Pamje gjate protestes se dites se sotme ne Peshkopi. Foto marre nga : Ketu mblidhen dibranet

“Po Dibrës, jo Skavicës”, kjo ishte thirrja që bëri bashkë sot në orën 11.00 qindra qytetarë, aktivistë dhe ambientalistë në bulevardin “Elez Isufi” në Peshkopi.

Fillimisht protestuesit firmosën një peticion që do t’i dërgohet qeverisë shqiptare dhe Ambasadës së SHBA-së në Tiranë kundër ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës.

“Më një tetor në Skavicë erdhi ministrja Balluku, e shoqëruar me ambasadoren amerikane Kim. Thanë që jemi në fazën e studimit. Si mund të jemi në fazën e studimit kur aty kanë nis punimet?”, – tha Nazmi Drizi, një nga organizatorët e protestës, si edhe kryetar i shoqatës “Drini i Zi”.

Zenel Hoxha, një aktivist që jeton në Angli prej 28 vitesh, tha se ky vendim është arbitrar duke shkelur të gjitha normat e demokracisë.

“Nuk mund të bëhet biznes në kurriz të Dibrës”, – theksoi Hoxha.

Historiani Haki Përnezha shtoi se ky projekt që publikohet fshehurazi nga shteti jonë, vetëm nëpërmjet televizionit, duke injoruar 32 mijë banorë dhe 16 mijë familje, është i patolerueshëm.

“Ndërtimi i këtij hidrocentrali është më shumë i dëmshëm sesa i dobishëm. Niveli i të ardhurave të bizneseve përreth këtu, do të ulet, për shkak të largimit të popullatës”, – pohoi Përnezha.

Bashkim Mashkulli, kryetari i këshillit të komunës së Dibrës së Madhe, deklaroi se dëmi që do t’i sjellë Skavica Dibrës është i paimagjinueshëm.

Do të thotë të dënosh me vdekje 33 fshatra”, – tha ai.

Bashkim Mashkulli solli në kujtesë rastin e Dibrës së madhe ku janë ngritur tre hidrocentale.

“E dini sa është fitimi i Dibrës së Madhe? Zero, asnjë lekë. Dhe ju nuk do të fitoni asnjë lekë”, – përfundoi Mashkulli duke ju drejtuar protestuesve.

Organizatori Nazmi Drizi paralajmëroi se protestat nuk do të ndalen duke arritur edhe në mosbindje civile.

“Shpëtimi i Shqipërisë, fundosja e Dibrës”

“Skavica që ka filluar tani nga puna dhe që do të ndërtohet brenda këtij mandati me ndihmën e zotit, do na japë mundësi të ruajmë rezerva”, – tha kryeministri Edi Rama gjatë një fjalimi rreth krizës së energjisë muajin e kaluar.

Historia me projektimin e hidrocentralit Skavica daton që në vitet 1970, pasi u konceptua si një digë që do të shërbente si rezervuar për ujin e Drinit të Zi.

Në vitin 2000 projekti iu dha me koncesion një kompanie italiane, por nuk u materializua kurrë.

Në vitin 2009 qeveria hapi një ankand për të tërhequr oferta për ndërtimin e hidrocentralit, i cili rezultoi sërish pa sukses.

Më 23 shjetor 2015 qeveria shqiptare i akordoi nje bonus për hidrocentralin një kompanie turke, bashkim dy kompanish (“Suzer Group” dhe “Nurol Holding”), vendim i cili u shoqërua me denoncime për klientelizëm, pasi nuk u publikua as në faqen zyrtare të kryeministrisë.

Më 5 korrik 2021 u nënshkrua kontrata midis Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare dhe kompanisë amerikane Bechtel, e shpallur fituese pa garë.

Qeveria shqiptare ka tentuar disa herë pa sukses në të shkuarën të anashkalojë ligjin e prokurimit publik apo atë për partneritetin publik-privat me qëllim që të paracaktojë një fitues të një projekti pa garë.

Ndërkohë, kjo nuk është hera e parë që qytetarët e Dibrës organizojnë protesta. Më dhjetor te 2020 Policia e Dibrës ka gjobitur me nga 5 milionë lekë të reja dy organizatorët e protestës kundër ndërtimit të HEC-it të Skavicës, konkretisht Nazmi Drizin, kryetari i shoqatës “Drini i Zi” dhe Ali Hoxha president i së njëjtës shoqatë.

Raporto

1 Koment

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu