Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Nis shembja e 7-katëshit të parë të Tiranës

Godina e ish Agjencisë Telegrafike Shqiptare, e ndërtuar në 1976 nga arkitekti Maks Velo ka nisur të shembet, duke u zhdukur kështu nga harta e Tiranës, së bashku më historinë që mbart.

Godina e njohur ndryshe si 7-katëshi, është shpallur monument kulture kategoria II në vitin 2007 nga Ministria e Kulturës dhe zyrtarisht vijon ende të jetë në listën e monumenteve të kulturës.

Ishte kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili njoftoi në muajin prill shembjen e godinës, gjatë një video live me kryeministrin Edi Rama ku u shpreh:

“Kjo është ndërtesa që do rrëzohet, tamam si materniteti, 7 –  katëshi i famshëm i bashkisë. Prej kësaj ndërtese lindi edhe konflikti me partitë që merrnin hapësira publike dhe me të drejtë KLSH-ja thotë se për sa kohë që Bashkia ka hapësira pse duhet të marrë me qera gjysmën e Torre Drin-it që zihet nga parti që s’ju takon”.

Citizens Channel ka raportuar më herët, hapat se si u arrit deri në vendimin për shembjen e kësaj godine.

Në artikull, Citizens tregoi se Bashkia e Tiranës ka marrë miratimin e Institutit të Ndërtimit për ta shembur.

Sipas planit të projektimit, në truallin ekzistues do të ndërtohet një objekt për zyrat e administratës publike. Sakaq në të njëjtin dokument, godina shpallet si e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Këtë inxhinieri I objektit Orhan Sakiqi e kundërshton, pasi sipas tij godina është e sigurt. 

“Futem unë i pari nën të, futem nën objekt nëse ai bie nga tërmeti. Nuk ka gjë më të poshtër nga ana profesionale për një inxhinier, që sa është gjallë, i prishet vepra e tij”, është shprehur Sakiqi për Citizens Channel.

Sipas dokumenteve, godina e ish ATSH-së, është pjesë e një tenderi prej 30 milion eurosh, duke u futur në listën e 14 objekteve arsimore që do të ndërtohen në Tiranë, në kuadër të programit të rindërtimi. Objekti është i vetmi në listë që nuk ka lidhje me arsimin e as nuk do të shndërrohet në godinë arsimore.

Përpos faktit që godina vijon të jetë pjesë e listës së monumenteve të kulturës, ajo mungon në listën zyrtare të monumenteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Citizens Channel ka dërguar kërkesë për informacion pranë Bashkisë Tiranë, për të sqaruar nëse godina do të shembej apo do  të rikonstruktohej. Bashkisë ju kërkua informacion gjithashtu se si do të behej shembja e godinës, duke konsideruar faktin që objekti ndodhet mes dy godinave të tjera që janë Monument Kulture.

Gjithashtu Citizens pyeti nëse i është hequr apo jo statusi i Monumentit të Kulturës godinës së ish ATSH-së. Deri në publikimin e këtij artikulli, nuk është marrë ende një përgjigje nga Bashkia e Tiranës.

Lexo edhe:

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

One Response

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *