Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

KLP nuk tërhiqet nga Formulari i Akreditimit, gazetarët e cilësojnë mjet paraprak të censurës

Formulari i akreditimit për gazetarë i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) u prit me shqetësim nga gazetarët.

Nisma e këtij institucioni, pas një kohe të gjatë mbyllje për shkak të pandemisë, synon akreditimin e gazetarëve që do të marrin pjesë në seanca, duke ju kërkuar që raportimi i tyre të mos ketë referenca në emrat e prokurorëve, si edhe vendos kufizime në regjistrimin e materialeve video dhe audio të seancave.

Në përgjigje të një kërkesë për informacion dërguar nga Citizens Channel, KLP listoi një sërë argumentash juridike në mbështetje të nismës, duke lënë të hapur vullnetin për përmirësimin e mekanizmit të akreditimit.

Në një paragraf KLP thekson se masat e ndërmarra nga ky institucion përmes Formularit të Akredimit “synojnë të kufizojnë përhapjen e të dhënave personale kundrejt palëve të papërcaktuara në çfarëdo forme”.

Paragraf i shkëputur nga përgjigja e KLP-së

Bazuar në nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, garantohet me ligj që mbledhjet e organeve të zgjedhura kolektive të jenë të hapura për publikun. Paragrafi i mësipërm bie ndesh me nenin 22 të Kushtetutës, pika 3 ku përcaktohet se ndalohet me ligj censura paraprake e mjeteve të komunikimit.

Citizens e pyeti KLP-në nëse do të merret ndonjë hap për ndryshimin e formularit dhe se ku është bazuar KLP për hartimin e këtij formulari, i cili dikton gazetarët se çfarë duhet të raportojnë ose jo.  Po ashtu e pyeti dhe se cilat janë arsyet dhe baza ligjore mbi të cilën janë përcaktuar në këtë formular pikat që ndikojnë në punën e gazetarëve.

Kërkesa për informacion dërguar KLP-së

Gazetarët e cilësojnë si mjet censure këtë formular, pasi sipas tyre i pengon ata të kryejnë punën e tyre me transparencë për publikun. 

Ndërsa KLP, në përgjigje ndaj identifikimit të magjistratëve, shprehet se: “Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka detyrim ligjor të bëjë publike seancat plenare si edhe ato disiplinore, sipas mënyrës dhe afateve të përcaktuar në nenin 167 të ligjit nr 115/2016 “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtëisë” i ndryshuar, me qëllim për të garantuar anonimizimin e të dhënave të magjistratëve prokuror”.

Sa i takon pyetjes se ku është bazuar për hartimin e këtij formulari, KLP tha se shtë bazuar në ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Sipas KLP, në formular ka përcaktuar “qëllimet dhe mënyrat e përpunimit të të dhënave personale të magjistratëve prokuror”.

Në fund të përgjigjes KLP ka shprehur “vullnetin dhe gatishmërinë institucionale për gjetjen e një balance demokratike”.

Paragraf i shkëputur nga përgjigja e KLP-së

Gazetarët e cilësojnë censuruese gjuhën e përdorur nga KLP

Të pyetur mbi këtë reagim të institucionit, gazetarët janë shprehur se mbledhjet e KLP duhet të jenë të hapura dhe në formular KLP ka kopetencë ligjore për të bërë përcaktime teknike, por jo përmbajtësore dhe të diktojë mënyrën e raportimit.

Vladimir Karaj, redaktor i BIRN i pyetur nga Citizens në lidhje me përgjgijen zyrtare të KLP, e ka cilësuar atë si “të firkshme”.

“Jo vetëm për shkak të grafomanisë, që ka synim të lodhë dhe të shpërqëndrojë nga thelbi edhe mendje shumë të stërvitura, por përshkak të faktit se KLP e merrka shumë seriozisht rolin e censorit”,  i tha Karaj Citizens.

Karaj e cilëson antikushtetues paragrafin e cituar më sipër. Sipas tij është një përpjekje për censurë paraprake “bazuar mbi parashikime për dëme potenciale”.

“Këtu KLP merr përsipër të bëjë edhe censorin edhe parashikuesin dhe gjykuesin se çfarë duhet të mësojë publiku dhe çfarë jo”, tha Karaj duke shtuar se KLP nuk ka për detyrë, dhe asnjë institucion tjetër, të rregullojë se si formohet apo ndikohet opinioni publik.

Për Karajn, KLP është duke ngatërruar detyrat e veta.

“Këshilli ngatërron detyrat e tij, që në këtë rast është të kryej një proces të drejtë dhe  transparent, me detyrën e censorit të përgjithshëm që shqetësohet se si ky proces përcillet në media”, shprehet Karaj.

Gazetari e ka cilësuar si shprehje arrogance, pretendimin e KLP-së se vendimi përfundimtar mjafton për të informuar opinionin. 

“KLP apo cilido organ tjetër shtetëror nuk kanë vulën e të vërtetës dhe vendimet e tyre përfundimtare nuk do të thonë mbërritje te e vërteta”, tha Karaj.

Ai ngre shqetësimin për organet e drejtësisë, pasi shprehet se “përmes përpjekjeve për censurë, e kanë cënuar tashmë besimin e publikut te reforma në drejtësi”.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në vendimin e dhënë për rastin e “Xhoxhajt kundër Shqipërisë”  shprehet se një cenim i privatësisë së magjistratëve, për të gjetur nëse ata kishin pasuri të pajustifikuara, lidhje me krimin apo kualifikimin e duhur, ishte i domosdoshëm për të siguruar besim të publikut te sistemi.  

“Përkundër këtij arsyetimi të GJEDNJ-së, KLP dhe KLGJ janë duke fshehur dhe fshirë si të dhëna personale deri edhe emrat apo edhe të dhëna jetëshkrimi që gjenden lehtësisht, të magjistratëve që ata promovojnë në detyra si gjyqtar të Gjykatës së Lartë, drejtues prokurorie, prokurorë të posaçëm e të tjera. E gjithë kjo bëhet kur është e qartë që procedurat e promovimit në detyrë pas dyerve të mbyllura, nuk përmirësojnë asgjë në imazhin e drejtësisë dhe funksionarëve të saj, por kanë efektin e kundërt”, deklaron Karaj.

Për Anila Hoxhën, gazetare e Top Channel në fushën e kronikës dhe drejtësisë, Formulari i Akreditimit i lëshuar nga KLP për gazetarët është censurues. Përgjgijen dhe gjuhën e përdorur nga KLP, ajo e cilëson anormale.

“Institucioni nuk mund të vendos kushte për mënyrën se si raportojnë gazetarët”, tha Hoxha për Citizens.

Sa i përket argumentit të KLP-së për mbrojtjen e të dhënave, Hoxha shprehet se “përmendja e emrit të një funksonari siç është në këte rast raportimi për prokurorët drejt SPAK, nuk përfshihet tek të dhënat personale”.

“Druaj se e gjithë kjo formë vetdeklarimi që i ngarkohet gazetarit në fakt i shërben censurës dhe jo transparancës, për të cilën u premtua se do t’i garantohej publikut”, tha Hoxha.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *