Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Listat e pagave; KSHM i bën thirrje mediave për të ruajtur balancën mes interesit publik dhe privatësisë

Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM) dhe Aleanca për Media Etike (AME) kanë kërkuar nga mediat dhe gazetarët të tregojnë përgjegjshmëri në raportimin mbi rrjedhjen e të dhënave personale.

Përmes një deklarate KSHM dhe AME e vlerësojnë si kritike situatën e krijuar me rrjedhjen e të dhënave të 637 mijë shqiptarëve.

“KSHM dhe Aleanca për Media Etike, e vlerësojnë kritike situatën e krijuar me rrjedhjen e të dhënave personale të shtetasve, si pagat, targat, etj. Ndërsa rrjedhjet mund të mos jenë dokumente të marra në mënyrë legjitime (shembuj botërorë janë që nga wkileaks, tek Lista LeGarde, deri te Pandora Papers, etj) shpesh ato mund të përmbajnë dokumente me interes publik”, thuhet në deklaratën e datës 25 dhjetor.

Sipas deklaratës, tani që dokumenti me të dhënat është shpërndarë në mënyrë masive, është detyrë e gazetarëve dhe medias që të orientojë publikun “tek ajo pjesë e informacionit që është me interes publik, duke mos cënuar pa të drejtë privatësinë e shtetasve”.

KSHM dhe AME, i bëjnë thirrje të gjitha mediave që të kenë parasysh disa elementë të rëndësishëm:

  • Media ka të drejtë për të përpunuar të dhënat e rrjedhura për të informuar publikun. Përpunimi i të dhënave duhet të orientohet vetëm drejt temave që kanë interes publik dhe jo që paraqesin kërshëri publike.
  • Të shmangen nga ky përpunim, sa më shumë të jetë e mundur, detajet personale të shtetasve.
  • Në rast se media, konsideron se rroga dhe institucioni që e paguan një individ përbën çështje me interes të lartë publik, para se të publikohen të dhënat e përpunuara, individëve të përmendur duhet t’u jepet patjetër hapësira për të komentuar mbi akuzat.

Organizatat shtojnë se media ka një rol themelor në këto momente në orientimin e publikut. Sipas tyre, media duhet të orientojë debatin mbi listat e të dhënave “aty ku duhet, tek interesi më i lartë publik”.

“Ekspertët të shqetësuar për rrjedhjen e të dhënave”

Erida Skëndaj, drejtoreshë ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH), i tha Citizens se rasti i rrjedhjes së të dhënave është “shkelje masive e privatësisë”. Sipas Skëndaj, përsëritja e shpërndarjes së të dhënave personale të qytetarëve ndikon në demokracinë dhe besimin që ka publiku tek institucionet.

“Rasti përbën një shkelje masive të privatësisë së qytetarëve dhe përsëritja e këtij precedenti pas publikimit të listës së patronazhistëve minon rëndë demokracine dhe besimin e publikut tek institucionet”, tha Skëndaj.

Ajo vlerëson se roli i medias në raste të tilla është shumë i rëndësishëm. Të dhënat i japin informacione të dobishme gazetarëve për të hulumtuar, por nga ana tjetër Skëndaj vendos theksin dhe tek shkeljet e privatësisë që janë bërë në raportime. Ajo shprehet se analizimi i të dhënave të disa individëve në disa raste ka shkelur privatësinë e tyre.

Erida Skëndaj, drejtoreshë ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH)

“Roli i medias është shumë i rëndësishëm por fokusi jo përpjestimor në disa raste, tek analizat e të dhënave të individëve të caktuar përkeqësoi shkeljet e privatësisë”, u shpreh Skëndaj për Citizens.

Koloreto Cukali nga Këshilli Shqiptar i Medias gjithashtu theksoi rëndësinë e rolit të medias në situata të tilla. 

“Në situata të tilla roli i medias është thelbësor, media duhet të udhëheqë debatin publik mbi një çështje kaq sensitive dhe të mos lërë individët me agjenda të caktuara ose thjesht të papërgjegjshëm që ta bëjnë këtë”, i tha Cukali Citizens Channel.

Ai theksoi se roli kryesor i medias në situata të tilla është informimi i publikut duke ngritur pyetje dhe duke gjetur problematikat sociale që fshihen në dokumente.

Koloreto Cukali, Këshilli Shqiptar i Medias

“Pra, në një rast si ky, media duhet dhe të informojë publikun për një çështje të një rëndësie kaq të madhe publike, të ngrejë pyetjet e duhura e të gjejë problematikat sociale që ngërthehen aty brenda; por nga ana tjetër dhe të jetë etike në maksimum, të mbrojë sa më shum të jetë e mundur nderin dhe personalitetin e individëve të përfshirë”, u shpreh Cukali.

Ai shprehu shqetësimin se jo të gjitha mediat kanë treguar nivel përgjegjshmërie në raportim. Cukali thekson se ato u gjendën “të përgatitura nga një rrjedhje kaq masive të dhënash”.

“Baza të tilla informacionesh zakonisht duan javë e muaj që të përpunohen për të dalë që andej me temat e duhura për interes publik, ndërsa rrjedhja në këtë rast erdhi nga rrjetet sociale, jo në mediat e prej tyre tek publiku”, shton Cukali. 

Ai thekson se një nga shkeljet më të mëdha që u bënë, është që disa media në disa raste u sollën si individë të papërgjegjshëm, “duke kërkuar në databazën e rrjedhur kuriozitetete alla-Big Brother, dhe jo tema me interes të lartë shoqëror”

“Pra, atë që media duhej të shmangte, që të ishte e përgjegjëshme, etike e të orientonte debatin, ajo nuk e bëri, përkundrazi, u soll si një individ mesatar me kuriozitete banale “sa merr njëri e sa merr tjetri””, tha ai.

Por përpos kësaj, Cukali shprehet se ky ishte një moment i mirë që “dhe mediat shqiptare të marrin një mësim, që në kushtet ku punojnë, shpejtësia e lajmit ka rëndësi, por ajo duhet të mbahet në balancë me nevojën për etikë maksimale dhe për hulumtime vetëm në interesin publik”.

Rrjedhja e të dhënave

Të dhënat e qytetarëve shqiptarë u shpërndanë për herë të dytë në 22 dhjetor pas shpërndarjes së listës së njohur si “lista e patronazhistëve”, ku kishte të dhëna si karta e ID, datëlindja, adresa, dhe orientimi politik. Këto të dhëna mendohet se janë marrë nga portali qeveritar e-Albania.

Sakaq lista e dytë që u shpërnda para një jave përmes WhatsApp, përmbante të dhëna si ID, emri, vendi i punës, paga, pozicioni i punës etj. Të dhënat përfshinin qytetarë të punësuar në sektorin privat dhe publik. Ato renditeshin nga paga më e lartë te ajo më e ulët.

Kjo listë e parë u ndoq nga një tjetër e shpërndarë më vonë, me të dhënat e pagave të këtyre qytetrëve për muajin Prill, ndërsa lista e parë i përkiste muajit Janar.

Pas kësaj u shpërnda një tjetër listë me target e makinave, ku bëheshin me dije detaje si pronari i makinës, ngjyra dhe tipi i makinës.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u shpreh se ka nisur punën për identifikimin e shkeljeve nga lista e të dhënave të bërë publike.

Fabian Zhilla, ekspert i sigurisë dhe pedagog në Institutin Kanadez të Teknologjisë   i tha Citizens Channel se publikimi të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë nuk duhet të mbetet vetëm në nivel të një Prokurorie të një juridiksioni të Përgjithshëm, sikurse ajo e Tiranës.

“Media mund të shpërndajë lajmin, por jo përmbajtjen e jashtëligjshme të materialit”, tha Zhilla për Citizens.

Sa i përket kuadrit ligjor në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale, Shqipëria ka një ligj të miratuar n 2018 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, i cili përcakton rregullat për mbrojtjen dhe përpunimin e ligjshëm të dhënave personale.

Prokuroria e Rrethit Gjyqesor Tiranë ka njoftuar se ka nisur hetimin lidhur me dy vepra penale: “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ndërhyrje në sistemet kompjuterike”, ndërsa ka ngritur grupe pune pranë Drejtorisë së Tatimeve, Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *