Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Rrëfime nga të ‘dëbuarit’ e lagjes 5 maji në Tiranë”

Sanie Shehu, banore prej 30 vitesh në zonën e 5 majit, ka paketuar rrobat në thasë të zinj teksa pret ardhejn e fadromave që do t’i shembin shtëpinë ku ka banuar prej 30 vitesh.

Ajo është lajmëruar të premten nga policia bashkiake për të mbledhur plaçkat dhe për të gjetur një shtëpi me qira. Sania jeton e vetme prej dy vitesh, pas vdekjes së bashkëshortit.

Familja e saj janë fqinjët përreth, të cilët e ndihmojnë në përditshmëri, pasi ajo ka vështirësi në lëvizje. Me zhvendosjet që priten të ndodhin Sania ka frikë se lagjja ekzistuese do të shpërbehet dhe e ardhmja do të jetë më e vështirë për të.

“Kush të ma gjej shpinë? Skam asnjë njeri, jam e vetme dhe e sëmurë”, tregon për Citizens Channel Sania.

Ajo tregon se nuk ka rënë dakord për të firmosur aktmarrëveshjen e bashkisë për dëmshpërblimit të pronës, pasi ka investuar një jetë të tërë për ndërtimin dhe mobilimin e banesës.

Sanie Shehu

“Me e hedh në lum shpinë, mundimin që e kemi bë 30 vjet. Është gjynah”, rrëfen ajo teksa përlotet.

Të premten policët që e kanë paralajmëruar për tu zhvendosur i kanë thënë gjithashtu se ajo do të përfitojë një bonus qiraje prej 180 mijë lekë të vjetra.

“Bashkia do na japë 180 mijë lekë për qira, shpiat duhet ti gjejmë vetë. Po ku ka shpia nën 200 apo 250? Tani madje janë edhe me euro, shtrenjtë shumë”, përfundon Sania.

“Muri i turpit në lagjen 5 maji”

Ledion Mziu, një tjetër banorë i zonës ka improvizuar “murin e turpit”, një tabelë ku ka ngjitur të gjitha shkresat e akt marrëveshjes të propozuar nga bashkia, të cilën ai e citon të një anshme dhe jo në favor të interesit të banorëve.

“Muri i Turpit”, krijuar nga Ledion Mziu

“Bashkia Tiranë, zoti Erion Veliaj, kështu nis marrëveshja. Nuk ka as datë, as vulë, as numër protokolli”,  pohon Mziu për Citizens Channel.

Ai është i pajisur me certifikatë pronësie të banesës ku jeton dhe thotë se nuk është njoftuar me asnjë shkresë nga bashkia për të liruar objektin, por është njohur me planin e shpopullimit të zonës vetëm ndërmjet televizionit.

“Bashkia thotë firmos një herë këtë marrëveshjen, pastaj paraqitu në njësinë bashkiake dhe apliko për bonus qiraje për shkak të fatkeqësive natyrore”, shton Mziu në lidhje me strehimin.

Sipas tij procedura e strehimit është tërësisht e paqartë pasi ai nuk ka dijeni se ku do strehohet, për sa kohë do jetoj me qira, nëse do ta fitoj bonusin e qirasë apo jo dhe sa do dëmshpërblehet. Për këto arsye Mziu ka vendosur të mos e nënshkruaj akt marrëveshjen e Bashkisë Tiranë.

“ E kuptojmë që projekti është për interes publik, siç thotë bashkia, por edhe ne kërkojmë dëmshpërblim të drejtë. Kaq kërkojmë!”, përmbyll ai.

Shembja e banesave te lagja 5 Maji ka nisur prej disa ditësh ku policia bashkiake ka hasur edhe me rezistencën e banorëve. Nga projekti Tirana Riverside pritet të preket prona e 222 pronarëve dhe të ndërtohen 3500 apartamente të reja.

Projekti është planifikuar përpara 26 Nëntorit 2019 dhe vjen pas një zinxhiri vendimmarrjesh institucionale, ku dokumentet kryesore nuk janë vënë në dispozicion të publikut.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *