Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Pakti për Universitetin” i ndryshoi vetëm fasadën godinave të Qytetit Studenti

Një ndër kërkesat e artikuluara gjatë protestave masive studentore të vitit 2018, ishte shtimi i numrit të konvikteve dhe përmirësimi i kushteve në godinat ekzistuese.

Një raport i Qëndresës Qytetare tregon se në atë kohë, 89 % e studentëve pohonin se tualetet e konvikteve ishin jashtë standarteve normale, ku kryesisht mungonin dyert, uji i rrjedhshëm dhe pajisjet e higjenës.

Hapësirat e vogla në dhoma, mungesa e hapësirave për të gatuar apo e mensave, dushet me orar, mungesa e higjenës në tualete, ishin disa nga problemet themelore të artikuluara nga studentët.

Nën preisonin e protestave, qeveria premtoi si zgjidhje të situatës “Paktin për Universitetin”, ku pjesë e tij ishte dhe rikonstruksioni i konvikteve.

386,702,588 lekë janë shpenzuar për rikonstruksionin e konvikteve që prej “lidhjes” së paktit Për Universitetin. Citizens ka raportuar më herët për konviktet, ku ka nxjerrë në pah faktin që kushtet e vështira në të cilat jetojnë studentët në këto konvikte, i shtyjnë ata drejt periferisë.

Rasti i godinave 9 dhe 10

Sot në janar 2022, tre vite pas protestave të studentëve, jeta e tyre në godinat e rikonstruktuara të Qytetit Studenti, ka ndryshuar pak.

Për më tepër një pjesë e mirë e godinave të Qytetit Studenti ishin premtuar për rikonstruksion për vitin 2021 dhe nuk janë përfunduar ende. Sipas VKM nr. 1134 datë 24.12.2020 ishin planifikuar për rindërtim 3 godina, 15, 16 dhe 18 dhe për rikonstruksion 4 godina,  20-21 dhe 22-23. Në total qeveria ka akorduar fondin prej 1,608,555,182 lekë për rindërtimin/rikonstruksionin e këtyre godinave.

Këto godina do duhet të kishin qenë gati për të pritur studetët në fillimin e vitit akademik, por në tetor të 2021 ato ishin ende në proces.

Godinat 9 dhe 10 janë dy godina të cilat lidhen bashkë me një korridor në mes. Në këto dy godina procesi i restaurimi ka përfunduar, referuar edhe inagurimit që i ka bërë kreu i bashkisë Tiranë Erion Veliaj.

Restaurimi i këtyre godinave ka nisur fill pas protestave të dhjetor 2018. Në 2019 në korrik, Veliaj inspektoi punimet në këto godina. 

“Jam shumë entuziast kur shikoj se si shumë nga kantieret që filluam në “Qytetin Studenti” po mbyllen. Konvikti 9 dhe 10 ka 200 dhoma, më i madh se hoteli më i madh në Tiranë. Të bësh një rikonstruksion hoteli merr 1 apo 2 vjet, por ta bësh në 1 apo 2 muaj është realisht një arritje e jashtëzakonshme. Dua të falenderoj të gjithë ata që kontribuan.

Skepticizmi i ditëve të para, kur kryeministri dhe kryetari i bashkisë dhanë premtimin se do bëheshin brenda verës, tani është shuar sepse gjithsecili mjafton të bëjë një xhiro dhe të zbulojë se si është mbajtur fjala në çdo pikë të kontratës për Paktin me Universitetin”, tha Veliaj gjatë inspektimit.

Citizens ishte brenda ambienteve të këtyre godinave, ku nga pamjet duket se mungojnë kushte të tillë si hapësira për gatim, ngrohje, tualetet janë të përbashkëta, dushet gjithashtu dhe janë me orare, mobiljet nuk janë ndryshuar dhe nuk është bërë një rindërtim i dhomave për t’i zgjeruar. 

Këto dy godina janë edhe në kontrast me godinën 12 e cila ndodhet ngjitur, ku restaurimi e ka prekur godinën edhe në pjesën e brendshme dhe jo vetëm nga jashtë.

Në këtë godina nga fotot e siguruara nga brenda ndërtesës, vihet re se tualetet nuk janë më të përbashkëta dhe mobiljet nëpër dhoma janë ndryshuar. 

Pamje nga dhomat ne godinen 12

Pamje nga tualetet ne godinen 12

Pamje nga kuzhina e godines 12

Mobilje, godina 12

Pamje nga kendi i improvizuar i studenteve ne godinen 12

Studentët të pakënaqur me restaurimin

Kristina Prenga është studente e vitit të dytë Gazetari. Ajo jeton në një nga godinat e restauruara të Qytetit Studenti. Kristina shprehet se në godinën që ajo ndodhet kanë ndryshuar disa gjëra, por teksa flet për problematikat, ajo përmend të njejtat që kanë pasur dhe studentët në 2018 apo më herët.

“Disa nga problemet që hasim këtu në konvikt,  duke filluar që nga kushtet  minimale, dushet si fillim domethënë kishte ujë të ngrohtë 24 orë, tani uji i ngrohtë është bërë si me orare në thonjëza, ka ujë të ngorhtë dy orë tre orë, katër orë në ditë.

Kemi problemin e ngrohjes, kaloriferët domethënë nuk janë atëherë kur i duam, mund të jenë në një orar të papërshtatshëm të ditës kur ne nuk jemi brenda, jemi në punë ose në shkollë, janë domethënë maksimumi një orë në ditë mund të jenë ndezur, në darkë, ose dhe kur janë ndezur nuk krijojnë ndonjë ngrohje”, u shpreh Kristina për Citizens. 

Krtistina Prenga, studente

Ajo pohoi se kuzhina është një tjetër problem që ata kanë si studentë. Sipas saj mungojnë hapësirat e përbashkëta për të gatuar dhe studentët gatuajnë në dhoma ose shpenzojnë para për të ngrënë jashtë, pasi nuk ka ndonjë mensa publike për studentët.

“Pastaj problem tjetër është problemi i kuzhinës, domethënë ekziston si hapësirë por që pajisjet nuk janë brenda dhe ne detyrohemi që të gatuajmë në dhoma, pastaj dhoma sa është, aty jemi dy vajza edhe nuk është se dilet për të gjitha, edhe për të studiuar edhe për të fjetur edhe për të gatuar, domethënë i kemi krijuar vetë ato kushtet aty brenda”, u shpreh studentja teksa e cilësoi restaurimin si një kamuflim.

Kristina u shpreh se “nga jashtë duket shumë bukur, është i lyer është i rregulluar, ndërsa nga brenda domethënë si fillim edhe ne u mashtruam, u mashtruam është fjalë e madhe por në fillim ishin mirë gjërat pastaj kanë ardhur duke u degraduar , duke u prishur avash avash”.

Rigels Xhemollari përfaqësues i Qëndresës Qytetare, të cilët kanë monitoruar dhe anketuar studentët ndër vite për kushtet në konvikte, u shpreh për Citizens se: 

“Marrim dhe bëjmë paralelizëm me ato çka u premtuan pas paktit Për Universitetin, pra në dhjetor të vitit 2018, ajo që ka ndodhur tashmë rreth 3 vjet mbrapa apo pas protestës studentore është se janë restauruar vetëm dy ose tre godina në Qytetin Studenti dhe pjesa tjetër e godinave vijon të mbetet në kushte skandaloze, me higjenë të dobët, pa ngrohje dhe me studentë të cilët vijojnë të ankohen për kushtet brenda godinave”. 

Ai ngre si problematikë faktin që përpos mungesës së cilësisë në konvikte ka një mungesë të theksuar edhe të kapaciteteve.

“Tirana strehon vetëm 7% të studentëve me konvikte, pjesa tjetër detyrohet që të shkojë në shtëpi me qera, dhe të strehoen në shtëpi me qera duke ritur kostot e tyre të jetesës dhe duke ulur edhe cilësinë e tyrte në mesimdhënie se detyrohen të jenë shumë larg qendrave universitare dhe plani i cili duhet që të jetë emergjent,

Rigels Xhemollari, Qëndresa Qytetare

emergjenca kombëtare sot është rritja e kapaciteteve të konvikteve përveç ritjes së cilësisë së atyre ekzsituese pra nuk mjafton një lyerje nga jashtë as një lyerje nga brenda, por duhen kushte moderne të cilat meritojnë studentët shqiptarë”, u shpreh Xhemollari.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *