Pamje gjate takimit te sotem

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut, sot organizata “Drejtësi Sociale” mbajti një takim të hapur mbi nevojën e miratimit të minimumit jetik. Në këtë organizim u prezantua edhe studimi “Qerthulli i mbyllur i varfërisë dhe domosdoshmëria e minimumit jetik” përgatitur nga Ervin Kaçiu, studiues në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit te Artit.

Ervin Kaçiu

“Minimumi jetik apelon nevojën për të kaluar nga politikat sociale që ndihmojnë garantimin e mbijetesës së individëve që vinë nga shtresat vulnerabël drejt një jete më dinjitoze”, thotë Kaçiu për Citizens Channel.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka përpiluar një raport në 2020 në matjen zyrtare të minimumit jetik.

“Vlera e minimumit jetik për person është 17,875 lekë. Është një shifër 9.9 % më e lartë sesa pensioni rural, 37.5 % më e lartë se pagesa e papunësisë edhe gati tre herë më e lartë se pagesa e ndihmës ekonomike”, analizon Vilma Shurdha, komisionere në institucionin e Avokatit të Popullit.

Rrethi vicioz i varfërisë dhe pamundësia për të dalë prej tij

Aktivistja Vasilika Laçi solli në vëmendje gjatë diskutimit “luftën” e bashkisë për të mos lejuar familjet e komunitetit rom të riciklojnë mbetjet.

Laçi rrëfeu historinë e një gjysheje, e cila tregonte sesi vetë ishte rritur duke mbledhur plehra e po ashtu kishte rritur dhe fëmijët.

“Ajo pyeste se pse mos ti rrisim edhe nipërit në këtë formë. Aq e brendësuar ishte kjo formë pune te ajo sa nuk shihte mënyrë tjetër mbijetese” përfundoi aktivistja.

Ervin Kaçiu shpjegon se të jetuarit për shumë kohë në kushte varfërie jo vetëm sjell mosdijen e daljes nga ky kurth, por edhe humbjen e ambicies për të dal nga kjo gjendje.

“Shteti edhe n.q.s. është i varfër, nuk është aq i varfër saqë mos gjej zgjidhje për hartim politikash sociale”, thekson Kaçiu.

Sipas tij përcaktimi i minimumit jetik sjell që edhe shtresat më vulnerabël edhe vetë shteti të jetë më proaktiv.

“Në një vizitë të fundit në një vendbanim romë, në Lanabregas, që edhe pse ka qenë një investim i bashkisë, ku janë rreth 50 familje, rezulton se rreth 80% e tyre ishin pa energji elektrike në këtë moment se nuk arrinin ta paguanin dot”, rrëfeu studiuesi.

Sipas tij edhe pse duket sikur minimumi jetik është i nevojshëm vetëm për shtresat më të varfëra, në fakt mos përcaktimi i tij prek të gjithë shoqërinë.

 

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu