Devijimi i rrjedhës së lumit për ndërtimin e HEC-eve, Lugina e Valbonës | Foto: Gushjt 2018

Dje, Kompania “Dragobia Energy” ka pezulluar të gjithë veprimtarinë e saj në prodhimin  e energjisë përmes shfrytëzimit të lumit Valbonë në Tropojë. Pezullimi vjen muaj pas vendimit të Gjykatës së Lartë, ku në 21 korrik u urdhërua pezullimi i dy kontratave koncensionare deri në një vendim përfundimtar.

Ishte vetë përmbaruesja e Kukësit Satbere Shahu, që konfirmoi se turbinat ishin fikur, pas një vizite në terren, shoqëruar nga forca të policisë së rendit dhe bashkisë së Tropojës dhe nga përfaqësuesja e organizatës mjedisore “TOKA”, Catherine Bohne.

Ky është një hap i rëndësishëm në përpjekjet tona për të siguruar që një proces i rregullt ligjor të ndiqet – sado me vonesë – në lumin Valbonë”, – tha Bohne, në një deklaratë për mediat.

Vizita e përmbarueses Shahu vjen pas shkresës zyrtare që ky institucion i dërgoi kompanisë “Dragobia Energy”, “Gener 2”, Ministrisë së Energjisë, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Ministrisë së Mjedisit, Këshillit Kombëtar të Territorit, Këshillit të Basenit Ujëmbledhës Drin-Bunë, ku u urdhërua zbatimi i vendimit të Gjykatës së Lartë.

Moszbatimi i këtij vendimi, thuhej në shkresën e bërë publike në datë 2 nëntor, do të çonte në ndjekje penale dhe gjobitje të përfaqësuesve të institucioneve.

Pas ditës së sotme, nëse kompania hap çelësin dhe ndez sërish hidrocentralet, qoftë edhe për 5 minuta, qoftë edhe në mes të natës, bëhet një vepër penale që – mos gaboni – do ta ndjekim penalisht”, – shkruhet më tej në deklaratë.

Gjykata e Lartë mori vendimin në datë 21 korrik 2021 që të pezulloheshin kontratat koncensionare për dy hidrocentralet brenda Parkut Kombëtar të Valbonës, deri sa të merret një vendim i formës së prerë nga ky institucion.

Kompania “Dragobia Energy”, 100% në pronësi të “Gener 2” nuk e zbatoi këtë vendim dhe vijoi të prodhojë energji hidrike përmes dy HEC-eve “HEC Çerem” dhe “HEC Dragobia”.

Prodhimi i energjisë në kundërshtim me ligjin erdhi sepse përmbaruesi i Tropojës, Eduard Mrishaj refuzoi të kryejë rolin e tij. Ligjërisht, përmbaruesi mund t’i japë një afat kohor deri në 10 ditë kompanisë për te zbatuar vendimin vullnetarisht, por në rast të kundërt i lind e drejta të ndërhyjë, duke përdorur dhe ndihmën e policisë së shtetit.

Duke parë ngërçin e krijuar në zbatimin e vendimit të gjykatës si rrjedhojë e moskryerjes së detyrës nga përmbaruesi, përfaqësuesi ligjor i organizatës “TOKA” iu drejtua me një shkresë Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit ku kërkoi ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Lartë sa i përket çështjes së Valbonës

Pas këtij njoftimi, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit urdhëroi më datë 27.10.2021 përmbaruesin e Tropojës të zbatojë vendimin e Gjykatës së Lartë. Ky vendim u ekzekutua pas reagimit të përmbarueses së Kukësit Satbere Shahu.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu