Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Del një tjetër listë pagash e të dhënash; Ekspertët: “Jemi përballë cenimit të sigurisë kombëtare”

Një tjetër listë qarkulloi këtë të enjte me të dhënat personale të 694.473 qytetarëve që punojnë në sektorin publik dhe privat.

Lista e shpërndarë fillimisht përmes platformës “We Transfer” dhe më pas përmes “Whats App” mban të dhëna për pagat, vendin e punës dhe oraret e punës të personave të identifikuar me emra dhe numra të kartës së identitetit për muajin prill 2021.

Në listën e dytë, gjendet një tjetër faqe ku janë të pasqyruara të dhëna të gjendjes civile, sikurse emri i qytetarit bashkë me emrin e babait, datën, muajin dhe vitin e lindjes si dhe numrin e telefonit. Ndërsa numri i qytetarëve që iu është dhunuar privatësia është shtuar me 57,335 në listën e dytë.

Ekspertët e sigurisë: “Pista e Prokurorisë duhet të jetë e gjerë”

Fabian Zhilla, ekspert i sigurisë dhe pedagog në Institutin Kanadez të Teknologjisë u shpreh për Citizens Channel se publikimi i të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë nuk duhet të mbetet vetëm në nivel të një Prokurorie të një juridiksioni të Përgjithshëm, sikurse ajo e Tiranës.

“Jemi përballë cenimit të sigurisë kombëtare. Nëse sulmohet databaze i institucioneve kombëtare kemi të bëjmë me një cenim të sigurisë kombëtare. Pra kemi Bankën e Shqipërisë që ka të dhënat bankare, kemi taksat dhe tatimet, kemi Ministrinë e Financave, pra janë institucione kombëtare dhe në këtë kontekst ndihemi të shqetësuar”,- u shpreh Fabian Zhilla.

Sipas tij, ekziston një bazë ligjore që adreson këto krime kibernetike.

Fabian Zhilla, Ekspert i sigurisë, Instituti Kanadez i Teknologjisë.

“Kemi një korpus te veprave penale të cilat janë të adresuara dhe ne i quajmë ato vepra penale që lidhen me krimin kibernetik. Ato janë një numë dispozitash të cilat mundet fare mirë të mbulojnë pjesën më të mirë, sigurisht mund të kërkohet që të zhvillohet edhe një ligj i veçantë, por edhe me bazën aktuale ligjore, mendoj që i adreson problemet thelbësore që kemi me krimin kibernetik”.

Një qytetar në këtë rast ka të drejtën të ankohet për publikimin e të dhënave të tij personale. E drejtë kjo e njohur me ligj. Sipas ekspertit Zhilla, ka disa institucione kujt mund t’ju drejtohesh.

“Ti je i punësuar diku dhe i drejtohesh punëdhënësit dhe i thua kujt ia ke dhënë këto të dhëna që lidhen me pagën time. Dhe ai do të thotë ua ka dhënë taksave dhe tatimeve. Atëherë ti i drejtohesh autoritetit për mbrojtjen e të dhënave, Komisionerit dhe i thua që këto të dhëna kanë dalë. Komisioneri Publik fillon hetimin e tij, hetimin administrativ“,-shprehet Zhilla.

Më tej “i drejtohesh gjithashtu edhe tatim taksave, ose institucionet ku ti mendon që të kanë dalë këto të dhëna, sepse janë dy institucione ku shkojnë këto të dhëna, tatim-taksat dhe sigurimet. Në momentin që merr një përgjigje që nëse këto të dhëna janë në mënyrë të autorizuar apo të pa autorizuara. Sigurisht ato janë në mënyrë të pa autorizuar dhe ti i padit nëpërmjet padisë civile”,-tha Fabian Zhilla.

Zhilla bën thirrje që qasja e medias në këtë rast të jetë informues, por jo zgjatim i shpërndarjes së materialeve me përmbajtje të të dhënave personale.

Media mund të shpërndajë lajmin, por jo përmbajtjen e jashtëligjshme të materialit”,- përfundon Zhilla.

Ligji nr.9887, 2008 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”

Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale

Referuar kuadrit ligjor, Shqipëria ka miratuar në vitin 2008 ligjin nr.9887 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, i cili përcakton rregullat për mbrojtjen dhe përpunimin e ligjshëm të dhënave personale.

Sipas ligjit, ndalohet përpunimi i të dhënave të cilat zbulojnë origjinën racore, mendimet politike, anëtarësinë në sindikata, besimin fetar apo filozofik, dënimet penale si dhe shëndetin dhe jetën seksuale.

Përjashtim bëjnë rastet kur personi ka dhënë vetë pëlqimin për përdorimin apo përpunimin e të dhënave të tij si dhe kuadër të veprimtarive të parandalimit dhe ndjekjes penale, në raste të tjera.

Ndërsa referuar nenit 16 të këtij ligji, çdo person që pretendon se i janë shkelur të drejtat dhe liritë ka të drejtë të ankohet ose të njoftojë komisionerit për ndërhyrje.

Ligji nr.9887, 2008 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”

“Prokuroria nis hetimet ndërsa qeveria komenton rastin”

Prokuroria e Rrethit Gjyqesor Tiranë ka bërë me dije se ka nisur hetimin lidhur me dy vepra penale: “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ndërhyrje në sistemet kompjuterike”, ndërsa ka ngritur grupe pune pranë Drejtorisë së Tatimeve, Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Kryeministri Rama, në një takim me mediat ditën e sotme kërkoi ndjesë për publikimin e të dhënave private të qytetarëve.

“Në radhë të parë dua t’ju kërkoj një ndjesë të gjithëve që janë shqetësuar me plot të drejtë për këtë ndërhyrje në këtë aspekt të jetës së tyre private dhe ndërkohë dua të nënvizoj që në fillim se kjo është një ngjarje e cila meriton të hetohet imtësisht”,- u shpreh Rama.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *