përmirësuar, nënvizon raporti.

Tensionet midis aktorëve politikë dhe gazetarëve janë rritur gjatë pandemisë dhe në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare. Hapat për ta bërë plotësisht funksionale autoritetin rregullator audio-vizual duhet të ndërmerren në një mënyrë që siguron pavarësinë dhe legjitimitetin e tij”,-citohet në raport.

Mes të tjerash raporti shprehet se duhet të sigurohet vetë-rregullimi në mediat online.

“Hapat për ta bërë plotësisht funksionale autoritetin rregullator audiovizual duhet të ndërmerren në një mënyrë që siguron pavarësinë dhe legjitimitetin e tij. Pavarësia, standardet profesionale dhe qëndrueshmëria financiare e transmetuesit të shërbimit publik duhet të forcohen”.

Sipas KE, parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit duhet të angazhohet për të siguruar që çdo ndryshim në ligjin për mediat të jetë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias.

Të dhënat e progres raportit të Komisionit Europian i komentoi edhe Kryeministri Rama në një dalje për mediat bashkë me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.

Sipas Kryeministrit liria e medias në Shqipëri nuk është më në pikëpyetje.

Unë nuk jam dakord personalisht as me atë që thotë raporti, as me idenë se këtu liria e medias është në pikëpyetje. Nëse ka një vend ku mund të thuash çfarë të duash dhe nuk të hyn gjemb në këmbë, madje mund të shkosh përtej kufijve të imagjinatës duke sajuar për kë të duash, ky vend quhet Shqipëri”,-u shpreh kryeministri Rama.


Në të njëjtën fushë, raporti thekson se Shqipëria vitin e ardhshëm duhet të plotësojë tre kërkesa:

-të sigurojë një politikë të tolerancës zero për frikësimin dhe sulmet ndaj gazetarëve, si dhe për kërcënimet kundër mediave, përfshirë në diskursin politik dhe në margjinat e demonstratave;

-të sigurojë që kërkesat ligjore për transparencën e pronësisë dhe financimit të medias, si dhe kufizimet e saj, si dhe kërkesat për reklamat publike, të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare;

-të sigurojë zbatimin e Kodit të Punës dhe të forcojë mbrojtjen e të drejtave të punës dhe sociale të gazetarëve shqiptarë.

Barazia gjinore 

Raporti vë në dukje se zbatimi i strategjisë dhe planit kombëtar të veprimit 2016-2020 për barazinë gjinore u pengua nga një hendek i vazhdueshëm financimi.

“Shqipëria duhet të bëjë përpjekje për të siguruar financimin e duhur shtetëror për ta zbatuar atë në nivelet qendrore dhe lokale. Kërkohen gjithashtu përpjekje për të siguruar që të gjitha strategjitë kombëtare në nivelin qendror dhe lokal të përfshihen në aspektin gjinor dhe të zbatojnë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor”,-thuhet në raport.

Dhuna me bazë gjinore është po ashtu një çështje e cila merr vëmendje në raport, duke pasur parasysh numrin e lartë të rasteve të dhunës me bazë gjinore në familjet shqiptare.

“Gjatë periudhës janar-dhjetor 2020, u identifikuan dhe u përpunuan 4 701 raste të dhunës në familje. Midis këtyre, 1505 raste janë referuar në Prokurori, 535 autorë janë arrestuar. Në vitin 2020, pati shtatë vrasje në marrëdhëniet familjare, gjashtë nga shtatë ishin gra”,-thuhet nw raport.

Raproti thekson se duhet të ofrohen shërbime të specializuara dhe të riintegrimit për viktimat dhe puna në menaxhimin e rasteve duhet të forcohet edhe më tej.

Të drejtat e personave me aftësi të kufizuar 

Shqipëria ende nuk e ka ratifikuar Protokollin Opsional të Konventës për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, shënon raporti. Ndërsa personat me aftësi të kufizuar kanë ushin më të prekurit nga pandemia e shkaktuar nga virusi COVID-19.

Vëzhgim është kryer edhe në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021, ku sipas raportit personat me aftësi te kufizuar hasën vështirësi dhe barriera në të drejtën për të votuar.

“Nevojiten përpjekje të mëtejshme, për të adresuar dhunën kundër personave me aftësi të kufizuara, për të përmirësuar aksesueshmërinë e përgjithshme (përfshirë shërbimet dhe informacionin), për të promovuar punësimin dhe për të mbledhur të dhëna statistikore mbi gjendjen e tyre”.

Sistemi arsimor konsiderohet ende përjashtues ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuar sipas raportit.

“Cilësia e arsimit për fëmijët me aftësi të kufizuara, veçanërisht fëmijët e shurdhër, mbetet një shqetësim. Numri i mësuesve ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuara në sistemin arsimor parauniversitar u rrit me 21% vitin e kaluar. Përpjekje shtesë janë të nevojshme për të siguruar trajnim mbi qasjet e arsimit gjithëpërfshirës për të gjithë mësuesit dhe për zbulimin e hershëm”. 

Të drejtat e komunitetit LGBTIQ 

Raporti vë në dukje se diskriminimi ndaj komunitetit LGBTIQ mbetet dominues kryesisht në aksesin e tyre në shëndetësi, arsim, drejtësi dhe punësim. Ndërsa nuk lë pa përmendur edhe rastet e dhunës fizike dhe verbale.

“Rastet e agresionit fizik kundër anëtarëve të komunitetit ende ndodhin dhe gjuha e urrejtjes vazhdon, veçanërisht në mediat sociale“,-thuhet në raport.

Mungesa e burimeve financiare si dhe vullnetit politik sipas raportit ishin arsyet edhe se pse Plani Kombëtar i Veprimit për personat LGBTIQ nuk dha rezultate të dukshme, megjithëse përfundoi në 2020.

“Ekipi ndërministror përgjegjës për monitorimin e planit të veprimit nuk ka mbajtur asnjë takim që nga maji 2019”.

Ndërsa thekson më tutje se “ndërgjegjësimi publik dhe pranimi i personave LGBTIQ mbetet i ulët, veçanërisht në zonat rurale. Gjuha e urrejtjes dhe gjuha diskriminuese vazhdojnë të jenë një problem në media, veçanërisht mediat online, dhe
nga politikanët”. 

Komuniteti Rom dhe Egjiptian 

Raporti thekson disa rezultate pozitive në fushën e regjistrimit, strehimit, arsimimit dhe puësimit të komunitetit Rom dhe Egjiptian.

Megjithatë ende kërkohen përpjekje për të përshpejtuar integrimin e romëve dhe për të zvogëluar hendekun me pjesën tjetër të popullsisë.

Ndërsa kërkohet sipas raportit që “Struktura e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, përgjegjëse për koordinimin e politikave të lidhura me romët duhet të forcohet”.

Një ndikim negativ në integrimin e këtij komuniteti pati edhe pandemia.

“Si rezultat, hendeku midis romëve/egjiptianëve dhe fëmijëve të tjerë jo-romë që jetojnë në të njëjtat zona ka mbetur shumë i madh. Fëmijët romë vazhdojnë të përfitojnë nga tekstet shkollore falas dhe transporti në shkolla të largëta. Ndarja në shkolla mbetet një çështje që duhet të trajtohet sistematikisht”.

Lexo raportin e plotë: Shqipëria 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *