Foto ilustrim: Xhemali Moku

Formulari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për akreditimin e gazetarëve ka ngritur shqetësime, pasi po shihet si një mjet censure.

Nisma e instituicionit synon të akreditojë gazetarët dhe përfaqësuesit e mediave për të marrë pjesë në mbledhjet plenare të KLP-së.

Formulari shkaktoi një reagim në mediat sociale dhe në redaksitë e lajmeve, ku gazetarët të cilët mbulojnë sektorin e drejtësisë, e dënuan dhe e cilësuan si mjet censure.

Ky veprim vjen pas mbylljes prej gati tre vitesh që KLP u bëri gazetarëve për shkak të pandemisë. Kontrolli i Lartë i Shtetit njoftoi më 19 nëntor gazetarët se mund të rinisnin të ndiqnin seancat, por pasi të plotësonin një kërkesë për akreditim. 

“Materiali që i përcillet publikut nuk duhet të ketë referenca tek emrat konkretë përveç emrave të anëtarëve të Këshillit dhe emrave të prokurorëve, mbi të cilët janë vendosur masa disiplinore të pezullimit dhe të shkarkimit”, thuhet në formularin e KLP-së.

Sipas gazetarëve ky ndalim iu vështirëson atyre punën dhe kthehet në një mjet censure për ata.

Anila Hoxha, gazetare e Top Channel në fushën e drejtësisë, i tha Citizens Channel se anormalja në këtë formular qëndron në faktin se ai i vendos kushte gazetarëve për mënyrën e raportimit.

Ky formular akreditimi u shpërnda në fillim të dhjetorit nga zyra e shtypit, ku përpos deklarimit të të dhenave të gazetarit, që deri ketu është normale; ky institucion vendos kushte për menyrën si duhet të raportojë gazetari. Në të kundërt i vihet në dukje se mban përgjegjësi. Dhe kjo është anormalja”, u shpreh Hoxha.

Në formular theksohet se: ”Transmetimi live audio dhe video është i lejuar në momentin e hapjes së mbledhjes dhe prezantimit të rendit të ditës. Gjatë seancës është i ndaluar regjistrimi audio, video dhe fotografimi nga mediat e pranishme me mjete komunikimi elektronike ose regjistrimi”. 

Për Elvis Myrtën, gazetar i Fax News në fushën e kronikës dhe drejtësisë, formulari i KLP-së cenon transparencën.

“Në formularin e akreditimit kërkohej që të mos jepnim as të dhënat e kandidatëve të SPAK . Sipas meje me këto qëndrime, institucionet e reja të drejtësisë po cënojnë rëndë transparencën”, tha Myrta për Citizens Channel.

Gazetarja Anila Hoxha u shpreh se pavarësisht referencave ligjore, të cilat i cilëson të gabuara, forma e vetëdeklarimit që i ngarkohet gazetarit për të është censurë.

“Përmendja e emrit të një funksonari sic është në këte rast  raportimi për prokurorët drejt SPAK, nuk përfshihet tek të dhënat personale. Druaj se e gjithë kjo formë vetdeklarimi që i ngarkohet gazetarit në fakt i shërben censures dhe jo transparancës, për të cilen u premtua se do ti garantohej publikut”, tha Hoxha.

Citizens Chanel dërgoi dhe një kërkesë për informacion pranë KLP-së, se ku është bazuar për hartimin e këtij formulari i cili dikton gazetarët për mënyën e raportimit dhe cilat janë arsyet dhe baza ligjore mbi të cilën janë përcaktuar në këtë formular pikat që ndikojnë në punën e gazetarëve.

Po ashtu Citizens pyeti KLP-në nëse do të marrë ndonjë hap për ndryshimin e këtij formulari, duke i vënë në dukje shqetësimin që ai ka shkaktuar tek gazetarët.

Nuk ka pasur ende një reagim nga KLP mbi këto pyetje, deri në publikimin e këtij artikulli. 

Por më herët në një përgjigje për Birn se ku është bazuar KLP, kryetari Gent Ibrahimi u shpreh se: Në këtë rast çdo pjesëmarrës merr përsipër detyrimet që ka KLP”.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu