Foto ilustrim: Xhemali Moku

Autor: Blerim Kore | Citizens Channel | Gjirokastër

Mjeshtrit gurgdhendës në qytetin e Gjirokastrës po ripërtërijnë traditën e shtrimit me kalldrëm të rrugëve të brendshme të qytetit. Së fundi, në Gjirokastër është rikthyer tingulli i çekanëve të skalistëve të gurit që punojnë për shtrimin me “qilima guri” të rrugëve në pjesën muzeore të qytetit.

Një prej rrugëve karakteristike të lagjes “Palorto” që të çon në shtëpinë karakteristike të Zekatëve ka nisur të zhurmojë nga gurgdhendësit dhe mjeshtrit e skalitjes së gurit, të cilët po punojnë për restaurimin e kalldrëmit të gurtë. Kjo rrugë karakteristike ishte e dëmtuar deri më tani.

Mjeshtri gurskalitës Mërkur Shameti shprehet se gjatë muajve të fundit ka punuar për shtrimin me kalldrëm të disa segmenteve rrugore.

“Në Gjirokastër po rikthehet tradita shekullore e shtrimit me kalldrëm të rrugëve të qytetit. Gjatë muajve të fundit unë kam punuar për shtrimin me kalldrëm të disa rrugëve në lagjet “Dunavat” dhe “Palorto”, duke restauruar kalldrëmet në pjesën muzeore”, pohon ai.

“Gjithmonë e më shumë ne po kryejmë punime për rikonstruksionin  e rrugëve të kalldrëmta në Gjirokastër, duke i dhënë më shumë bukuri  qytetit edhe për turistët”, shprehet gurgdhendësi Beni Baxha.

Zhvillimi i turizmit ka sjellë interesimin në rritje të donatorëve të ndryshëm duke përfshirë Ministrinë e Kulturës, Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkinë e Gjirokastrës për mirëmbajtjen dhe restaurimin e rrugëve të kalldrëmta. Ndërhyrjet më të mëdha janë përqendruar në zonën muzeore dhe lagjet karakteristike, të cilat janë edhe më të vizituara nga turistët.

Bashkia e Gjirokastrës ka një grup të veçantë gurskalitësish, të cilët mirëmbajnë segmentet e shtruara me kalldrëm në lagjet e ndryshme të qytetit. Ndërkohë edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me institucionet e trashëgimisë kulturore ka ndërhyrë për restaurimin e rrugicave karakteristike.

Sipas specialistit Pavli Miço, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka restauruar rrugët e kalldrëmta që të çojnë në banesën e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare si dhe në shtëpinë historike të Bajo dhe Çerçiz Topullit.

“Në vazhdimësi synojmë restaurimin e rrugicave të kalldrëmta që përfshihen në udhëtimin që piktori dhe poeti i mirënjohur Eduart Lir ndërmori në Gjirokastër, në mesin e shekullit të 19-të”, shprehet Miço.

Drini Gjoni dhe Ziver Shehu, gurskalitësit e kalldrëmeve të gurta

Zanati i skalitjes së gurit vazhdon të transmetohet në breza, në qytetin e Gjirokastrës ndërsa mjeshtrit gurgdhendës kanë realizuar vlera të papërsëritshme të punimeve dhe dekoracioneve në gur të skalitur. Tashmë rrugët e shtruara me kalldrëm janë simbol jo vetëm i qytetit të gurtë por edhe traditës shqiptare në përgjithësi.

Prej më shumë se 40 vitesh, gurskalitësi Ziver Shehu ka realizuar një sërë punësh në gur të gdhendur, duke i shtuar edhe më shumë vlerat karakteristike të qytetit të gurtë. Ai shprehet se, me këtë zanat është lidhur që në moshë të vogël ndërsa nga gurgdhendësit e vjetër ka mësuar sekretet e punimit dhe skalitjes së gurit. Me çekanin dhe daltën e gurskalitësit Ziveri ka punuar për ndërtimin e godinave të gurta, shtëpive karakteristike, restaurimin e rrugëve të kalldrëmta.

“Punimi dhe skalitja e gurit kërkon mund dhe durim pasi ky zanat është një art më vete, kryesisht për punimin e kalldrëmeve”, shprehet Ziveri.

Punime të veçanta në gur të gdhendur ai ka realizuar edhe në Greqi ku për rreth 15 vite punoi si emigrant.

“Në Greqi punimet karakteristike të gurskalitësve nga Gjirokastra janë mjaft të vlerësuara”, pohon Ziveri.

Tashmë në moshën 62 vjeçare ai shprehet se nuk ka për të hequr dorë nga ky zanat. “Gur skalitja është një profesion i bukur me gjithë lodhjen dhe mundin që ka. Do të ishte mirë që sa më shumë të rinj ta mësonin dhe ushtronin këtë zanat, duke trashëguar në breza vlerat e qytetit të Gjirokastrës”, shprehet gurskalitësi Ziver.

Për rreth 30 vite Drini Gjoni ka punuar si gurgdhendës në Gjirokastër. Për Drinin të punosh për restaurimin e rrugëve të kalldrëmta është një emocion i veçantë.

“Me zanatin e gurskalitësit më lidh  çdo moment i jetës që kam kaluar në Gjirokastër”, shprehet Drini.

“Për mua është përgjegjësi që të punoj në mënyrë cilësore për restaurimin e kalldrëmeve. Mendoj se edhe gurskalitësit e tjerë po kryejnë një punë mjaft të mire”, pohon ai.

Për Drinin zanati i gurskalitësit është një art më vete dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për punimin e kalldrëmeve. “Ky është një zanat që kërkon jo vetëm përvojë por edhe respektin për traditën e vetë qytetit”, shprehet ai.

Tashmë punimet në kalldrëmet e gurta të Gjirokastrës i përngjasojnë  një atelieje të vërtetë për mësimin e këtij zanati. Drini përpiqet që gjatë punës të shuajë disi edhe kureshtjen e banorëve  dhe kryesisht  të turistëve për mjeshtërinë e skalitjes së gurit.

“Zanati i gurgdhendësit nuk duhet të lihet në harresë pasi janë mjeshtërit e rinj që do të vazhdojnë të mirëmbajnë dhe restaurojnë qytetin e Gjirokastrës”, shprehet Drini.

Mirëmbajtja e kalldrëmeve, një domosdoshmëri

Zhvillimi i turizmit dhe fluksi në rritje i vizitorëve vendas dhe të huaj në Gjirokastër, po nxjerr si domosdoshmëri zbatimin e projekteve mirëmbajtëse në rrugët e kalldrëmta. Si shkak i harresës në vite por edhe zbatimit të projekteve publike për ndërtimin e ujësjellësit apo rrjetit të energjisë elektrike, një pjesë e rrugëve të kalldrëmta që përshkojnë zonat kryesore të qytetit janë të dëmtuara.

Krahas humbjes së vlerave të tyre, kjo situatë po sjell vështirësi edhe për lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve. Gjatë muajve të fundit banorët e lagjeve “Dunavat”, “Hazmurat” apo “11 Janari” janë shprehur të shqetësuar për dëmtimin e rrugëve të kalldrëmta dhe lëvizjen me vështirësi të tyre për shkak të punimeve që po kryhen për ndërtimin e ujësjellësit të qytetit. Megjithëse këto dëmtime kanë nisur të restaurohen, sërish ritmet janë shumë të ngadalta, duke bërë që edhe Bashkia e Gjirokastrës të ndëshkojë administrativisht me shumën prej  500 mijë lekësh zbatuesit e këtij projekti.

“Nisën shirat e para të vjeshtës dhe nuk kemi si të lëvizim, kalldrëmi që ishte mjaft i bukur tani mbulohet nga balta si shkak i hapjes së kanaleve për ujësjellësin”, shprehet D. Bebeçi, banor i lagjes “Dunavat”.

“Rruga e lagjes sonë dikur mjaft e bukur dhe e shtruar me gur të skalitur tani mbulohet nga dheu dhe balata që i kanë lënë pasi kryen punimet dhe shtruan linjat për ujësjellësin e qytetit. Nuk ke ku të hedhësh këmbët”, pohon Th. Nano, një i moshuar në lagjen Hazmurat.

Sipas specialistëve të trashëgimisë kulturore, Gjirokastra e UNESCO-s ka si domosdoshmëri mirëmbajtjen e vazhdueshme të rrugëve të kalldrëmta si  një prej vlerave unikale dhe të papërsëritshme të qytetit. Pjesa më e madhe e këtyre “qilimave” me gurë të skalitur, ndodhen në pjesën historike të qytetit, në lagjet karakteristike të preferuara për tu vizituar edhe nga grupet turistike vendase dhe të huaja.

Një problematikë për to është dhe qarkullimi i automjeteve duke përfshirë edhe ato të tonazhit të rëndë çka sjell dëmtimin e rrugëve karakteristike. Gjithashtu mirëmbajtja e rrugëve të kalldrëmta edhe në disa prej fshatrave me vlera historike dhe turistike si Dhoksat, Labovë e Kryqit, etj do të rriste vizitueshmërinë e tyre nga turistët.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu