Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kamëz: Vepra teatrale “Përdhunë”, ku flitet pak më shumë për dashurinë, seksin dhe përdhunimin

Regjisorja Anila Balla, dhe një grup aktoresh të reja sollën për tre ditë radhazi dy monologë të autores italiane Franka Rame. Shfaqja mori jetë në një skenë të improvizuar te një godinë në ndërtim në qytetin e Kamzës, organizuar nga grupi ATA.

Dy monologët janë shkruar në periudha të ndryshme kohore, por janë sjellë si një e vetme nga regjisorja Balla, në veprën “Përdhunë”, ku lëvrohen përjetimet e para të të qenit i dashuruar, përvojat e para seksuale dhe përdhunimi.

Në mes të skenës, teksa luhet pjesa e parë e veprës “Përdhunë”, qëndron vetë regjisorja, e veshur krejt në të zezë teksa zhvillon një monolog rreth seksit, orgazmës (edhe atë të shtirur), dashurisë, puthjes së parë, marrëdhënies së parë seksuale dhe turpit që shoqëron gjithë këto përvoja njerëzore.

Një vajze që e përjeton seksualitetin e vet, jo vetëm si tabu por si tmerr. Mos bëj këtë, mos bëj atë, mos e prek, mos…”, – tregon Balla.

Anila Balla, regjisore/ Foto: Ronald Qema, grupi ATA

Dhe teksa ajo vijon monologun, në anën tjetër të skenës dëgjohet një ulërimë rrëqethëse dhe befas i gjithë publiku ndërron kahje. Në anën tjetër të skenës tre vajza fillojnë të rrëfejnë gjysmë në vaj copëza të një skene përdhunimi.

Regjisorja italiane Franka Rame është përdhunuar në mars të vitit 1973 nga një grup burrash. Përdhunimi është shoqëruar me dhunë fizike, të cilat manifestohen hapur në monologun e saj, sjellë në Kamëz nga vepra “Përdhunë”; djegie me cigare, prerje e trupit me brisk.

Unë personalisht ka dy-tre çaste që më bëjnë me qajt. Edhe në skenë kur e interpretoj më mbushën sytë me lot”, – tregon Anisa Pepkolaj, aktore e veprës “Përdhunë”.

Është momenti ku thotë një gjilpërë djegëse, cigaret mbi golf e deri në lëkurë… Pastaj rasti tjetër është kur ai që e mban mes këmbëve hyn brenda meje”, – thotë Pepkolaj teksa risjell sërish pjesë nga vepra.

Edhe për aktoret e tjera nuk ka qenë e lehtë të luajnë në skenë një vepër të tillë.

Kur më është propozuar që të merrja pjesë në një shfaqje me tematika përdhunimin, normalisht unë nuk e dija tekstin ama një tekst aq i rëndë më frikësonte dhe nuk dija se si do e vinim në skenë”, – tregon aktorja e re Mariana Syla, teksa rrëfen se lidhja me veprën vjen vetvetiu.

Herën tjetër i bashkëngjitëm përjetimet tona emocionale, pra këto frikëra që kishim në përditshmëri, kur kalonim te kthesa e errët e lagjes, në darkë vonë, kur ktheheshim nga puna”.

Franka është përpjekur të mbajë mend çdo detaj të mundshëm, edhe kjo e bën shumë drithëruese”, – pohon Syla.

Aktore: Irena Keçi, Anisa Pepkolaj dhe Mariana Syla

Irena Keçi shpjegon se ata nuk e kanë menduar gjatë reagimin e publikut. Publiku, shprehet ajo, është i lirë ta shohë shfaqjen ose të largohet, pasi asgjë nuk e ndryshon përdhunimin. Ajo beson se arti është forma më e mirë për të shkrirë këtë akull.

Nga ana tjetër, aktorja Anisa Pepkolaj, e cila është në vit të fundit të gjimnazit shprehet se do të donte që lirshmërinë e diskutimit si në skenën e improvizuar në Kamëz ta gjente edhe në shkollë.

Në klasë nuk trajtohen asnjëherë, as mësuesit nuk na flasin… ndodhin përdhunimet që dalin në çdo lajm, në shkollë ne shkojmë në përditshmëri, sikur s’ka ndodh asgjë dhe mua kjo më ka bërë gjithmonë përshtypje, sesi mund të jemi kaq indiferentë”.

Diskursi publik, shprehet Irena Keçi, është denoncimi më i mirë i përdhunimeve.

“Vazhdo të trokasësh në çdo lloj porte, një portë do të të hapet, një derë do të hapet me të vërtetë dhe do të të dëgjojë. Vazhdo e bjeri dyerve derisa më të mos kesh forcë”, – përfundon Keçi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *