Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Treni i Parkut të Liqenit me vlerë 5.5 milion lekë, ka mbetur në tunel

Këndi i lojërave në Parkun e Liqenit, u inagurua në vitin 2016, pas më shumë se 80 ditësh protesta nga qytetarët.

Projekti ka kushtuar 78,319,383 lekë me TVSH, sipas kontratës së nënshkruar mes Autoritetit kontraktor që është Bashkia Tiranë dhe kontraktorëve Star-Tek Shpk & Riviera Shpk & Kaleshi Shpk.

Projekti pilot i Këndit të Lojërave për fëmijë

Pjesë e këtij projekti është edhe “Treni për Fëmijë”, i cili ka zënë një hapësirë të konsiderueshme dhe u prezantua si një nga hapësirat më të dashura për fëmijët.

Për ndërtimin e këtij treni u prenë pemë në mënyrë që të ndërtohej hekurudha. Citizens Channel bëri një vrojtim në terren dhe treni nuk funksionon prej kohësh, ai është kyçur në një tunel dhe hapësira përreth tij është e pa mirëmbajtur.

Punëtorët që punojnë në atë zonë dhe qytetarë që frekuentojnë zonën e liqenit pohuan se treni nuk ka funksionuar asnjëherë, ndërsa disa prej tyre nuk ishin në dijeni të ekzistencës së këtij treni.

Treni nuk u vu në funksion edhe për një vit, kur Veliaj e ka përdori për të dërguar mesazhe ndaj protestuesve të Parkut të Liqenit.

“Jam shumë i lumtur sot që së bashku me fëmijët më të mirë të Shqipërisë, që janë padyshim ata të Tiranës, po festojmë në një vend ku para një viti ka pasur shumë beteja, shumë sherre, shumë shamatë, por në fund fare doli një punë e bukur. Sot kemi 1-vjetorin e këndit të lodrave. Më vjen mirë që edhe treni sot është plot, edhe muri ngjitës, edhe fushat e ping-pongut”, tha Veliaj në 1 Qershor 2017 gjatë inagurimit të trenit.

Edhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit e Bashkisë (APR) Tiranë e ka shpërndarë trenin për fëmijë në rrjetet sociale, në gusht 2017, ku vihen re komentet e qytetarëve, që shprehin pakënaqësinë për mos-funksionimin e tij.

Në planin teknik të Këndit të Lojërave të 2015, përcaktohet dhe Treni për Fëmijë, i cili ishte menduar të ishte një hapësirë për fëmijët, në një zonë me bimësi ku fëmijët do të mund të luanin dhe shijonin pamjen, por që ky territor tani është kthyer në një truall të pa mirëmbajtur dhe e gjithë hapësira ku janë vendosur shinat e trenit ka dalë jashtë funksionit.

Pjesë nga “Raporti teknik i Këndit të Lojërave”

“55 milionë lekë për trenin që mbeti në tunel”

Sipas preventivit të punimeve treni ka kushtuar 5,555,064. Në këtë vlerë janë përfshirë:

Punime për konstruksionin e drurit tek platforma e trenit 

Strehë me konstruksion druri + lyerje me vernik me llak  kundra lagështriës

Vlera 280,000 

Pjesë nga Preventivi i Punimeve

Tren lokomotive + 4 vagona me peshë mbajtëse për çdo vagon deri në 120 kg së bashku me shinat metalike me bateri + pajisje

Vlera 4,688,306 

Pjesë nga Preventivi i Punimeve

Punime për shtresat e trenit

Gërmim dheu t=20cm 

Vlera 41,154

Shtresë çakelli t-20cm

Vlera 515,280

Transport dheu me auto deri 5.0 km

Vlera 30,324

Vlera total e punimeve për shtresat e trenit: 586,758

Pjesë nga Preventivi i Punimeve

Citizens Channel i është drejtuar Bashkisë Tiranë disa herë me kërkesa për informacion për këtë çështje, për të ditur dhe arsyet se pse treni ka dalë jashtë funksionit, sa kohë ka që ndodhet në këtë gjendje, dhe se çfarë do të ndodhë me këtë investim. Institucioni ka refuzuar të përgjigjet, duke mos kthyer përgjigje.

Historiku i protestave të Parkut të Liqenit

Një grup qytetarësh dhe aktivistësh në 2016 nisën një betejë me Bashkinë Tiranë, e cila rrethoi parkun në Liqenin Artificial të Tiranës, pa njoftim. Ata nisën një protestë e cila zgjati rreth 80 ditë, ku pati të arrestuar dhe përplasje fizike me policinë.

Organizata mjedisore, aktivistë e qytetarë akuzonin Bashkinë e Tiranës  se ka ndërhyrë në mënyrë shkatërrimtare dhe jo ligjore në betonizimin e parkut.

Një grup aktivistësh iu drejtuan gjykatës administrative të Tiranës duke paditur bashkinë, se për ndërtimin e projektit ka shkelur ligjin nr. 10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”; Ligjin nr. 8672, datë 26.10.2000 “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit” dhe Ligjin nr.10 440, datë 7.7. 2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, etj.

Foto nga protestat tek Parku i Liqenit, Mars 2016

Ata pretendonin se “dispozitat e shkelura kanë sjellë zhvillimin e një leje ndërtimi pa marrë më parë leje të posaçme mjedisore dhe pa kryer konsultime publike sipas dispozitave ligjore”.

Në korrik 2016 Gjykata Administrative vendosi rrëzimin e kërkesës së padisë së aktivistëve. Argumenti i tyre ishte se “ata duke mos qenë pronarë të prekur të liqenit nuk ishin dëmtuar drejtpërsëdrejti”

Gjykata nuk u thellua më tej për të marrë në shqyrtim argumentet për paligjshmërinë e zbatimit të projektit. Vendimi u la në fuqi në dhjetor 2020 nga Gjykata Administrative e Apelit Tiranë.

Gjyakta Administrative i njohu të drejtën aktivistëve në ngritjen e padisë, por nuk vlerësoi drejt kërkimet e tyre në lidhje me paligjshmërinë e zbatimit të projektit.

Sakaq, projekti i bashkisë për Këndin e Lojërave u kritikua për betonizimin e zonës, e cila tashmë që është implementuar mund të duket qartë që është e betonizuar, që nga tavolinat e ping-pongut dhe i gjithë këndi i lojërave, ku sipër është vendosur tapet.

Sipas preventivit të punimeve, është bërë 4000 m3 gërmim dheu, jane përdorur 867 m3 beton dhe 43 ton hekur betoni. Sipërfaqja e shtruar me beton/zhavorr/cakull është 2000 m2.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *