Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Dhuna ndaj reporteres Sara Demushi rikthen shqetësimin për sigurinë e gazetarëve në punë

Sara Demushi, gazetare pranë televizionit Fax News u dhunua verbalisht dhe fizikisht të hënën gjatë kohës që ushtronte detyrën e saj.

Shqetësimi i një qytetareje për një çështje pronësie dërguar pranë redaksisë së medias ku Demushi punon, bëri që ajo të shkonte në terren për ta përcjellë përmes ekranit.

“Zonja pretendonte se në vitin 2017 ka një akt-marrëveshje, ku shkruhej se bashkë me zotërinë, ndërtuesin Tahir Numani kanë vendosur që shtëpinë e vet ta japë për ndërtim, ndërkohë në përfundim të ndërtimit zonja do të merrte dy apartamente dhe dyqanin në katin e parë”,– u shpreh Sara Demushi për Citizens Channel.

Megjithatë, pasi mbërriti në adresën e dhënë nga zonja, u përball me dhunë nga ndërtuesi Numani dhe kunati i tij.

Sara Demushi, gazetare pranë Fax News

“Ne u nisëm për të xhiruar me grupin e xhirimit. Në momentin që jam futur në objekt, jam prezantuar se kush isha dhe nga cili televizion vija. Në atë momente sapo jam futur brenda godinës, direkt ka ushtruar dhunë, ka tërhequr, ka shtyrë. Nuk më ka dhënë as hapësirë për t’u shpjeguar, ishte gjithçka momentale, nuk kisha mundësi të shpjegohesha më shumë”,-rrëfen Demushi momentet e para të dhunës.

Sipas saj, për disa minuta bashkë me zonjën që ka denoncuar ajo është mbajtur e mbyllur në dhomën e katit përdhes nga ndërtuesi.

“Na kanë mbyllur brenda objektit, për disa minuta. Kam tentuar të hap derën disa herë. Ka qenë edhe operatori nga ana tjetër që kërkonte që të dilja unë jashtë. Nuk e kyçi, por e mbante me dorë derën nga jashtë”.

Gazetarja Demushi ka denoncuar ngjarjen në polici, ku si rrjedhojë dy personat që ushtruan dhunë janë shoqëruar në komisariat.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 proceduan penalisht shtetasit T. N., 62 vjeç dhe A. Z., 50 vjeç, pasi në rrugën “Hoxha Tahsim”, kanë goditur dhe kanë penguar për ushtrimin e detyrës, shtetasen B. D., 24 vjeçe, me detyrë gazetare, e cila kishte shkuar për të filmuar në një objekt ku shtetasi T. N., dhe A. Z., kishin një konflikt pronësie me një person tjetër“-thuhet në njoftimin e policisë.

Tanimë ata po procedohen në gjendje të lirë, ndërsa materialet i kanë kaluar prokurorisë.

“Misioni im vazhdon edhe më shumë së më përpara”,-rrëfen Sara Demushi, pavarësisht ngjarjes së ndodhur gjatë punës së saj.

Kjo nuk është hera e parë e pengimit të ushtrimit të profesionit dhe dhunës së ushtruar ndaj saj. Vetëm pak muaj më parë, në sezonin e verës, ajo është nxjerrë me dhunë jashtë autobusëve nga kontrollorët, teksa ka dashur të raportojë shqetësimet e qytetarëve për kushtet e urbanëve në kryeqytet.

Reagime: “Dhuna ndaj gazetarëve e papranueshme”

“Rrjeti për Gazetarë të Sigurt” në Ballkanin Perëndimor e konsideron të rëndë dhe të papranueshme dhunën e ushtruar ndaj gazetares gjatë ushtrimit të profesionit.

Përfaqësuesja e “Rrjetit për Gazetarë të Sigurt”, Blerjana Bino u shpreh se toleranca ndaj këtyre rasteve duhet të jetë zero.

“Ky rast është në mënyrë të veçantë i rëndë për faktin se kemi të bëjmë me një gazetare shumë të re, me një vajzë e cila sapo ka hyrë në profesion, përpiqet që ti përgjigjet nevojave, denoncimeve të qytetarëve të cilët ndeshin shpesh herë në mënyrë të padrejtë me autoritetet apo me grupe të caktuara më të fuqishme. Megjithatë nuk është dot në gjendje që të kryejë detyrën e saj sepse pengohet, abuzohet, dhunohet verbalisht dhe fizikisht”,-tha Bino.

Blerjana Bino, përfaqësuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt

Sipas saj klima kundër medias në tërësi ndikon në vështirësinë e punës së gazetarëve në terren.

“Klima e përgjithshme anti-media dhe ligjërimi i përgjithshëm anti-media në Shqipëri, në njëfarë mënyre i ushqen edhe më tepër veprime të tilla dhe justifikon edhe dhunën verbale dhe fizike ndaj gazetarëve. Prandaj nuk mund të tolerohet as fryma anti-media, por sidomos nuk mund te tolerohen veprime te tilla”,- u shpreh Blerjana Bino ndërsa theksoi se “Gazetarët, shoqatat e gazetarëve, organizatat e shoqërisë civile, grupe te caktuara të organizuara ose jo, figura me influencë akademike duhet të gjithë të ngrenë zërin për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe të drejtën e gazetarëve për të kryer punën e tyre”.

Po ashtu, ajo theksoi se gazetarët duhet të trajnohen, të mbështeten, të pajisen me aftësitë dhe pajisjet e nevojshme për të raportuar nga terreni dhe për tu përballur me situata të ndryshme.

“Këto raste janë duke regjistruar në “Mapping Media Freedom” dhe “CoE Platform on Safety of Journalists“”,– u shpreh përmes një statusi në rrjetet sociale Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, ndërsa dënoi dhunën e ushtruar ndaj gazetares, bashkë me një sërë rastesh të tjera të ndodhura përgjatë javës.

Gjatë kësaj jave edhe gazetarja Jonida Omeri është penguar nga përfaqësues të Bashkisë Vorë të raportojë për shqetësimin e banorëve lidhur me rrugën e lagjes së tyre.

Ngjarjet janë përcjellë me shqetësim edhe nga Asosacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, solidarizohet me komunitetin e gazetarëve nga Shqipëria, në kohën kur sulmet dhe pengimi për të kryer punën e tyre ka shënuar rritje shqetësuese”,-thuhet në deklaratën e tyre.

Ndryshe nga Asosacioni i gazetarëve të Kosovës, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë nuk ka ende një reagim për situatat në të cilat janë gjendur gazetarët në Shqipëri.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *