Shkenca qytetare “Citizen Science” është mbledhja dhe analizimi i të dhënave mbi natyrën nga publiku i gjerë, si një mënyrë për të bashkëpunuar me kërkuesit në rritjen e njohurive shkencore.

Ky koncept është përdorur në një iniciativë që synon dokumentimin e kafshëve të egra në Shqipëri. Përmes fotografive, qytetarët mund të promovojnë kërkimin shkencor rreth gjitarëve, duke ndihmuar në adresimin e ndikimeve të ngrohjes klimatike, humbjes së biodiversitetit apo sëmundjet emergjente të lidhura me botën e egër.

Deri me tani, që nga fillimi i zbatimit të projektit janë fotografuar mbi tetë specie te ndryshme kafshësh të egra si: derri, ketri i kuq evropian, dhelpra, ujku, ariu i murrmë, iriqi, nuselale, dreri etj.”, – shprehet për Citizens Channel Majlind Sulçe, drejtues i iniciativës Mammalnet në Shqipëri.

Zona kryesore e fotografimit është Parku i Llogarasë dhe i Karaburunit. Por ka regjistrime të kafshëve të egra në të gjithë territorin”, – vijon më tej Sulçe.

Sipas tij, moratoriumi që ndalon gjuetinë ka pasur ndikim pozitiv në biodiversitet.

“Larmishmëria e biodiversitetit tonë është shtuar disi edhe pas moratoriumit për ndalimin e gjuetisë në të gjitha zonat pyjore të Shqipërisë. Ka të ngjarë që kjo shumëllojshmëri e specieve të jetë më e lartë në parqet kombëtare si ai i Shebenik – Jabllanicës ose ne zonën e pyjeve malore te Kukësit dhe Tropojës”.

Këto regjistrime/dokumentime do të ndihmojnë grupet shkencore të kuptojnë sa mund të jetë numri i individëve për një specie të caktuar, në një zonë të caktuar. Ngarkimi i këtyre fotove i lejon kërkuesit evropianë të studiojnë diversitetin e specieve në Evropë.

Raporti: Veprimtari njerëzore ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në biodiversitet

Raporti “Living Planet 2020”, i përgatitur nga Fondi Mbarëbotëror për Natyrën (WWF), tregon se veprimtaria njerëzore nga viti 1970 deri në vitin 2016 ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në biodiversitet me një rënie drastike me rreth 68% të popullatës së gjitarëve, zogjve, amfibëve, zvarranikëve dhe peshqve në të gjithë botën.

Rritja e popullsisë dhe konsumerizmit ka bërë që qytetarët ta përdorin biokapacitetin e tokës në masën 56%.

Në 50 vitet e fundit, bota është transformuar nga shpërthimi i tregtisë, konsumit dhe rritjes së popullsisë, si dhe nga lëvizjet e madha drejt urbanizimit”, shkruhet në raportin e publikuar.

Rëniet e popullatave në këto nivele vjen sepse pas revolucionit industrial, ekosistemet janë dëmtuar në mënyrë të paprecedentë në histori. Ngrohja klimatike po ashtu ka shkaktuar rënie të mëdha të popullatave në botë.

Rreth një e pesta e specieve të egra rrezikojnë të zhduken këtë shekull vetëm për shkak të ndryshimit të klimës, pavarësisht përpjekjeve”, shpjegon raporti, teksa theksohet se tashmë disa specie po përballen me humbje të habitatit, ndërprerje të veprimtarisë me specie të tjera, si pasoje e ngritjes së temperaturave.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu