Pamje nga cmontimi i tendes se Cirkut Kombetar

Prej më shumë se dy muajsh 30 aktorët e Cirkut Kombëtar të Tiranës nuk kanë më një skenë për të interpretuar. Që nga çmontimi i tendës së cirkut më 20 Tetor artistët japin shfaqje vullnetarisht për shtresat vulnerabël ose në ambiente të hapura, siç do të jetë shfaqja e fund vitit në sheshin e Tiranës.

“Kemi vetëm një palestër, ku përpiqemi të ushtrohemi të gjithë. Aktualisht nuk kemi as dhoma zhveshjeje dhe as tualete”, konfirmon për Citizens Channel Sabina Troshku, akrobate në trupën e Cirkut Kombëtar.

Stina e dimrit i ka vështirësuar kushtet për stërvitje për artistët pasi në ambientet ku ushtrohen mungon dhe ngrohja.

 

Armela Bushgjokaj

“Ngrohëset i kemi marrë nga shtëpia vetë sepse këtu nuk ka kushte, kondicionerët i kemi vetëm për formë, për bukuri se nuk punojnë”, tha akrobatja Armela Bushgjokaj.

Mario Elezi, zbutës kafshësh në Cirkun Kombëtar, prej më shumë se dy muajsh e mban në shtëpinë e tij, Tobin, qenin e shfaqjeve.

Mario Elezi

“Tobi do kushte të stërvitet përditë, të ketë zhvillimet e tij dhe një ditë ta lesh të kthen prapa në punën time. E mbaj në kushtet shtëpie”, tregon Mario.

Disa prej artistëve kanë zgjedhur të stërviten privatisht me shpenzimet e tyre për shkak të mungesës së kushteve.

“Për momentin stërvitem vetëm në palestër private, që nuk ka lidhje me ambientin e cirkut”, pohon ekuilibristi Arian Prendi.

Asnjë noftim nga Ministria e Kulturës për Cirkun e Ri

20 Tetor u dha shfaqja e fundit e Cirkut Kombëtar, pasi përmbaruesit kërkonin lirimin e ambienteve.

Sipas përfaqësuesit të Ministrisë së Kulturës në vendngjarje Gjet Ndoji, artistët do të kishin dy deri në katër javë afat për tu zhvendosur në një ambient të përcaktuar nga ministria.

Ministria vendosi të vë në dispozicion ambientet e shkollës “Sinan Tafaj” për stërvitje, fakt i cili nuk u prit mirë nga artistët.

“Është absurd të bësh aktivitet në një sallë shkolle, minimum duhet të jetë një teatër që të ketë ndriçim, ngrohje apo thjesht një foni që mund të vendoset dhe të ushtrohet aktiviteti në mënyrë dinjitoze”, shpjegon Juxhina Madhja, akrobate.

Pas mbylljes së cirkut u shkarkua drejtori i këtij institucioni Ilirjan Gjini dhe momentalisht nuk ka një drejtues të Cirkut Kombëtar.

Artistët shprehen se nuk kanë asnjë të dhënë se kur do të nisin punimet për godinën e re.

“Fjalë, shpresa por veprime konkrete jo. Na kanë dhënë shpresë që do bëjnë planin për cirkun e ri por s’kemi parë gjë akoma”, përfundon Sabina Troshku.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu