Foto nga protesta e naftëtarëve në Ballsh një vit më parë

Naftëtarët e Ballshit u mblodhën sot në sheshin para uzinës për të diskutuar gjendjen në të cilën ndodhen.

Fundi i muajit tetor shënon edhe mbarimin e kontratës të lidhur mes tyre dhe qeverisë shqiptare, prej së cilës përfituan një vit pagë prej 40 000 lekësh. Mos funksionimi i rafinerisë i ka lënë ata pa punë prej më shumë se një vit tanimë.

Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar, Sokol Dautaj u shpreh para naftëtarëve se kërkesat e tyre janë njësoj sikurse një vit më parë, duke mos gjetur zgjidhje.

Sokola Dautaj, kreu i Sindikatës së Bashkuar të Naftëtarëve

Naftëtarët ja ku janë këtu në shesh në pritje të një vendimi nga zoti Kryeministër. Kishim uruar dhe shpresuar mbas fjalës së takimit në Fier që do gjendej një zgjidhje në një kohë të shkurtër. Nuk dimë ç ‘interes ka nga palët, sidomos nga pronarët që kanë bërë kërkesë në vazhdimësi për rimarrjen dhe rivënien në punë të rafinerisë. Shpresonim që të merrte një zgjidhje në një kohë të shkurtër ky problem dhe halli jonë i zgjatur ndër vite“,-u shpreh Dautaj.

Përpos faktit se rafineria nuk është në gjendje pune, naftëtarët janë ende në proces gjyqesor për pagat e tyre të pa marra.

Çështjen e gjyqit ne e kemi kaluar në SPAK në tetor të vitit të kaluar. E kemi kaluar në prokurorinë e Fierit, njëkohësisht edhe drejt krimit ekonomik. Asnjë lëvizje deri në këto momente që flasim. Është një lojë e keqe kjo nga ish-sindikata, e përfaqësuar nga Taf Koleci”,-u shpreh Sokol Dautaj.

Sipas tij, procesi gjyqësor po zvarritet prej vitesh tanimë.

Besoj asnjë nga ju në këtë periudhë 1 vjeçare nuk ia ka ndjerë zërin përfaqësuesve më të lartë të Sindikatës. Kanë lënë me qëllim në heshtje zhvillimin e procesit gjyqësor që këto letra të zgjaten nga 2017 deri më sot. Është një pjesë e konsiderueshme e naftëtarëve nga 340 veta në dijeninë time për të zhvilluar gjyqin“,-përfundoi ai.

Më 28 shtator 2021 Kryeministri Rama u shpreh ne emisionin “Open” ne Top Channel se “Dy investitorë shumë seriozë që i kemi sjellë për ta vlerësuar e kanë parë shumë të pa efektshme dhe pa interes financiar koston e investimit në raport me fitimin. Kështu që jemi akoma në përpjekje”. 

Citizens Channel iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës për të ditur nëse është arritur një zgjidhje për situatën, por ende nuk ka marrë një përgjigje.

Më herët përgjatë muajit tetor Qendra për të Drejtat në Punë kërkoi nga qeveria të ndërmarrë hapat e nevojshëm për zgjidhje afatgjatë të problematikës së naftëtarëve në Ballsh.

 

Hap pas hapi – çfarë ndodhi në rafinerinë e Ballshit

  • Prej muajit janar të vitit 2020, naftëtarët kanë dalë në rrugë, duke protestuar pranë rafinerisë për pagat e prapambetura. Në shkurt 2020, ata hynë në grevë urie për herë të parë, duke ndenjur 12 ditë. Nga ajo greve urie arritën vetëm të merrnin disa prej pagave të prapambetura, por nuk mundën të ktheheshin në punë.
  • Në maj të vitit 2020, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mblodhi në një tryezë të përbashkët task forcën e ngritur për naftën, ku ndër të tjera lajmëroi rikthimin e kompanisë ALLUM dhe rinisjen e punës në rafinerinë e Ballshit brenda muajit qershor.
  • Gjatë muajve të verës protestat e naftëtarëve kanë qenë të vazhdueshme në qytetin e tyre. Më 26 gusht naftëtarët protestuan sërish para rafinerisë duke krijuar përplasje edhe me policinë.
  • Më 3 shtator, pas një takimi me kompaninë Allum i arrit marrëveshja për rifillimin e punës, ndërsa iu premtua një paradhënie prej 50.000 lekësh.
  • 11 shtator 2020, ishte dita e fundit e përmbylljes së marrëveshjes, sipas të cilës do të përfundonte nënshkrimi i kontratave dhe do të riniste puna. Të hënën naftëtarët u nisën për të punuar, por kompania shkëputi çdo kontakt me ta.
  • Më 17 shtator naftëtarët protestuan para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në Tiranë, por nuk morën asnjë përgjigje nga ky institucion.
  • 10 ditë më pas, naftëtarët hynë në grevë ne dytë të urisë, që vazhdoi për 42 ditë.
  • Në nëntor 2020, ata pranuan marrëveshjen me qeverinë Shqiptare, ku ju ofrua një pagë prej 40.000 lekësh për një periudhë njëvjeçare.

Në nëntor 2020, Citizens Channel ka sjellë një sërë rrëfimesh të grave naftëtare të Ballshit:

Rrëfime nga naftëtaret, Zamira Xhafa, gruaja që rriti e vetme dy fëmijët e saj, sot 19 ditë në grevë

Rrëfime: Lulzime Sulka, teknologia që humbi syrin në rafineri, sot në grevë urie për pagat e prapambetura

Rrëfime të grave në Ballsh, Mejreme Ferzaj: “Kërkojnë të na ulin dinjitetin, nuk dalim kokulur nga greva”

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu