Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Klos: “Të gjithë kundër gurores”

84 banorë të fshatit Shkallë, nga Bashkia Klos, qarku Dibër, u mblodhën ditën e premte, datë 19.11.2021, në dëgjesën publike të thirrur nga Këshilli Bashkiak Klos, për të kundërshtuar edhe një herë guroren me sipërfaqe 4.5 dynym toke që kompania “Gjoka Konstruksion” planifikon ta ndërtojë pak metra larg shtëpive të tyre.

Banorët e fshatit Shkallë, Xibër marrin pjesë në dëgjesën publike

Këshilli bashkiak zhvilloi dëgjesën për projekt – aktin: “Për dhënie mendimi për fillim procedurash për heqje nga fondi pyjor i sipërfaqeve të kërkuara nga subjektet private” ku unanimisht, të gjithë banorët pjesëmarrës, votuan kundër gurores.

Ministria e Mjedisit e ka licencuar kompaninë “Gjoka Konstruksion” për ndërtimin e kësaj guroreje. Hapi i radhës pritet të merret nga Këshilli Bashkiak Klos, ku kompania private ka aplikuar për heqjen e sipërfaqes prej 4.4083 hektarë tokë nga fondi pyjor, si hallka e fundit që i duhet të kapërcejë, në mënyrë që të fillojë shfrytëzimi i gurit gëlqeror.

Spartak Vokrri, sekretar i Këshillit Bashkiak Klos u shpreh për Citizens Channel se kjo dëgjesë do t’i shërbejë këtij institucioni që në mbledhjet e ardhshme të merret një vendim përfundimtar rreth ndërtimit ose jo të gurores.

Kush është pro për këtë gjë?”- pyet sërish banorët pjesëmarrës Valbona Kola, kryetare e këshillit në Bashkinë Klos.

Asnjë, asnjë s’ka”, – përgjigjet një prej banorëve.

Përfaqësues të Këshillit Bashkiak, Klos

Pjesëmarrësit në dëgjesë publike argumentuan se kurrsesi nuk mund të bashkëjetojnë me zhurmën dhe ndotjen.

Si mund të vijnë këtu? Me çfarë normash? Kalaja, 200 metra vijë ajrore. Kalaja tjetër, 300 metra vijë ajrore”, – tha gjatë dëgjesës publike Resul Baleta, kryetar i fshatit Gur i Bardhë.

Çdo gjë që të vendoset, të vendoset në popull. Ba gurore, ba HEC-e, ça u ba këtu? E shkatërrun vendin fare. Ku do të shkojmë ne? Ca oligarkëve t’u lirojmë rrugën ne?”, – vijon më tej Baleta i irrituar.

Banorët besojnë se jo vetëm fshati Shkallë, por edhe fshati Gur i Bardhë, Dars, Pertralbë, Xibër-Hane, Ketë, Xibër-Murriz do të dëmtohen nga kjo gurore.

“Kam 120 krerë dhi e gjashtë dele. T’i them atij që plas mina: “Prit ore, të hap çadrën’”- thotë ironikisht Dhurim Kurti gjatë fjalës së tij. “Ose dhentë t’i mbuloj me plastmas se u bien gurë”.

Dhurim Kurti, banor

Kompania “Gjoka Konstruksion” pohon se i ka kryer dëgjesat me publikun dhe se nuk ka pasur asnjë kundërshtim nga banorët. Situata paraqitet ndryshe në terren.

Screenshot nga leja mjedisore për “Gjoka Konstruksion”

Banorët e fshatit Shkallë mblodhën pak muaj më parë 52 firma të kryefamiljarëve të zonës dhe ia drejtuan Këshillit Bashkiak dhe Prefekturës, ku shprehën shqetësimin se firma “Gjoka Kontruksion” po vijon mbledhjen e nënshkrimit pro gurores, pa kryer një dëgjesë publike institucionale me të gjithë të interesuarit.

Marrja e inerteve në fshatin Shkallë, Klos, shkruhet në dokumentet zyrtare, do të shfrytëzohen në funksion të rrugës së Arbrit.

Fillimisht me marrëveshje “morale”, tashme proceduriale

Në dhjetor të vitit 2020, banorët e fshatit Shkallë u mblodhën sërish të alarmuar, pasi punëtorët e “Gjoka Konstruksion” kishin shkelur marrëveshjen e shkruar me dorë, ku i siguronin banorëve se do t’u bënin disa favore infrastrukturore dhe punësim të banorëve, në këmbim të marrjes së inerteve në sipërfaqe, në pozicionin ku sot kërkohet të ndërtohet gurorja.

Akt-marrëveshja joformale mes kompanisë “Goka konstruksion” dhe banorët e fshatit Shkallë

Banorët e fshatit Shkallë u shprehën për Citizens Channel se dyshonin që planet e firmës ishin për gurore pasi në terren kishte sonda shpuese.

Citizens Channel iu drejtua Bashkisë Klos dhe kjo e fundit pohoi se kompania “Gjoka Konstruksion” me datë 08.07.2020 ka kërkuar të marrë leje për shfrytëzimin e mineraleve ndërtimore, por kërkesa nuk është miratuar pasi ka pasur mungesë dokumentacioni.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *