Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ligji për ndotjen akustike fle në sirtar prej 14 vitesh, pa arritur të qetësojë zhurmën në Tiranë

Zhurmat janë një problem i madh për qytetarët, por që për shkak të neglizhencës së institucioneve, qytetarët janë të detyruar të bashkëjetojnë me ndotjen akustike.

Ekspertët tregojnë se pasojat që sjell zhurma janë po ashtu të pa trajtuara dhe të lëna në harresë, ndërsa publiku ka pak informacion mbi këtë problem.

Lëvizja Ecovolis dhe instituti CoPlan organizuan sot një tryezë diskutimi, ku paraqitën të dhëna mbi nivelin e zhurmave në Tiranë, si edhe një nismë që synon përmirësimin e situatës.

Drejtuesi i Ecovolis Ened Mato, foli mbi problemet aktuale që ka Shqipëria me zhurmat por duke u fokusuar tek Tirana, si vendi me intensitetin më të lartë të popullsisë.

Ai vuri në dukje disa faktor që ndikojnë në prodhimin e zhurmave si trafiku, punimet në ndërtim, lokalet etj. Mato theksoi se problemi kryesor është trafiku dhe se nga aty duhet të nis puna. Ai rekomandoi si pikënisje për zgjidhjen e këtij problemi sinjalizimin.

Të dhënat zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) tregojnë se ndotja akustike urbane në kryeqytet arrin vlerën 70dB ditën dhe 57dB natën, rreth 20dB më e lartë se standardi i BE për nivelin kufi të ndotjes akustike.

Lira Hakani, koordinatore e qendrës EDEN, e cila punon për mbrojtjen e mjedisit, tha për Citizens se problematika e zhurmës është një çështje që nuk ka vëmendje. 

“Edhe pse zhurma është nje armik i padukshëm, është një armik i ndjeshëm dhe i dëgjueshëm. Ai është i padukshëm, por ne e degjojmë atë përditë, në mënyrë të vazhdueshme, dhe ndoshta është pjesa e keqe që ne tashmë jemi mësuar me këtë armikun e vazhdueshëm që kemi në jetën tonë”, tha Hakani.

Lira Hakani, koordinatore e qendrës EDEN

Shkëlqim Mema, ekspert i ndotjes akustike theksoi se është shumë problematike fakti që nuk ka një autoritet për zhurmat. Po ashtu ai tha se është problem fakti që personat që merren me këto çështje nuk kanë njohuritë e duhura. Mema tha se një ekspert i ndotjes akustike duhet të ketë njohuri në fizikë.

Shkëlqim Mema, ekspert i ndotjes akustike

Ligji për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis

Shqipëria ka një ligj ekzistues për zhurmat, i cili është miratuar në vitin 2007. 

Ligji ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe të mjedisit nga zhurmat, “duke përcaktuar mënyrën e shmangies dhe masat për parandalimin, reduktimin dhe zhdukjen e efekteve të dëmshme të ekspozimit ndaj tyre, përfshirë bezdinë nga zhurma”.

Mema u shpreh gjatë diskutimit, teksa foli mbi këtë ligj se: “Unë kam qenë një nga autorët dhe janë bërë shumë ndryshime që në atë kohë, jo shumë të përshtatshme, dhe ato që janë bërë nuk kanë jane bërë për tu realizuar”.

Stabilizimi i kuadrit ligjor, duke i vënë theksin vlerësimit teknik, mbledhja e informacionit, ekspozimi i tij dhe vlërësimi i perceptimit të publikut, janë disa nga pikat që eksperti Mema i vlerëson si të rëndësishme.

Ened Mato,drejtor i Ecovolis dhe drejtues i projektit

“Ligji i zhurmave është miatuar që në vitin 2007, ne jemi në vitin 2021 dhe akoma nuk ka gjetur zbatim, si shumë ligje mjedisore miratohen në letër dhe nuk miratohet në teknik”, tha Ened Mato për Citizens Channel.

Ai u shpreh se zhurma është kthyer një nga stresuesit më të mëdhenj për qytetin, që nga cilësia e jetës, cilësia e gjumit. Mato tha se kjo ndikon në shendetin fizik dhe mendor.

Problemet institucionale në adresimin e ndotjes akustike

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (MTM) duke mos miratuar një sërë udhëzimesh, ka dështuar të plotësojë kuadrin ligjor mbi zhurmat mjedisore me akte nënligjore.

Në faqen e  MTM-së mund të gjesh disa udhëzime dhe VKM në lidhje me zhurmat, por të cilat sipas ekspertëve të pranishëm në diskutim nuk kanë gjetur ndonjë zbatim në terren, duke parë problemet që ka sot me ndotjen akustike.

Nga e gjithë panorama, vihet re se ka një neglizhencë nga ana e qeverisë dhe institucioneve për ndotjen akustike. Që nga miratimi i ligjit në 2007 nuk ka pasur më pas ndonjë studim për të parë ndikimin e tij.

Në vitin 2019, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) bëri një auditim, pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Bashkisë Tiranë.

Auditimi nxori në pah shumë parregullësi:

  • Këshilli Teknik për Zhurmat nuk shtë ngritur dhe nuk ka funksionuar asnjëherë.
  •  Bashkia Tiranë nuk ka miratuar Planin Vendor të Veprimit për zhurmat.
  • Ministri i MTM në bashkëpunim me ministrin që mbulon rregullimin e territorit, nuk kanë miratuar udhëzimin për kërkesat dhe rregullat për reduktimin e zhurmave në mjedis, që në procesin e hartimit të palneve të territorit.
  • Bashkia Tiranë nuk ka realizuar hartëzimin e zhurmave për qytetin e Tiranës.
  • Orari i punimeve në lejet e ndërtimit që Bashkia e Tiranës miraton, nuk është i përcaktuar.
  • Bashkia Tiranë nuk ka vendosur kritere për përdorimin e materialeve të izolimit akustik në lejet e ndërtimit.
  • ISHP nuk ka asnjë metodologji/manual/udhëzim për të vlerësuar barrën mjedisore të zhurmave

Në Vendimin e Kryetarit të KLSH-së për auditimin e performancës “Ndotja akustike” janë dhënë 39 rekomandime për organet e qeverisjes qendrore dhe vendore të cilat synojnë reduktimin e problemeve të ngritura në auditim dhe përmirësimin në tërësi të situatës aktuale lidhur me zhurmat mjedisore dhe efekteve negative që ato japin në shëndetin e popullatës.

Dy vite pas këtij auditimi, institucionet nuk kanë marrë ende ndonjë nismë konkrete për zgjidhjen e këtij problemi. Bashkia Tiranë ka deklaruar se ka nisur punën për hartimin e një plani i cili synon rregullimin e ndotjes akustike.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj më datë 3 dhjetor bëri një takim së bashku me Ministrinë e Mjedisit ku premtoi disa zgjidhje për reduktimin e zhurmave.

Çfarë mendojnë qytetarët për zhurmat?

Një anketim i kryer në kuadër të këtij projekti, i shtrirë në disa zona të Tiranës nxori në pah shqetësimin që kanë qytetarët me ndotjen akustike.

Anketimi u shtri në zonën e 21 Dhjetorit, Librit Universitar dhe Astirit, disa nga zonat më të populluara në kyreqytet.

Sipas rezultateve të anketimit, burimi kryesor i ndotjes akustike në perceptimin e qytetarëve ishte transporti (70%), ndërtimet (20%) dhe baret (10%).

Sa i takon reagimit qytetar, vetëm 10% e të anketuarve kishin bërë një ankesë ndërsa 90% nuk kishin bërë ankesë për shkak të mungesës së besimit.

“Zhurmat – një problem i vjetër”

Citizens Channel ka raportuar edhe më parë për problemin e ndotjes akustike në Tiranë. Situata në aspektin e përmirësimit të kuadrit ligjor dhe vënies në lëvizje të institucioneve ka mbetur e njëjtë që në vitin 2019.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *